Zbulohet dokumenti për çlirimin në arkivat e Vatikanit
Alma Mile
Gjermani i fundit është larguar në 29 nëntor. Kështu dëshmon i Deleguari Apostolik i Vatikanit në Shqipëri në një raport që zbardhet për të parën herë.
Festa e çlirimit i gjeti sërish të ndarë shqiptarët. Të djathtët e festuan qysh dje, ndërsa të majtët pritet të festojnë sot. Nuk bien dakord “palët” jo për vlerën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi atë të paktë janë ata që nuk e vlerësojnë, por për datën e çlirimit. Në 28 nëntor, apo 29 nëntor. Të ndarë janë edhe vetë historianët, të cilët sjellin argumentet e tyre për të provuar që Shqipëria është çliruar në njërën, apo në tjetrën datë. Madje në shumicën e herëve ofrohen të njëjtat dokumente nga të dyja palët, por të lexuara dhe interpretuara në mënyra të ndryshme. Kjo ndarje e historianëve reflektohet edhe në librat studimorë dhe tekstet shkollore. Në kohën e “skandalit” të Historisë së Popullit Shqiptar, për klasën e 12, gjatë krahasimit të disa teksteve pamë se nxënësve u ofrohen jo dy variante, por tre. Sepse mes test shkruesve ka edhe nga ata që abstenojnë dhe e lënë pa përgjigje çështjen e çlirimit, duke e mbyllur me një “ende ka debate”, duke i lënë nxënësit shqiptarë me pikëpyetje në kokë dhe të paqartë se kur është çliruar vendi i tyre. Në këtë valë debatesh na vjen për herë të parë një dokument, që hedh dritë mbi këtë çështje. Ai që ka shkruar tekstin nuk është as i djathtë e as i majtë, nuk është as veteran, as ballist, as gjerman. Ai është një njeri i Zotit. Madje nuk është as shqiptar, por italian, kështu që nuk ka gjasa të mendojmë se është manipuluar nga ndokush. Dokumenti mban datën 1 janar 1945 dhe është firmosur nga i dërguari i Vatikanit në Shqipëri, Leone G. B. Nigris, selia e të cilit ishte në Shkodër. Bëhet fjalë për një raport të plotë që delegati apostolik Nigris i dërgonte Vatikanit mbi gjithë periudhën e qëndrimit të tij në Shqipëri, nga viti 1938 deri në 1944. Ky dokument është siguruar në arkivat e Vatikanit. Për autenticitetin e tij dëshmon edhe dr. Dom Nikë Ukgjini, i cili gjithashtu është në dijeni për ekzistencën e një materiali të tillë, të cilin e ka hasur gjatë kërkimeve të tij studimore. Nigris është një dëshmitar okular i gjithë ngjarjeve që kanë ndodhur aso kohe në Shqipëri. Me shumë vlerë është dëshmia për çlirimin e Shkodrës. Përfaqësuesi i Vatikanit bën një ekspoze të situatës, si dolën gjermanët nga Shkodra, si hynë forcat partizane dhe si u festua dita e çlirimit. Sipas Nigris, forcat gjermane janë larguar nga Shkodra në mëngjesin e datës 29 nëntor. “Për fat kontingjenti i fundit gjerman u largua në orën 4 të datës 29, kështu që partizanët mund të hynin në qytet pa asnjë të shtënë”, shkruan Nigris. Ai na tregon për festën që u zhvillua në qytet, për entuziazmin e banorëve. “Shtinin me armë në shenjë feste, duke krijuar një zhurmë shurdhuese, ndërsa një re tymi shtrihej mbi gjithë qytetin. Dita ishte tepër e gjallë, por nuk pati çrregullime. Paradës së partizanëve i shtoheshin tufa fëmijësh me flamuj kombëtarë e duke kënduar”, shkruan ai më tej. Nigris dëshmon për ditët që paraprinë çlirimin e vendit, reprezaljet e gjermanëve, viktimat e pafajshme, mes të cilëve edhe klerikë. “Dukeshin egërsira. Ndiqnin njerëzit nëpër shtëpi dhe kursenin vetëm në këmbim të arit. Vranë shumë njerëz në kishën e jezuitëve dhe plagosën Padre Giovanni Faustin, që kërkonte të ndalonte këtë masakër”, - komenton Nigris. Gjithashtu ai na jep edhe një panoramë, për ditët pas çlirimit, ku u dukën tendencat e para të vendosjes së diktaturës në vend dhe valën e persekucionit ndaj familjeve tregtare, apo forcave kundërshtare. Raporti i Nigris, dërguar Selisë së Shenjtë në Romë, është një dokument i vyer që i duhet historianëve në këto ditë debatesh.