Dëshmitari, Delagati Apostolik Leone Nigris
Pas largimit të Della Pietres si diplomat nga Shqipëria, në prill të vitit 1936, në Selinë diplomatike erdhi Imzot Ildebrando Antoniuti, i cili veproi nga viti 1936-1938. Antoniuti edhe pse në Shqipëri veproi për një kohë të shkurtër, ai njihej si prelat energjik, i destinuar për një karrierë të shkëlqyer diplomatike. Pas tij si diplomat i Selisë së Shenjtë, në vjeshtë 1938, erdhi Imzot Leone Nigris si i fundit dhe ndenji deri në 11 tetor të vitit 1945. Nigris, njeri aktiv dhe këmbëngulës kanonik i katedrales së Udines, ishte doktor i së drejtës kanonike. Nigris, në Jug të Shqipërisë vepronte në cilësinë e ordinarijatit, duke themeluar disa famulli dhe shumë qendra misionaresh.
Në fillim të 1939 Nigris, bëri Selisë së Shenjtë propozimin për transferimin e Selisë Apostolike nga Shkodra në Tiranë, për arsye se situata do ta kishte bërë më të volitshme praninë e Delegatit Apostolik në kryeqytet, si qendër se sa në Shkodër, që ishte në skaj të Shqipërisë. Ndërkohë që po zhvilloheshin bisedime rreth kësaj çështje, ndodhi që natën e 18 dhjetorit 1943, të digjet Selia Apostolike në Shkodër. Për shkak të përkeqësimit ngjarjeve luftarake, transferimi i Selisë kishte mbetur pezull.
Për situatën politike shprehët se, “gjatë pushtimit italian vizitova katër Kampe të burgosurish grekë dhe jugosllavë; gjatë pushtimit gjerman u interesova për të burgosurit dhe për qytetarët italianë. Si në regjimin italian, ashtu dhe gjatë pushtimit gjerman, iu bëra mbrojtës Hebrenjve”.
Në mbyllje të relacioneve të tij, Leone Nigris thotë: “Kështu u mbyll në mënyrë drastike një periudhë prej gjashtë vitesh e gjysmë, mjaft e gjallë me pasimin e katër regjimeve të kundërt mes tyre: 3 luftëra, 2 pushtime ushtarake, luftë civile, një seri Qeverish antagoniste, kryesisht me bazë ambicionesh personale, një vazhdimësi e “tour de force” për të ruajtur ekuilibrin dhe për të mos kompromentuar, Përfaqësinë e Selisë së Shenjtë, pa numëruar aventurat e shumta të rrezikshme personale”.