E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmitarët e Bandës së Lushnjës protestë para gjykatës: Shteti na la në rrugë

TIRANE- Arben Kicja, dëshmitari i mbrojtur nga drejtësia në procesin ndaj Aldo Bares ka mbërritur sot pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda bashkë me 6 pjestarë të familjes së tij duke protestuar ashpër ndaj Prokurorisë. Kicja pretendon se sapo ka dhënë dëshminë ndaj kapos së bandës së Lushnjes, Prokuroria e ka hedhur në mes të rrugës pa mbrojtje. Ai deklaroi se ka qëndruar për 4 vite jashtë Shqipërisë duke qenë se dinte krimet e Aldo Bares, por së fundmi prokuroria nuk ka zbatuar kontratën duke mos i dhënë më mbrojtje.
Arben Kicja dëshmoi vetëm një javë më parë ndaj Bares duke i drejtuar gishtin si autor në disa vrasje në qytetin e Lushnjës. Dëshminë ai e dha përmes videokonferencës me argumentin se i rrezikohej jeta, ndërkohë që sot është braktisur bashkë me familjen.
Po sot në procesin ndaj të akuzuarit si kapo i bandës famëkeqe ka dëshmuar Mimoza Demiri, një tjetër dëshmitare e mbrojtur e cila ia ka drejtuar gishtin Bares, si vrasës i bashkëshortit të saj në vitin 1998. Demiri ka dëshmuar përmes videokonferencës në seancën që zgjati më shumë se 2 orë.
Më herët avokati i Bares akuzoi gjykatën se ka mbajtur 2 standarde në procese ku më parë ka pranuar gjykimin e shkurtuar ndaj Enver Dondollakut në një kohë që ndaj Aldo Bares ka mbajtur qëndrim të ndryshëm duke e rrëzuar këtë kërkesë.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›