E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me tenderat e rrugëve, Prokuroria: “Përfitimi 150 mijë dollarë”



Zbardhet shuma e parave që mendohet se është përvetësuar nga ish-zyrtarët

Çështje në proces gjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë

TIRANË - Zbardhet shuma e parave që mendohet se është përvetësuar nga abuzimet me tenderat e rrugëve, të cilat u bënë për disa muaj me radhë objekt hetimi për Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Burime zyrtare nga kjo prokurori bënë të ditura dje për gazetën “Albania” se nga abuzimet me këto tendera mendohet se është përfituar një shumë që llogaritet në vlerën e 150 mijë dollarëve.
Akuza
Të pandehur në procesin e hapur për afera të paligjshme me tenderat e rrugëve janë disa ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Transporteve. Kjo çështje është në proces gjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, ku prokuroria ka paraqitur konkluzionet përfundimtare të hetimit për shtatë të pandehurit e saj, duke kërkuar shpalljen fajtorë dhe dënimin e tyre me 19.5 vjet burg dhe 9.2 milionë lekë gjobë gjithsej, për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Kështu, prokuroria ka kërkuar 3 vjet burg e 2 milionë lekë gjobë për Nikolin Jakën, ish-zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit; 21 muaj burg dhe 420 mijë lekë gjobë për Bashkim Kamberin, ish-shefi i Sektorit Juridik dhe Prokurimeve; 2.6 vjet burg dhe 600 mijë lekë gjobë për Arjan Shetin, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike; 6 vjet burg dhe 4 milionë lekë gjobë për Ilirjan Berzanin, ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe 2 vjet burg për Xhevahir Muçogllavën, ish-drejtor i Drejtorisë së Programimit dhe Koordinimit dhe kryetar i komisionit të vlerësimit të ofertave në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve.
Dënimi
Po ashtu, prokuroria kërkoi dënimin e biznesmenëve Skënder Bokçiu e Isuf Ukperaj, me nga 2 vjet burg dhe 1 milionë lekë gjobë. Sipas të dhënave të dosjes, këta persona akuzohen se kanë favorizuar shoqëri të ndryshme në prokurimet publike. Të pandehurit e këtij procesi u arrestuan në shtator të vitit të kaluar, në kuadër të operacionit të koduar “Duart e pastra”, i organizuar nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Vidhnin lokale dhe shtëpi, ndalohen minorenët

Tiranë - Specialistët e seksionit të Luftës Kundër Vjedhjeve të Tjera kanë realizuar kapjen në flagrancë të 10 shtetasve, si të implikuar në vjedhjen e disa banesave, të realizuara prej tyre në periudha kohore dhe vende të ndryshme. Sipas burimeve, u vunë në pranga pasi kanë tentuar të vjedhin lokalin në pronësi të një shtetasi në Babrru dy minorenët B. B., 12 vjeç, dhe Xh. Ç., 12 vjeç, banues në Babrru. Sipas burimeve dyshohet se më datë 20 mars 2008, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë tentuar të vjedhin një lokal. U kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 134, 22 dhe 25 të Kodit Penal. U realizua dje arrestimi i minorenëve E. S., Z. V., i dënuar për vjedhje, G. Gj., 16 vjeç, lindur në Bulqizë dhe banues në Babrru. Të lartpërmendurit dyshohen se janë autorë të vjedhjes së banesës së një shtetasi, ndodhur në muajin nëntor 2007, ku kanë marrë një televizor. Materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes”, në bashkëpunim. Po kështu, u realizua arrestimi në flagrancë i F. S., E. S., pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në rrugën “Artan Lenja”, mbrapa pallatit të sportit “Asllan Rusi”, kanë vjedhur një sasi materialesh alumini në banesën e shtetases Selime Biko Malo, e vitlindjes 1912. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 134 dhe 25 të Kodit Penal.

Pranga grabitësve të makinave të luksit

Tiranë - Seksioni Kundër Vjedhjeve të Automjeteve filloi hetimin pas kallëzimit të deponuar nga një shtetas, i cili deklaron se i kanë vjedhur automjetin tip “Land Rover”, foristradë, në afërsi të kompleksit “Tajvani”. U bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të prokurorisë ndaj shtetasve: Nertil Fero, 25 vjeç dhe Arjan Palla, 18 vjeç, lindur dhe banues në Korçë. Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se janë autorë të dyshuar për ngjarjen e mësipërme. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim.

28 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›