E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari: Pashë djalin 13 vjeç, të plagosur që po kërkonte ndihmë

 

TIRANE - Në një kohë kur policia deklaroi zyrtarisht se Klevis Zaimi, djali i autorit të ngjarjes, është qëlluar aksidentalisht nga i ati, një dëshmi rrënqethëse ka treguar rrethanat në të cilat humbi jetën fëmija. Një 13-vjeçar, bashkëmoshatar i viktimës së tretë të tragjedisë së djeshme, e ka parë Klevisin kur ka dalë nga ndërtesa katërkatëshe dhe ishte i plagosur. Ai i ka kërkuar ndihmë, që ta çonin në spital, pasi ishte plagosur. Në këtë kohë edhe babai i tij ka dalë në ballkon, duke kërkuar me sy djalin e tij. “Klevisin e kisha shok, rrija shpesh me të kur vinte nga Greqia. E pashë kur doli nga shtëpia i gjakosur dhe na kërkonte ndihmë ta çonim në spital. E pashë që i dilte gjak nga këmba, por nuk tregonte se çfarë i kishte ndodhur, vetëm thoshte që ta çonim në spital dhe qante”, ka treguar dëshmitari me iniciale A.M. Adoleshenti ishte i tronditur nga skena që ka parë. “Një grua që banon këtu afër njoftoi dikë që ta çonin Klevisin me makinë në spital për ta mjekuar. Babai i tij doli në ballkon dhe i thirri Klevisit që të kthehej”, ka mbyllur rrëfimin 13-vjeçari. Sipas të dhënave nga hetimi në vendngjarje dhe sipas dëshmisë së 13-vjeçarit, Petrit Zaimi mund ta ketë plagosur aksidentalisht të birin. Gjithçka mund të ketë ndodhur në kushtet e tronditjes së rëndë psikike, pasi ai kishte vrarë vjehrrin dhe plagosur vjehrrën në kohën që po qëllonte me armë ndaj disa personave që ndodheshin farë pranë njëri-tjetrit brenda banesës. Më pas autori i krimit ka qëlluar edhe veten, duke vendosur armën në mjekër dhe duke shkrehur plumbi e vetëm që i kishte mbetur. Petrit Zaimi ishte rikthyer në shtëpi, pasi kishte kërkuar me sy djalin dhe me plumbin e vetëm që i kishte mbetur në pistoletë ka qëlluar edhe veten.            e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›