Dëshmia që i detyroi gjyqtarët e Krimeve të Rënda të shkonin në Norvegji
Laureta Rryçi
Tiranë - Pesë gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, ndryshe nga herët e tjera, u është dashur ta zhvillojnë seancën gjyqësore në Norvegji. Shkak është bërë procesi ndaj babë e bir, që akuzohen për trafik prostitucioni. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje për gazetën “Albania” se pesë gjyqtarët janë rikthyer dje pas një jave qëndrimi në Norvegji. Procesi gjyqësor në ngarkim të dy të arrestuarve, Astrit dhe Nelgert Pata, ishte pezulluar përkohësisht derisa të merrej dëshmia e së dëmtuarës që jetonte në shtetin nordik.
Seanca
Pesë gjyqtarët janë vendosur në një prej gjykatave të Norvegjisë, ku kanë marrë dëshminë e një vajze shqiptare që pretendon se është trafikuar. Gjyqtarët kanë ndjekur të gjitha procedurat në mënyrë që dëshmia e saj të jetë e ligjshme, pavarësisht suportit financiar, në mënyrë që procesi të jetë i drejtë për të gjitha palët. Kjo dëshmi do të jetë dhe vendimtare në lidhje me fajësinë apo jo të dy të arrestuarve për akuzën “trafik femrave për qëllime prostitucioni”. Që të dy ata u arrestuan një vit më parë në Shqipëri. Kjo nuk është hera e parë që trupa gjykuese zhvendoset përtej kufijve për të marrë një dëshmi. Ka pasur raste kur gjyqtarët e Krimeve të Rënda janë nisur drejt Italisë për të marrë dëshmi vajzash të trafikuara.
Arrestimi
Policia fillimisht pati arrestuar Astrit Patën. Kështu që, për disa muaj, i biri i tij, Nelgerti, iu pat fshehur drejtësisë. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në vitin 2004, Astrit Pata, pasi është lidhur me Silvana K., e cila punonte si kameriere në lokalin e vëllait të tij në Tepelenë, i ka mbushur mendjen asaj që të shkonin së bashku në Greqi për pushime. Më pas, të njëjtat burime bëjnë të ditur se Astriti e ka dërguar vajzën me dokumente false në Norvegji. Këtu Silvana është pritur nga djali i Astritit, Nelgerti, i cili i ka kërkuar që ajo të punojë si prostitutë. Vajza nuk ka pranuar dhe për ta detyruar Astriti e ka marrë në telefon nga Shqipëria duke e kërcënuar me jetën e familjes së saj. Por akuzat për dy meshkujt e kësaj familjeje duket se rëndohen edhe më tej. Sipas prokurorisë, në tetor të 2005-s, babë e bir kanë trafikuar në Norvegji edhe një vajzë tjetër, nënë e një fëmije. Ajo ishte njohur në Greqi me Nelgertin dhe ky e kishte mashtruar se do të punonte në Norvegji kameriere me një rrogë të mirë, por atje e detyroi të punonte si prostitutë. Procedimi penal i Astritit dhe Nelgertit ka nisur në prill të vitit 2006, në bazë të një letër-porosie të ardhur nga autoritetet norvegjeze.
Alibeaj: “Propozova në KLD që vlerësimi i gjyqtarëve të jetë periodik”
Tiranë - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, si anëtar i KLD-së ka propozuar për futjen e një kompetence të re të KLD-së atë të vlerësimit periodik që duhet t’ju bëhet gjyqtarëve. Këtë nismë e bëri publike gjatë takimit me zëvendësministrin spanjoll dhe ambasadorin e Spanjës. Alibeaj u ka shpjeguar se Ministria e Drejtësisë që prej 5 vitesh prodhon një vjetar statistikor, i cili përcakton numrin e çështjeve për gjyqtarë dhe gjykata, llojin e çështjeve, cilësinë e gjykimit, kohëzgjatjen e gjykimit, llojet dhe masat e dënimit. Vjetari statistikor shoqërohet me analiza, si ato për rritjen e kriminalitet, dënimet në minimum, aplikimin jo uniform të ligjit. Duke u nisur nga këto përfundime ministri i Drejtësisë urdhëron kryerjen e inspektimeve. Çështje të reformës në Drejtësi në përgjithësi si dhe funksionimi i sistemit gjyqësor në veçanti ishin çështje që u diskutuan sot nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, zëvendësministri i Ministrisë Spanjolle të Drejtësisë, Agustin Azparen dhe ambasadorit të Spanjës, Manuel Montobbio. Ministri i Drejtësisë, Alibeaj, bëri një pasqyrë të punës që po bëhet nga ministria për disa ndryshime në ligjin kushtetues. “Reforma në Drejtësi duhet konceptuar si një reformë që prek të gjitha institucionet kushtuese, ndaj edhe është ngritur një grup pune me qëllim ndryshimin e disa ligjeve kushtetuese, siç është mandati i prokurorit të Përgjithshëm”, - tha ministri Alibeaj. Sipas këtij të fundit, dikasteri që ai drejton, paralelisht po punon edhe në disa aspekte të tjera të reformës. Ndryshime priten në fushën penale si në ligjin për Policinë Gjyqësore, ashtu edhe në atë për Interpolin. Një tjetër drejtim i punës në Ministrinë e Drejtësisë është edhe riformatimi i ligjeve mbi të cilat funksionojnë institucionet në varësi, si noteria dhe avokatia. Paralelisht po punohet edhe për ndryshimet në ligjin e administratës gjyqësore si dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
15 Prill 2008