Ismail Lleshi: Më 1991 projektuam një parti të re, jo të lidhur me Ramiz Alinë
Luljeta Progni
Ismail Lleshi, ish-anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe ish-nënkryetar i parë i Partisë Socialiste të sapoformuar, pohon një moment të panjohur në historinë e Partisë së Punës. Sipas tij, më 1991, ai vetë ishte në përbërje të një grupi që projektoi një parti të re, jo të lidhur me Ramiz Alinë.
Por gjithçka devijon pas ndërhyrjes së vetë ish-sekretarit të Parë të PPSH-së, që u rekomandon të merrnin frenat e partisë së vjetër. Intervista e përfshirë në librin “Trashëgimtarët”, i gazetares së mirënjohur Luljeta Progni, sqaron edhe momentet e zgjedhjes së Fatos Nanos në krye të Partisë Socialiste. Madje përkundër shumë dëshmive, i intervistuari pohon për herë të parë se Nano nuk u propozua nga Alia në atë post, por nga salla.
(pjesa e dytë)
A ishte Ramiz Alia i vetëdijshëm për këtë?
Deri në njëfarë shkalle po. Por ai nuk e mendoi këtë deri në zëvendësimin e vet. Kjo, sepse po të ishte i vetëdijshëm se do të zëvendësohej, nuk do të pranonte asnjë angazhim politik, do të tërhiqej dhe do t’i mbeste besnik udhëheqjes së asaj partie, që mori trashëgim nga Enver Hoxha. Ai e refuzoi këtë rol, duke dashur të dëshmojë se ishte në gjendje t’i bënte ballë realitetit të krijuar në fillimvitet ‘90. Madje, ai ishte i bindur se po ndihmonte dhe do të ndihmonte në zbutjen e problematikës së krijuar në këtë periudhë. Ka pasur mendime brenda dhe jashtë Shqipërisë, që Ramiz Alia ka luajtur rolin e moderatorit në zbutjen e këtyre konflikteve.
Sipas jush, është një konstatim i vërtetë?
E interpretuar në mënyrën se si rrodhën ngjarjet dhe duke pasur parasysh figurën e tij në partinë që përfaqësonte, ishte një personalitet imponues, brenda dhe jashtë vendit. Ajo që thuhet sot, se Berisha i bënte elozhe Ramiz Alisë në vitet ‘90, e kishte bazën pikërisht te kjo peshë imponuese e Ramizit, jo si individ, por më shumë si trashëgimtar i kontributit të Enver Hoxhës. Këtë peshë po ta gjykosh sot të vjen minimale, por po ta gjykosh në atë kohë, atëherë nuk mund të thuash se ka të njëjtën vlerë minimale që ka sot...
Cili ishte roli i Ramiz Alisë në këtë moment? Pasi jemi në një situatë ku bëhet fjalë për një grup të madh parlamentar të PPSH-së, të cilin ju e drejtonit, bëhej fjalë për një grup parlamentar me shumë figura të rëndësishme, dhe se ekzistonte mundësia të mbërrihej në finalen e idesë tuaj?
Në të vërtetë unë kam qenë një ndër pjesëmarrësit e diskutimit rreth të ardhmes së PPSH-së, me idenë e kalimit në një parti të re. Nuk kam pasur rreth kësaj teme asnjë bisedë me Ramiz Alinë dhe, me sa dija unë edhe bashkëbiseduesit e tjerë nuk kishin. Ne mblidheshim rregullisht për të biseduar për programin dhe statutin. Ne nuk kishim kontakte me Ramiz Alinë, sepse ne e quanim nevojën e lindjes së një partie të re, jo të lidhur me Ramiz Alinë dhe me asnjë emër tjetër të asaj partie. Ne e konceptonim partinë e re, që kishim projektuar, si një e majtë e re, e cila të ishte natyrshëm e lindur në truallin shqiptar dhe problematikën shqiptare, por edhe një e majtë moderne bashkëkohore, ashtu siç aspironim të gjithë atëherë. Vonë, në prag të kongresit, disa nga shokët bashkëbisedues të grupit inisiator, siç duket e panë të udhës, që ta diskutojnë këtë temë me Ramiz Alinë. Përgjigja që unë kam dëgjuar prej tyre, pas takimit me Ramiz Alinë, pra që ju kishte thënë Ramizi, ishte: “Ju e keni partinë tuaj. Kjo është PPSH. Merrni udhëheqjen e saj, sepse ju takon tashmë ju dhe vazhdoni rrugën tuaj”. Në të vërtetë, Ramizi atëherë nuk ishte më udhëheqës i PPSH, nga pikëpamja e ndryshimit, që ishte bërë në dispozitat kryesore kushtetuese. Pra Ramiz Alia tashmë ishte President dhe s’mund të ishte më Sekretar i Parë i PPSH-së. Për sa i përket pjesës tjetër të partisë, pra Byrosë Politike të PPSH-së, mund të them se në atë kohë, pothuajse ishte inekzistente. Nga kjo pikëpamje nuk e kuptoja në atë kohë, se çfarë do të thoshte fjala e Ramiz Alisë: “Merreni PPSH dhe drejtojeni”, kur ajo nuk ekzistonte. Kurse në fakt diskutimi që ne bënim vazhdimisht ishte, jo që të merrnim udhëheqjen e asaj partie. Ta them në mënyrë praktike, ajo udhëheqje, tashmë më shumë ishte transplantuar në një veprimtari shtetërore si grup Parlamentar dhe nga kjo pikëpamje, më shumë grupin Parlamentar e realizonte qeverisja, se sa vetë emri “byro politike”.
Ne nuk e kuptonim atëherë se çfarë do të thoshte, të merrnim këtë udhëheqje. Megjithatë pati shokë, që iu bashkuan kësaj ideje të dhënë nga Ramizi, dhe siç më kanë thënë më vonë, ishte frika e një presioni të masës së anëtarësisë së PS, e cila mund të abandononte iniciativën për krijimin e një partie të re jashtë PPSH, ashtu siç e kishim ne idenë, ta krijonim.
Në të vërtetë kur iu paraqit kongresit kjo frymë, pati reagime. Për shembull, mund të përmend diskutimin në kongresin e dhjetë të Dritëro Agollit, Moikom Zeqos, Leontjev Çuçit, të cilët gjetën një reagim shumë negativ për momentin, e kam fjalën për reagimet e sallës. Kryesisht diskutimet e Moikomit dhe Leontjevit, që kishin qenë pjesëtarë të grupit që përgatiste një program të ri dhe platformë të re, ishin përgatitje e një konkluzioni, që do t’i paraqitej kongresit. Por kur në përfundim të kongresit u refuzua edhe rezoluta, e cila përfshinte në një pjesë të saj idetë e propozuara nga grupi ekzistues, kur u rrëzua edhe rezoluta, u pa qartë, se kongresi nuk i bashkohej idesë së një ndryshimi rrënjësor. Aq më tepër, që një pjesë e shokëve e kishin abandonuar këtë ide. Atëherë u pa qartë, se do duhej kohë që të kalohej në një ndryshim tjetër, u pa qartë, se nuk ishte e mundur të kalohej menjëherë në një forcë të re politike dhe u konkludua që të realizojmë një kalim gradual...
A ishte emri i partisë që ju kishit iniciuar atëherë, apo kishte emra të tjerë?
Ne vetë strukturat e PPSH-së, kishte tri diskutime, të mbetej emri PPSH, dhe dy emërtime të tjera, një nga të cilat ishte edhe PS. Grupi që përgatiste krijimin e një partie të re, e kishte një nga opsionet e tij, PS. Ideja ishte që të shkohej në një parti socialdemokrate. Me këtë ide janë bërë kontakte me Skënder Gjinushin, që ai të mos e realizonte publikimin e PSD-së. Madje siç kemi diskutuar midis nesh, e mendonim Skënder Gjinushin pjesë të këtij procesi dhe do shkonim bashkërisht drejt krijimit të kësaj partie. Por Skënderi, duke e ndjerë që nuk mund të shkohet me këtë parti dhe aq më tepër, që duke menduar se ai ishte iniciatori i PSD-së, e shpalli krijimin e kësaj partie.
Të kthehemi edhe një herë te kongresi. A pati Ramniz Alia qëndrim të dyzuar në kongres, një herë shprehej në mbështetje të reformatorëve dhe një herë të konservatorëve. Cila është e vërteta?
Së pari, duhet të them që unë nuk jam në dijeni në hollësitë e marrëdhënieve qoftë në njërin plan, qoftë në planin tjetër. Së dyti, me sa unë e njoha zhvillimin e jetës së PPSH, nuk më ka rënë rasti të konstatoj qëndrime të kësaj natyre; përveç një përpjekjeje që të mos shkaktohen trauma të brendshme, sepse ishte shumë e lehtë atëherë që për shkak të ngarkesave të mëdha, të mund të harroje se kush ishte problemi themelor në atë periudhë. Këto lloj raportesh të ashpra, për të mos thënë kontradiktore, midis grupeve të ndryshme që ju përmendët, siç ishte grupi i Fierit, i cili ishte një lloj shprehje e qëndrimeve të personave të caktuar dhe jo si grupe, ndaj vijës së atëhershme, nuk kishin të bënin as me nxitjen, as me mbështetjen e Ramiz Alisë. Ishte një jetë e mbarsur me shumë problematika, të cilat meqenëse u gjet momenti i përshtatshëm, u shprehën qoftë edhe në forma të ashpra. Kongresi i Dhjetë mua më është dukur si një lloj funerali...
Ju thoni se Ramiz Alia nuk e kishte vendosur tashmë zgjedhjen e Fatos Nanos si kryetar i PS-së?
Me aq sa di unë, kongresi nuk ka pasur emër të parapërgatitur për të marrë drejtimin e partisë. Vetë salla e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues diskutoi gjatë dhe e përmendi kandidatura të ndryshme, por i përmendi salla dhe nuk u përpunuan kritere, dhe aq më tepër nuk u bë me porosi. Për këtë jam i bindur.
Pra, Ramiz Alia nuk ndikoi në zgjedhjen e Fatos Nanos?
Nano u zgjodh në KPD dhe në mbledhjen e KPD-së Ramizi nuk ishte.
Ju thoni se Ramiz Alia nuk kontaktoi për asnjë çast me krerët e KPD për të dhënë porosinë e tij, për zgjedhjen e kryetarit të PS-së?
Ramizi nuk pati asnjë kontakt me KPD-në. E vërteta është se Fatosi hezitoi për të pranuar postin e kryetarit të PS-së. Për këtë arsye, në ambientet e Pallatit të Kongreseve është bërë një takim edhe me Ramiz Alinë. Por duhet të kuptoni një gjë, përderisa me zgjedhjen e tij President, nuk u bë zëvendësimi i tij si Sekretar i Parë, atëherë është e vërtetë se, qoftë edhe hija e tij si Sekretar i Parë vazhdonte të ndihej në PPSH. Nga kjo pikëpamje u quajt një gjë krejt normale një takim konsultativ me atë, që kishte qenë Sekretar i Parë i PPSH-së, deri vetëm pak muaj para se zhvilloheshin ngjarjet.
Në këtë takim ku po flitej për zgjedhjen e kryetarit, Ramiz Alia është shprehur për zgjedhjen e Fatos Nanos si kryetar i PS-së, por kjo ka ndodhur pasi Nano ishte propozuar nga salla si kandidaturë për kryetar i PS-së.
Libri që trazoi mediat shqiptare
Punimi “Trashëgimtarët” i gazetares së njohur të politikës, Luljeta Progni, tashmë mund të quhet një nga më të suksesshmit e panairit të fundit të librit. Kjo sepse materialet e përfshira në të, që bëjnë fjalë për ngjarjet më kryesore të kohëve kur Partia e vjetër e Punës u konvertua në Partinë e re Socialiste, kanë tërhequr vëmendjen për risitë që sjellin, kryesisht përmes intervistave të drejtpërdrejta të marra nga protagonistët kryesorë të këtyre kohërave. Për këtë shkak media të shumta, kryesisht të shkruara, me lejen e autores kanë botuar intervista të plota e të pjesshme, si edhe materiale të tjera, që kanë pasur efektin e pritshëm në publik.