Dëshmitarët: Autori e pyeti Sokolin për emrin
Para vrasjes
Orikum, pasi u plagos, viktima e gënjeu për identitetin, por e tradhtuan dokumentet

Viktima Sokol Veizi
Policia e Vlorës pohon se hetimet rreth vrasjes së 45-vjeçarit, Sokol Veizi, do të përqendrohen në aktivitetin e tij, duke mos përjashtuar precedentët e viktimës në vitin 97, si dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Ndërkohë, dy banorë të qytezës së Orikumit, të cilët janë ndodhur shumë pranë vendit të ngjarjes, kanë treguar momentin e ekzekutimit. Sipas tyre, viktima po rrinte në ambientet e jashtme të lokalit ku ndodhi ngjarje, duke konsumuar një pije, kur pranë tavolinës së tij është afruar një person me kokore në kokë. Na la përshtypje dhe ndaluam hapat për të parë se çfarë po ndodhte mes tyre, dëgjuam që personi me kokore në kokë i tha se po e gënjente për emrin e tij. Me sa kuptohej, e kishte pyetur për emrin, por viktima i kishte deklaruar emër tjetër. Në debate e sipër, autori nxjerr pistoletën dhe e qëllon me një plumb në njërën këmbë dhe më pas largohet duke i thënë të mos tregonte çfarë i kishte ndodhur, duke i kërkuar ndjesë për çka ndodhi. Pas largimit për disa metra i futur në errësirë autori rikthehet përsëri te viktima, të cilit i kërkoi dokumentet e identitetit dhe duke e tërhequr për krahu drejt makinës së tij, mbasi shikon disa dokumente, viktima tentoi të fuste trupin në makinë, autori e kap prej krahu dhe e qëllon me një plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Hetimet
Sipas policisë, autori i krimit më pas largohet në errësirë ku dhe kishte lënë motorin. Një prej burimeve të policisë deklaron se autori nuk ishte i sigurt nëse ishte personi që kërkonte apo dikush tjetër dhe se nuk e ka njohur më parë Veizin. Në kohën që e ka qëlluar një herë në këmbë, me një plumb, Veizi i ka deklaruar emër tjetër, si pasojë e rrezikut që ndjeu. Autori për momentin e ka besuar dhe i ka kërkuar falje për çka ndodhi, por i ka thënë të mos tregojë se çfarë i kishte ndodhur. Autori mund të ketë qenë i shoqëruar me një person tjetër, i cili rrinte në errësirë, dhe që mund të njihte mirë Veizin. Ai mund ti ketë treguar autorit se ai ishte objektivi dhe se e ka gënjyer për emrin. Autori është rikthyer sërish te Veizi dhe për siguri i ka kërkuar dokument, duke e tërhequr te makina e tij. Pasi ka parë disa dokumente, ka debatuar me viktimën dhe e ka qëlluar përsëri me një plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme thanë burimet policore. Sipas tyre, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi, në errësirë. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka mundur vetëm të dërgojë në morgun e spitalit viktimën. Në vendngjarje janë gjetur dy gëzhojat, si dhe një palë dorashka të cilat mendohet të jenë të autorit të krimit, i cili mund ti ketë hequr kur ka parë dokumentet e identifikimit të viktimës.
Precedentët e viktimës
Burime nga policia e Vlorës pohojnë për gazetën Shqip se vrasja e 45-vjeçarit Sokol Veizi ka ardhur si pasojë e aktivitetit të këtij të fundit. Veizi njihej në Orikum si person me precedentë penalë dhe shpeshherë ka qenë problematik jo vetëm për banorët e Orikumit, por dhe për policinë. Këto burime theksojnë e Veizi ka qenë person me precedentë penalë, ku në listat e policisë së Vlorës ai ka pasur 16 raste, për të cilët ai ka kryer dhe ndalime dhe arrestime. 16 rastet bënin fjalë për armëmbajtje pa leje, kundërshtim me forcë të punonjësit të policisë, grabitje, tentative vrasjeje, si dhe trafikim të lëndëve narkotike. Gjithashtu, policia e Vlorës sqaron se 45-vjeçari ka qenë person shumë i rrezikshëm në vitin e mbrapshtë 97, ku shpeshherë ka qëlluar me armë dhe ka plagosur kundërshtarët e tij, ose pa asnjë shkak.
Dëshmitarët: Autori e pyeti Sokolin për emrin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip