E Diel, 1 Nëntor 2026

“Njerëz të humbur” në kërkim të 13-vjeçarit të humbur prej 1997-s



Ishte data 20 qershor 1997... rreth 20:30 e mbrëmjes, kur një 13-vjeçar nga Peqini, i quajtur Forcim, del nga shtëpia pa lajmëruar askënd. Pas pak minutash kthehet sërish në shtëpi dhe largohet për së dyti brenda pak sekondave. Ecejaket e tij të shpejta nuk i vuri re askush nga familja, pasi daljet e djalit në atë orë të natës ishin pjesë e rutinës së tij të përditshme. Orët po kalonin dhe kur akrepat po shënonin në heshtje 12 pas mesnate, prindërit e Forcimit filluan të shqetësoheshin për fëmijën e tyre. Errësira e natës nuk mundi t’u tregonte asgjë për djalin prindërve të gjorë, të cilën kaluan kudo ku kishte mbetur pak jetë nën qiellin e zi e që priste me lutje agimin e një mëngjesi të pasigurt për ta. Familja e Forcim Sulkjes vuan tashmë prej gati 11 vitesh mungesën e birit të tyre të dashur, të cilin ua mori nata nën emrin e një misteri të pathyeshëm. Një ditë më vonë, pas humbjes tragjike, babai i Forcimit arriti të marrë informacionin e parë për të birin. Pronari i një bilardoje pranë shtëpisë së tyre i kishte thënë se Forcimi kishte qenë në bilardon e tij rreth orës 21:00, një ditë para se të humbte. Djaloshi kishte lënë lojën përgjysmë duke i thënë pronarit të bilardos se duhet të largohej, pasi jashtë e priste një shok, ndonëse sipas pronarit në fjalë nuk kishte asnjë person jashtë. Askush nuk di se çfarë ka ndodhur me djalin pasi ka dalë nga shtëpia, askush nuk e di se cili ishte shoku i panjohur të cilin ai do të takonte një ditë më parë. Mendohet se një marrëveshje është bërë mes tyre, por nuk dihet “përse”-ja dhe çfarë lidhje mund të ketë pasur ky “takim misterioz” me humbjen e Forcimit. Nga familjarët e Forcimit është mësuar edhe një fakt tronditës. Pak ditë përpara 13-vjeçari i kishte thënë së ëmës se dëshironte të shkonte në Greqi të punonte si lypsar, por nuk ia kishte treguar se si donte të shkonte dhe kush do t’ia mundësonte këtë largim të tmerrshëm për moshën e tij. Tre muaj pas humbjes se Forcimit, prindërit e tij marrin një letër që i tronditi pa masë. Në të shkruhej: “Mos e kërkoni Forcimin! Atë e ka marrë djali i Bajram Kaptiut”. Letra anonime i alarmoi edhe me tepër prindërit, të cilët filluan të hidhnin dyshimet e para së fëmija i tyre ishte rrëmbyer nga dikush. Dyshimet dhe vuajtjet për prindërit e Forcimit vazhdojnë më tej kur ata marrin një tjetër lajm anonim, se djali i tyre ndodhej ne Milano dhe ishte shëndoshë e mirë. Këtë njoftim familja Sulja e mori në vitin 1998 nga një zotëri përmes telefonit. Ndonëse familja ka marrë dy lajme të rëndësishme për djalin tyre, ata nuk dinë asgjë për vendndodhjen ose ekzistencën e tij. Mendohet se 13-vjeçari është rrëmbyer për qëllime përfitime nga trafikant, ndonëse ende gjithçka mbetet në pikëpyetje. Gjatë trajtimit të këtij rasti të shtunën mbrëma në “Njerëz të humbur”, në Vizion Plus, mbërritën disa telefonata anonime, të cilat janë duke u verifikuar nga stafi i emisionit. Misteri “Suljka” pret të gjejë një zgjidhje në “Njerëz të humbur” javët që do të vijojnë, duke vënë para përgjegjësive të gjithë personat e implikuar në këtë histori. Kërkimet do të vazhdojnë...!

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›