Dëshmitar i takimit të fundit
Julio CORTASAR
Kishte filluar ta lexonte romanin përpara disa ditësh. Porse shumë shpejt iu desh ta linte mënjanë për shkak të disa punëve të ngutshme, dhe e rihapi rishtas teksa po kthehej me tren për në fermë; po e linte veten të tërhiqej ngadalshëm prej ndërthurjes intriguese të librit dhe përshkrimit të personazheve të tij. Atë mbrëmje, në vend që t’i shkruante një pusullë avokatit dhe të diskutonte me kryekamerierin rreth një çështjeje të ngutshme, iu kthye librit në qetësinë e studios që shihte për nga parku i lisave. Si u rehatua në poltronën e tij të parapëlqyer me shpatulla nga dera, që mend po i cingriste nervat, si të paskësh qenë mishërim i skajshëm i ndonjë shqetësimi të mundshëm, përkëdheli për disa çaste me dorën e majtë kadifen e saj të gjelbërt dhe u zhyt në leximin e kaptinave të fundit.
Kujtesa i ruante pa kurrfarë vështirësie emrat dhe fytyrat e protagonistëve; përjetësia artistike thuajse e tërhoqi menjëherë. Nisi të shijonte një kënaqësi paksa perverse, duke përfytyruar veten të zhbëhej rresht më rresht e të shkapërderdhej mbi diçka që e rrethonte, duke ndier në të njëjtën kohë sikur koka përnjëmend po i prehej si jo më rehatshëm mbi kadifen e shpinores së poltronës, sikur cigaret ngarendnin t’i mbërthenin dorën e se si tej dritareve, nën degët e lisave, ajri i muzgut i bëhej sikur po hidhte valle.
Fjalë pas fjale, i thëthirë i tëri prej zhbërjes shurdhane të heronjve, i yshtur që ta linte veten të ngarendte drejt imazheve të mirëvendosura që po përftonin ngjyrim e lëvizshmëri, u gjend papritur dëshmitar i takimit të fundit te kaçubja në mal.
Në fillim po hynte gruaja, bishtpërdredhura; fill pas saj po ia behte jarani, me fytyrën e gjakosur nga bigat e një dege. Tjetra po i pastronte mrekullisht përmes puthjeve pllangat e gjakut, porse tjetri po ia mbrapshtkthente çdo ledhatim; nuk ia kishte behur aty për të përsëritur për të kushedi të satën herë ritualet e një zjarrmimi të fshehtë, që e mbronte si jo më mirë brenda një bote gjethurinash të stërthara e shtigjesh dredharake. Doreza po i zjarratisej teksa i mëshonte gjoksit, e pakëz më poshtë po ndiente regëtimat e lirisë së tij të robëruar.
Një dialog i akullimtë po përshkonte faqet e librit, si të qenkej një lukuni gjarpërinjsh, aq sa linte të nënkuptohej se tashmë gjithçka ishte vendosur njëherë e përgjithnjë.
Pas atyre ledhatimeve që fashonin lehtas trupin e jaranit, si të rrekeshin ta mbanin për gjithnjë dhe ta këndellnin të mos largohej, vizatohej turpshëm imazhi i trupit tjetër, që lipsej të asgjësohej domosdoshmërisht.
Asgjë s’ishte anashkaluar: alibitë, shanset, gabimet e mundshme. Duke filluar qysh prej atij çasti, çdo sekondë luante rolin që i ishte përcaktuar përsosmërisht e në mënyrë të detajuar. Shpalosja e këtij përshkrimi të dyfishtë u ndërpre vrulltazi pak përpara se njëra dorë nisi të ledhatojë faqen e tjetrit. Po mugej. Pa e parë aspak njëri-tjetrin në sy, të lidhur pazgjidhshmërisht pas punës që i priste për çdo ditë, u ndanë te dera e kaçubes. Asaj i duhej të ndiqte shtegun që të shpinte në veri.
Ndërkaq, nga shtegu i përkundërt, tjetri u kthye për një çast dhe e soditi teksa ngarendte me flokët që i dallgëzonin pas supeve.
Edhe ai nisi të ngarendte si i marrë, aqsa përnjëmend desh u përplas pas pemëve e shkurrishteve, derisa arriti të shquajë nëpër brymën mavi të perëndimit parkun, që të shpinte drejt shtëpisë.
Nuk besonte se qentë mund të kuisnin asaj ore. Dhe vërtet nuk kuisën. As nuk besonte që kryekamerieri të gjendej në shtëpi, dhe ashtu doli vërtet.
Trokiti tri herë në derë dhe hyri brenda. Megjithëse gjaku po i rrihte vrulltazi në vesh, arriti të dëgjonte fjalët e gruas: në fillim një sallë e kaltëreme, më pas një korridor dhe një shkallinë e terrët. Lart, dy dyer. Në apartamentin e parë s’kishte frymë njeriu. Po ashtu edhe në të dytin.
Një derë e sallonit dhe, veç kësaj, një dorezë në dorë, një dritësi e agullimtë që hynte prej dritareve, një shpinore e lartë e një kolltuku me kadife të gjelbërt dhe koka e një njeriu e mbështetur në të, teksa po lexonte një roman.
Përktheu Shpëtim Doda
28 Prill 2008