Certifikohen 35 punonjësit e parë të Burgut të Fushë-Krujës
Tiranë - Sot do të certifikohen 35 punonjësit e parë që do të punësohen në Burgun e Fushë-Krujës. Pas përzgjedhjes nga komisioni i ngritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë për punonjësit e rolit bazë në Burgun e ri të Fushë-Krujës, 35 personat e përzgjedhur i janë nënshtruar një kursi dyjavor, i organizuar nga Qendra e Trajnimit të Burgjeve. Ceremonia e shpërndarjes së certifikatave do të zhvillohet në ambientet e Burgut të ri të Fushë-Krujës. Pasi kanë kryer të gjitha procedurat përkatëse në lidhje me pozicionin e punës dhe kanë kaluar me sukses këtë fazë përgatitore si punonjës të rolit bazë, do të zhvillohet ceremonia e dhënies së certifikatave e cila “vulos” pranimin e tyre në stafin e burgut të ri të Fushë-Krujës.
Grupi hetimor, eksperiment për Gërdecin
Tiranë - Eksperimenti me lëndët plasëse është një tjetër procedurë që po ndiqet nga grupi hetimor për të hedhur dritë rreth shkaqeve të shpërthimit më 15 mars në fabrikën që demontonte municione luftarake në fshatin Gërdec, të Bashkisë së Vorës. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme bënë të ditur të hënën se ekspertët, ndër të tjera, po realizojnë një eksperiment (improvizim) me predhë për të parë mundësinë e shkëndijës në momentin e ndarjes së gëzhojës me djegoren. Burimet bënë të ditur gjithashtu se grupi hetimor po vijon edhe me këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që po shqyrtohen edhe dëshmitë e marra nga të mbijetuarit, punëtorë në Fabrikën e Gërdecit. Pas ngjarjes në Gërdec, grupi hetimor ngriti dyshime se shpërthimi mund të jetë shkaktuar si nga ndonjë gabim i mundshëm njerëzor, ashtu edhe nga eksplodimi i ndonjë predhe luftarake të vjetër. Dyshime u ngritën edhe për ndonjë akt të qëllimshëm.
15 Prill 2008