E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëria shqiptare dhe “ekuacioni social”…



Gëzim TUSHI

Nuk ka dyshim që problemi i marrëdhënieve normale dhe demokratike të njeriut me shoqërinë, është një nga më kryesorët dhe tejet shqetësues për shoqërinë shqiptare. Në se do të jemi realistë, duhet të pranojmë se këto marrëdhënie vazhdojnë të mbeten një nga pikat delikate, kontradiktore dhe shqetësuese. Koha që jetojmë sjell argumente pa fund që vërtetojnë, se nuk është e lehtë në demokracinë tonë të re të sigurohen marrëdhënie normale, në kushtet kur të dy anët e këtij procesi, njeriu dhe shoqëria shqiptare, duhet të jenë të lidhura, të sinkronizuara, funksionuese, pa nevojën e “detyrimit nga lart”. Ndërtimi i një “ekuacioni” i tillë është i vështirë, në kushtet kur në të njëjtën kohë shoqëria është demokratike dhe individi tërësisht i lirë. Për këtë arsye shoqëria shqiptare në ditët tona, është duke përjetuar thellë pasojat evidente të mungesës së “sintonisë”, midis sjelljes shpesh jo adekuate të njeriut të veçantë, si individ i përveçëm dhe rregullave të përbashkëta të shoqërisë në tërësi. Ky është ndoshta një nga shqetësimet më të mëdha me të cilin përballemi kudo, në familje, në rrugë, në ambiente publike, në komunitet.
Në se do të vlerësonim se sa i rëndësishëm është në shoqërinë shqiptare nevoja e sinkronizimit organik, të natyrshëm të sjelljes individuale dhe rregullave sociale, do të pohonim se ajo është kuintesenca e “betejës edukative”, që duhet të zhvillojmë për të skalitur tiparet moderne të qytetërimit tonë, standardet e sjelljes individuale, modulet e komportimit social të njeriut me shoqërinë. Në se do të duhet të pranojmë dhe kuptojmë se çfarë duhet të synojmë imediatisht në këtë proces të ndërlikuar, duhet të themi pa frikë se, shoqëria shqiptare, strukturat sociale dhe njerëzit tanë, sidomos të rinjtë, duhet të mësohen të “unifikojnë” në qenien e tyre të lirë, qëllimet dhe dëshirat personale me rregullat sociale. Shpesh kemi perceptim të gabuar për këtë raport delikat. Është e vërtetë se një pjesë e njerëzve tanë kanë ndjerë me kohë “lirinë personale”, kanë perceptim fondamental psiko-social se jetojnë në një shoqëri moderne, të hapur, të lire. Por nuk është në të njëjtën nivel perceptimi dhe ndërgjegjësimi, ajo pjesë e ndërgjegjes dhe sjelljes, që njeriu të kuptojë se kjo pjesë e “ekuacionit personal” kërkon një sintoni të detyruar me “ekuacionin social”, që do të thotë harmoni organike midis jetës personale me rregullat e natyrshme të shoqërisë. Kjo “sintoni sociale” është thelbi i asaj që kërkohet në shoqërinë tonë të re. Kjo do të thotë se njerëzit tanë, strukturat edukative që merren me njeriun, familja, shkolla komuniteti, duhet të vlerësojnë me këtë optikë punën dhe efektivitetin e tyre, të lidhur me shkallën e realizimit të “sintonizimit” të domosdoshëm të sjelljes individuale dhe sociale. Në këtë kontekst, shoqërisë tonë i duhet së pari, të punojë për të sinkronizuar brenda qenies së njerëzve tanë, një raport të drejtë midis lirisë dhe përgjegjësisë, midis dëshirave dhe mundësive personale (sintonia e pare, e “qenies brenda vetes”), dhe nga ana tjetër, është po kaq i domosdoshëm sinkronizimi I sjelljes së njeriut të përveçëm, me rregullat sociale (sintonia e madhe ose sintonia e dytë).
Në se shoqëria jonë shfaqet sot me probleme dhe kontradikta midis këtyre “dy sintonive”, shkaku kryesor është se në strukturat socio-edukative bëhet punë e pamjaftueshme. Në këto institucione me natyrë specifike, ka një mungesë të ndikimit pozitiv, për të ndihmuar njeriun tonë në ndërtimin e mekanizmit që ndihmon në sinkronizimin e këtyre “dy sintonive”. Kjo situatë në të cilën gjendemi, na detyron që të përpiqemi si shoqëri të rregullojmë mekanizmat e institucioneve sociale, në të cilat gjendet njeriu (familje, shkollë, komunitet), për t’i rindërtuar ato, sipas standardeve të shoqërisë moderne. Sepse për shkak të konceptimit, interpretimit dhe implementimit të çekuilibruar të këtij raporti, shoqëria nuk është normale, nuk funksionon sinkron. Ajo shfaqet me probleme të disiplinës personale dhe sociale, sepse pa këtë “mekanizëm”, është i vështirë funksionimi i jetës, i marrëdhënieve sociale në shoqërinë shqiptare. Në kohën tonë shoqëria shqiptare ka nevojë që të gjejë një rrugë tjetër, “reformiste”, natyrore, antropologjike, për krijimin e kushteve të adoptimit social të njeriut, me lirinë e tij, dhe me shoqërinë dhe rregullat e saj, doemos. Pikërisht kjo gjë nuk po funksionon si duhet në mekanizmin e shoqërisë tonë momentalisht.
Padyshim, është i pakthyeshëm orientimi individualist i njerëzve tanë të cilët janë të vendosur, që pavarësisht nga luhatjet, zig zaket e sjelljes, devijancat, të punojnë me prioritet për zgjerimin gjithnjë e më shumë të hapësirës së “lirisë personale”, për të qenë sa më të pavarur nga “kondicionimi social”. Kjo prirje themelore e njerëzve tanë, duhet parë pozitivisht dhe duhet vlerësuar si esencë e njeriut, që e bën atë relativisht të pavarur nga rolet dhe determinimet sociale. Kjo është një nga idetë themelore të teorisë moderne sociologjike dhe edukative, sipas së cilës, tek njeriu si qenie janë të sintetizuara në një raport të caktuar, në radhë të parë “karakteret” me natyrë sociale. Por ka dhe një “karakter” tjetër, që konsiderohet tërësisht privat, që ka të bëjë me “fantazinë e hapësirave të pambushura” të njeriut. Këtu, pikërisht brenda kësaj hapësire njeriu është vetja, identikisht i barabartë dhe i pangjashëm me të tjerët. Këtë raport “dubël” të njeriut modern, këtë kontradiktë midis “roleve sociale” dhe “identitetit personal”, midis njeriut si “qenie në vetvete” dhe “determinimit shoqëror”, në kohën e vet filozofi i iluminizmit gjerman Immanuel Kant, e ka konsideruar si “antinomi të pazgjidhshme”. Edhe pas dy shekuj, raporti i njeriut me shoqërinë, i të drejtës së tij për të qenë i lirë duke qenë njëherësh qenie sociale, është problem i madh jo vetëm për sociologjinë dhe psikologjinë, por për të gjithë shkencat humane. Nuk është rastësi që në ditët tona problemi po rishfaqet në debatin filozofik dhe sociologjik, me të njëjtin intensitet të përmbajtjes, madje me të njëjtën terminologji dhe “ambalazh filozofik”. Kjo tregon se sa thelbësore është çështja e raportit të “njeriut sociologjik” me “njeriun e vërtetë”.
Problemi për shoqërinë tonë, është gjetja e ekuilibrit midis dy pamjeve të njeriut, si qenie e lirë por dhe e moralshme njëkohësisht. Ky është thelbi i debatit, këtu është konfuzioni teorik, sociologjik por dhe empirik. Idetë liberale që mbivlerësojnë forcën personale, guximin krijues dhe realizues të individit, janë ide që kanë sjellë optimizëm social, thyerje të tabuve të vjetra morale, këputjen me forcë të hallkave penguese të traditës, të konvencioneve të vjetra të moralit, familjes dhe shoqërisë së vjetër. Këto ide të shoqërisë liberale në terrenin tonë shoqëror, kanë sjellë në të njëjtën kohë, ndryshime pozitive, por dhe tronditje të fortë të konceptit të marrëdhënieve sociale të njeriut. “Çlirimi” i njeriut nga lidhjet e vjetra detyruese, është padyshim një proces i madh emancipues. Por ekzistenca e lirisë nuk mund të përfytyrohet pa lidhje sociale, të natyrshme. Në kushtet kur relacionet sociale në shoqërinë tonë po vijnë duke u reduktuar, nga prirja e pakthyeshme individualiste e modernitetit, kur lidhjet sociale po zbehen, duke e lënë njeriun në “boshllëk shpirtëror”, e vetmja mënyrë korrigjimi, është mbajtja në eficencë e formave të ndërmjetme të organizimeve qytetare, dhe strukturave të shoqërisë civile, në mënyrë që të mos mbërrimë në pikën kritike, në të cilën “ekzistenca personale” dhe “solidariteti shoqëror” i qytetarëve të mbetet “në fije të kashtës”...

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›