E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurrë nuk e gjeti lavdinë

(Dhe ne besojmë se ai nuk po e kërkonte)

A do të mjaftoheshim ne me ngushëllimin se letërsia është një lojë, që luhet përmes fjalëve dhe figurave të prejardhura, por për këtë nuk duhet të harrojmë, që te mjeshtrit, ndër të cilët renditet edhe Machen-i, kjo mënyrë e algjebrës apo shahut i përkon një ndjesie? Ka shkrimtarë (Poe bënte sikur ishte një prej tyre, por për fat nuk qe), të cilët kujtojnë se qëllimi i vetëm i të shkruarit është efekti i tekstit. Artur Machen-it i pëlqen ndonjëherë të na habisë me përralla të pabesueshme, por ne e ndjejmë që atë e ka inspiruar një ndjenjë e vërtetë. Zor se ai ka shkruar për të çuditur të tjerët; ai e bënte, sepse e shihte veten si banor të një bote të huaj. Të tre mashtruesit, të cilët i dhanë emrin veprës më të famshme të tij, gënjejnë, dhe ne e dimë që ata gënjejnë, por kjo nuk pengon që gënjeshtrat e tyre të vazhdojnë të na trondisin. Jeta e Arthur Machen-it rrodhi, siç do të mund të thoshim, pa u vënë re, kurrë nuk e gjeti lavdinë, dhe ne besojmë se ai nuk po e kërkonte.

Jorge Luis BORGES

Në të gjithë shtrirjen e letërsisë angleze, thuajse të parrokshmen me një vështrim, Machen-i është një poet i “vogël”.
Po e sqaroj menjëherë që këto dy fjalë nuk e zhvlerësojnë... E quajta “të vogël”, sepse unë poezinë “e vogël” e kuptoj si një nga llojet e letërsisë, dhe jo si gjini të nënvlerësuar të saj. Fusha e saj nuk është aq gjithëpërfshirëse, por kadenca është përherë më intime. Të flasësh për “poezinë e vogël”, është njësoj si të flasësh për poezinë dramatike ose epike. Kjo do të mund të thuhej për Paul Verlaine-in, që është ndër më të mirët poetë të Francës, dhe po ashtu është një poet “i vogël”, sepse nuk na ofron shumëplanshmëri si të Ronsard-it apo Hugo-it.
Megjithatë, mundësitë e përcaktimeve për Machen-in janë ndoshta më pak të rëndësishme sesa veçanti të caktuara, të cilat unë besoj se i shoh në veprën e tij. Njëra prej tyre është ekzistenca e së keqes, jo thjeshtë si mosprani e së mirës, por si një karakter ose bashkim karakteresh, që pa hequr dorë nga lufta kundër të mirës, mund ta mposhtin atë.
Në tregimet e Machen-it, fitorja e demonëve nuk kufizohet vetëm në prishjen morale të njerëzve të nënshtruar, por ajo mbërrin deri në kalbje dhe zvetënim. Kjo gri fizike qëndron në kontrast me shkurtësinë dhe rreptësinë e prozës, që kurrë nuk mund të jetë euforike si te Poe apo dhe nxënësi i tij, Lovecraft. Një veçanti tjetër është që Machen-i, ashtu si Kipling-u (të cilin s’e ka dashur kurrë), pa si rëndesë për Anglinë pllakosjen aty të shumë popullatave. Machen-i ishte nga Wales-i dhe lindi në Caerleon-on-Usk, por ai ka ngulur këmbë se ishte kelt që rridhte nga një kohë, e cila ishte para romakëve, para saksonëve (Sachsen), para peshkatarëve, që i dhanë ishullit emrin e tyre, para danezëve, para normanëve, para gjithë përzierjes së fiseve, që duhet të banonin ishullin. Nën këtë Palimpsest qindravjeçar prej fisesh fitimtare, do të mund të gjenim vagullt Machen-in si fitimtar dhe banor të lashtë, të shkërmoqur në tabanin e atdheut të tij, të mëkuar me dije të lashta magjie.

* * *
Parafytyrimin e tij historik ia bashkëngjiste në mënyrë paradoksale edhe një prejardhjeje ilegale: melodia natësore plot të fshehta, e cila trupëzon e përhap mëkatet. Prandaj ai ngulte këmbë në keltizmin e tij, që të mund të ndihej ashtu si dhe parandjenjat e tij të largëta, i vetëm dhe i ndëshkuar me humbje. Atij i pëlqente shumë të përsëriste vargun, që Taliesin-i ia kishte kushtuar të parëve të tij: “Përherë shkuan ndër beteja dhe ranë përherë.” Bota u bë e njohur së pari për Manichaer-ët e shekujve të parë të kohës sonë, dhe pikërisht si një sherr i përhershëm mes perandorisë së të mirës, elementi natyror i së cilës është drita, dhe perandorisë së të keqes, e cila i është nënshtruar errësirës. Po njësoj e përçuan mbrapsht historinë e botës edhe indianët Thug, si luftë të përhershme midis krijimit e shkatërrimit, dhe iu shpjeguan brezave të rinj se i pari i tyre ishte trupëzuar në perëndeshën Kali, e njohur edhe si nëna e zezë, emrat e tjerë të së cilës ishin Durga e Parvati. Thug-ët i shoqëronin udhëtarët për t’i mbrojtur ata nga Thug-ët, dhe sapo ngeleshin vetëm me ta, i mbytnin për fyti, sipas riteve, me një litar mëndafshi. Edhe e keqja ka martirët e saj: në shekullin XIX autoritetet britanike varën një Thug, që mbante në ndërgjegjen e tij më shumë se nëntëqind të vrarë dhe i cili e priti me shumë gjakftohtësi ekzekutimin. Tregimet e Arthur Machen-it e çojnë më tej ndoshta shpjegimin e vjetër të së keqes, e cili padyshim motivoi edhe shkruesin anonim të librit Hiob.

* * *
Është e çuditshme se si Philip van Doren Stern-i, në studimin e tij mbi Machen-in, ka lënë mënjanë emrin e Robert Louis Stevenson-it, i cili sipas vetë Machen-it, ka ndikuar i pari në krijimtarinë e tij dhe e ka nxitur për veprën The Three Impostors.
E lindur shumë më herët se letërsia realiste, letërsia fantastike i vendos kërkesa të larta lexuesit, sepse ai nuk duhet të harrojë që rrëfimi i fabulës është sajesë, por jo e vërteta simbolike që qëndron në themel të saj.
A do të mjaftoheshim ne me ngushëllimin se letërsia është një lojë, që luhet përmes fjalëve dhe figurave të prejardhura, por për këtë nuk duhet të harrojmë, që te mjeshtrit, ndër të cilët renditet edhe Machen-i, kjo mënyrë e algjebrës apo shahut i përkon një ndjesie? Ka shkrimtarë (Poe bënte sikur ishte një prej tyre, por për fat nuk qe), të cilët kujtojnë se qëllimi i vetëm i të shkruarit është efekti i tekstit. Artur Machen-it i pëlqen ndonjëherë të na habisë me përralla të pabesueshme, por ne e ndjejmë që atë e ka inspiruar një ndjenjë e vërtetë. Zor se ai ka shkruar për të çuditur të tjerët; ai e bënte, sepse e shihte veten si banor të një bote të huaj. Të tre mashtruesit, të cilët i dhanë emrin veprës më të famshme të tij, gënjejnë, dhe ne e dimë që ata gënjejnë, por kjo nuk pengon, që gënjeshtrat e tyre të vazhdojnë të na trondisin.
Jeta e Arthur Machen-it rrodhi, siç do të mund të thoshim, pa u vënë re, kurrë nuk e gjeti lavdinë, dhe ne besojmë se ai nuk po e kërkonte. Ai ishte i arsimuar në shumë fusha, një pjesë të mirë të ditës e kalonte në Muzeun Britanik, ku kërkonte vazhdimisht librat “e errët” dhe, përmes leximit të tyre, “i jepej një vesi të pandëshkueshëm” (shprehja vjen nga Valery Larbaud), duke u ndier edhe më i vetmuar. Ai përktheu në anglisht veprën voluminoze të Rabelais-së, jo në mënyrën e tepruar të Urquhart-it, por për të dëshmuar se ky libër i mrekullueshëm përmban ekuilibrin mes të fshehtës e të mençurës. Në përmbledhjen e biografisë së tij me titullin The London Adventure, ai tregon sipas kujtesës historinë e mrekullueshme të Henry James-it. The Figure in the Carpet, përmbledhja e shkurtuar bërë nga Machen-i, e zhveshur nga tiparet melodramatike, është më mbresëlënëse sesa origjinali i lodhshëm.
Nga tregimet e përzgjedhura në përmbledhjen e tij, rrjedhin të tri veprat e Machen-it, edhe The three Impostors. Historia e këtij titulli është e çuditshme: rreth fundit të mesjetës flitej për një libër të rrezikshëm, De tribus impostribus, që duhet të kujtonte se njerëzimi ishte gënjyer nga tre mashtrues të përmendur: Moisiu, Krishti dhe Muhamedi. Leximi i këtij libri, të cilin kurrë nuk e mori kush ndër duar, u dënua ashpër nga Kuvende të ndryshme, çka pati një efekt të madh në lirinë e të menduarit. Machen-i e përdori titullin për librin e tij fantastik. Leitmotiv janë viktimat e flijuara nga shthurja morale e shpirtit dhe trupit të tre demoniakëve të pushtetshëm. Lexuesi nuk e ka të lehtë t’i harrojë këto makthe të përshkruara bukur, të cilat mund të jenë trupëzuar netëve të tij me pak fantazi dhe ndjellakeqësi.

28 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›