Të puthurat
Rafael ALBERTI
Sidomos nëpër Mesdhe, që nga antikiteti më i largët helenik, këndojnë, tringëllojnë, kërcasin butë, apo pëlcasin të përndezura nga gazi, të puthurat. “Atje ku përshkumet deti siçilian” - Gongora - përgjatë udhëve Akis e Galateas, ende dëgjohen tek bien dënesat dhe mallkimet buçimtare të xhelozisë së harbuar të Polifemit, cikllopit gjigand me një sy, të dashuruar me nimfën e re, Galatean, që përvëlohet nga dashuria pas perdeve të zeza të një thurime të dendur urthi. Nëpër fushat dhe malet e ishujve të tjerë dëgjohet, po ashtu, një pëshpërimë delikate buzësh, ndërsa ajri i mbushur me flautin e Panit fishkëllen mes kallamave dhe dy barinj të rinj, Dafnea dhe Cloe puthen e s’duan t’ia dinë për bagëtinë që kullot. Trupat e tyre të pafajshëm janë lakuriq, nën të puthurën tharëse të diellit, - Garcilaso - që rri në mes të kupës qiellore. Nga të gjitha rërat e arta të plazheve dhe blerimi i fshehtë i pyjeve, kërcejnë, të buta dhe pasionante të puthurat që venë e kyçen në metrikën e vargjeve safiko - adonike në jambet, gjashtërrokshat, e më pas i artisin jehonat e tyre në ngurtësinë e njëmbëdhjetërrokshave dhe valëzojnë në sonetet, tercinat, dhe vargjet e bardha të poezisë së Rilindjes. (Mes tercinave të Komedisë Hyjnore ndihet me pikëllim të thellë, e puthura që Dante Aligheri nuk mund t’ia jepte kurrë të dashurës së tij lavdiplotë, Beatrice Potinari-t).
Bashkë me të puthurat e lehta, ato që mezi këllcasin në ajër, më dalin përpara të puthurat grafike, të pikturuarat, të gdhendurat, të puthurat e derdhura në skulpturë, ato që vizatova sa e sa herë, duke kopjuar në fillim grekët dhe romakët në pallatin e Filipit IV, në kopshtin e Buen Retiro-s, më pas në muzeun El Prado dhe më vonë duke ndjekur stampat franceze të shekullit 18 dhe ato romantike të shekullit 19, që të arrija deri te skluptura e të dashurit të Rodin-it, të kapërceja te surealistët dhe të përfundoja me të puthurat mëkatare dhe të tmerrshme të viteve të fundit të Picasso-s.
Por më parë, pas të puthurave ovidiane, të puthurave safike, të puthurave qiellore dhe të ëmbla greko-latine, më duhet të shpall të puthurat e ndaluara nga inkuizicioni, të puthurat që digjen në Ferr, të puthurat regëtuese që digjen në San Juan de la Cruz, të puthurat që e plasën Fray Luis de Leon-in në errësirat e një qelie të Salamanka-s.
Befas, më vjen tani në mendje papritur ai muzg i vitit 1936 - ishim në një fushatë ndihme për punëtorët e braktisur të Cuenca-s: “Miting i madh komunist në oborrin e xha Tocane-s”, briste tellalli i vendit dhe ne lamë mes dy dritave fjalën tonë në një mbledhje mbresëlënëse barinjsh, mushkaxhinjsh dhe fshatarësh që vinin nga shtigjet e pafundme e të shpopulluara, kur befas në rrugë e sipër, më ndriçoi kujtesën një rreze ylli: Belmonte, ai fshat që po e lija pas pothuaj pa i hedhur sytë, ishte fshati ku kish lindur dhe ishte përkundur nën tingullin e pishave dhe erës, një poet, një poet i rrëmbyer, i flaktë, i guximshëm, i njohur në botë, i cili që në moshë të re qe futur në urdhërin e Shën Agustinit e që mbante një emër harmonioz, Fray Luis de Leon.
Dhe që atëherë, asgjë më, asnjë gjurmë nga vizita ime, asnjë kujtim në kaq shumë kohë, sepse Madridi që më priste, do të tronditej nga ngjarjet ushtarake të 18 korrikut. Pas dy viteve të gjata lufte, jeta e re e pasigurtë, 24 vjetët e mërgimit në Argjentinë, dhe më tepër se 16 vjetët në Itali, më shpunë në mos në harresën e plotë, në përgjumjen e tërë këtyre mrekullive të jetuara vetëtimthi që u shfaqën marramendthi, pa lënë prehje për t’u kujtuar.
Dua të them se tani, - diçka e padëgjuar dhe misterioze, - që jam ulur dhe po shkruaj këto faqe mbi të puthurat, nuk po kujtohesha se e njihja, se kisha qenë, se kisha marrë frymë një natë në Belmonte, në fshatin e fjetur të Fray Luis-it, mes po atyre gurëve, po atyre pemëve, po atyre barinjve dhe fshatarëve, po atyre njerëzve fisnikë e të thjeshtë që ai do të takonte nëpër udhët dhe fushat e fëmijërisë së tij.
Po përse vallë më vjen tani Fray Luis-i mes brezareve të të puthurave të para e të thjeshta, të përkundura nga valët mesdhetare, larg çdo mëkati, çdo faji, siç qenë për poetin kur përktheu nga latinishtja biblike në kasteliançe poemën supreme të dashurisë së mbretit Salomon për Sulamitën, Këngën e këngëve? Poeti agustin arriti t’ua përplaste gjykatësve të tij të tmerrshëm e të errët: “Nuk gjeta fjalë të tjera për të përkthyer në kasteliançe oscula, ubera amica mea, fermosa mea, përveç fjalëve puthje, gjinj, e dashura ime dhe motra ime, sepse s’di tjetër gjuhë veç asaj që më mësoi dadua ime. Ndërsa për Spanjën, fillon që këtej e tutje era e të puthurave të fëlliqta, të dënueshme dhe e grave të lakuriqta për piktorët; nata e tmerrshme nis e zbardhet pak kur Don Francisco de Goya pikturon krejt lakuriq dukeshën e bukur.
Por të puthurat - bletë dashurie të shpikura nga Erosi - e gjejnë shtegun, së fundi, në tërë letërsinë, në gjithë artin, duke zbukuruar, duke shpuar dhe plagosur me shtizë të papërmbajtur në çdo lojë dashurie deri sa humbasin përmasat dhe të fshehtën e tyre të mrekullueshme në puthjet e tmerrshme, grandioze dhe mostruoze që krijoi Pablo Picasso-ja në vitet e fundit të tij dhe që i vendosi, duke skandalizuar shumë njerëz, në faqet e mureve të pallatit të papëve në Avignon të Francës.
Dhe një mëngjes, pa pritur dhe pa kujtuar, që nga lartësitë e Mougins-it, në Francë, ia behën të puthurat pikasiane; rojat e 13 kullave të kështjellës papale ia dhanë alarmit me ulërimë…
Të puthurat, të puthurat, po vijnë të puuuthurat…!
Ato bënin përpara duke u shtuar, duke u fryrë dhe shtrirë derisa mbushën hapësirat më të mëdha të kështjellës avinjonase. Po ç’është kjo përplasje e tmerrshme dhe e ankthshme e dy gojëve që ndërfuten dhe thithen, e dy profileve që përzihen, e dy masave të ndezura e të deformuara që bëhen një duke krijuar hera-herë një copëz të diçkaje elementare, një amalgam primitiv dhe të egër? Ka shpërthyer harbimi, furia, përçartja.
Në errësirë ulërin, duke u bërë copë e çikë pas mureve, llahtari kërcitës i të puthurave. Gjakosen buzët e mbërthyera në grykë. Gjuhët zgjaten, fryhen e dalin jashtë masës së gojës. Sytë vërtiten mbrapsh. Rrëshqasin deri te veshët. Ose ngjiten deri në mes të ballit. Shpejt bëhen një sy i vetëm që vështron me dy bebëza. Një grahmë e dhembshme dhe e zgjatur na vjen nga koha më e largët. Janë rinocerontët që puthen. Plasariten xhamat, çahen muret. Trualli troshitet nga një lëkundje tërmeti. Janë të puthurat shpuese.
Të puthurat gozhda.
Të puthurat vidha.
Të puthurat darë.
Të puthurat bisturi.
Si thithëse. Si flegëra.
Si shushunja të tmerrshme.
Gllabëruese.
Tringëlluese.
Shurdhuese.
Rraskapitëse.
Në hekë.
Në agoni.
Ringjallëse.
Janë të puthurat antike.
Të puthurat e shogëta.
Të puthurat me jargët e shekujve.
Dhe shihet një plak, me kokën e qëruar përpjetë, tek mban kokën e gruas dhe i lëshon një gjuhë kau mes buzëve të hapura, si ato të një maske të qëmotshme. Një dorë molusku shfaqet mes qafës dhe kokës së saj, që ngre lart një gji të madh si një qeskë të fryrë, ndërsa nga faqja i rrëshqet njëri sy që vështrohet nga tjetri i cili është horizontal pas murit ndarës të hundës. Bebëzat e thella e të trishtuara të burrit kokëqëruar e me vetulla të trasha e të kreshpëruara, shohin ngulmazi njërën prej tyre që ndodhet në qendër të një syri trikëndor.
Të puthurat, të puthurat, të puthurat! Shkojnë e vijnë duke i gjëmuar alarmit rojat e 13 kullave të kështjellës: kulla e engjëjve, e kambanave, e këshillit…
Sodisim burrin tjetër me kapelë, që puth një grua, e cila e var profilin e saj mbi një dorë, ndërsa me tjetrën mban një sisë lope, dhe e çon lart globin e thithit të saj me një gisht të fryrë. Duke e prerë skenën në pjesën e poshtme, harku i barkut të gruas i kurorëzuar nga kërthiza, shënohet nga tri vija që japin fillesën e seksit. Ngjan se është e vetmja e puthur që nuk rrëfen bashkimin e gojëve, duke u bërë kështu më e heshtur.
“Pikturimi apo vizatimi i dashurisë, siç e bën sot greko-latino-malagasi Pablo Picasso, është krejt e kundërta e pornografisë”, mund t’i përgjigjeshim mikut tonë të madh, që tani s’është më, Roland Penro-sës, i cili ka thënë se Pablo Picasso-ja, me këtë krijim të madh e të ri të të puthurave, ishte kthyer në një pornograf. Me 89 vite në shpinë, Pikasso-ja ishte shëndeti, blerimi dhe pranvera, shenja e pavdekshmërisë. Picasso-ja përuronte erën liberale të të puthurës që i takonte dashurisë shtazore, më tepër se njerëzore, të të puthurave gjëmimtare dhe shpërthyese të erës së re atomike, larg të puthurave delikate dhe të pafaja të Dafnes dhe Cloe-s, më pranë të puthurave vullkanike që Polifemi, cikllopi i madh sicilian, do të kish zhytur në trupin e bardhë detar të të dashurës së tij bukëshkalë, Galateas “më të ëmbël se karafilat që theu agimi”.
Përktheu Mira Meksi
28 Prill 2008