E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdanovic: Jo ndarjes së Kosovës, po kthimit nën Serbi

PRISHTINE- Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, tha sot në Mitrovicë se për Beogradin, statusi i Kosovës është i pazgjidhur, si dhe mbështeti nisjen e bisedimeve jo për çështje pragmatike në interes të të dyja shteteve, siç kanë paralajmëruar diplomatët perëndimorë, por për statusin e Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm se problemet, me të cilat ballafaqohemi, nuk mund t’i zgjidhim vetë dhe se duhet të bisedojmë me shqiptarët. Por, ne konsiderojmë se statusi i Kosovës nuk është i zgjidhur ende, sepse gjendja është e tillë që dikush i ka fituar të gjitha, kurse ne serbët nuk kemi fituar asgjë”, tha Bogdanovic.

Ndërkohë, Bogdanovic tha se Beogradi nuk po angazhohet për ndarjen e Kosovës, por për kthimin e plotë të saj në kufijtë e Serbisë.
“Rrëfimet që dëgjohen nga diplomatët e caktuar ndërkombëtarë në Prishtinë, se Beogradi po bën çmos për ndarjen e Kosovës, janë absolutisht të pavërteta, sepse Kosova është pjesë territoriale e Serbisë”, tha Bogdanovic.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›