E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, sot 45 vjeç nën shijen e rezultatit të zgjedhjeve

 

Kryetari socialist Edi Rama sot mbush 45 vjeç, por ndryshe nga jubiletë e tjera të datëlindjes së tij, zgjedhjet nuk do ta lenë atë që të jetë i përqendruar te kjo festë. Rezultati i dobët në këto zgjedhje, por dhe e ardhmja e tij në krye të PS-së, e ngarkojnë këtë datëlindje me ngjyra jo shumë të gëzueshme. Por duket se për të dhënë nuanca të gëzueshme në këtë ditë, stafi i Bashkisë Tiranë, por dhe ai i selisë rozë, do t’ia kujtojnë atij me një buqetë të madhe me lule, por pa harruar tortën tradicionale që ata ia kanë bërë surprizë gjithnjë kryetarit të tyre. Ceremonia e sivjetme s’do ketë shkëlqimin që edhe vetë Rama do dëshironte. Nuk dihet nëse ai do ta festojë datëlindjen e tij me miqtë më të afërt të tij dhe familjarët, pasi rezultati i zgjedhjeve nuk i ka dhënë atij motivin që të përjetojë një festë të tillë. Në këtë jubile të lindjes së tij, në Shqipëri ndodhet dhe i vëllai i Ramës, i cili erdhi nga Kanadaja, ku ka emigruar, për shkak të zgjedhjeve të 28 qershorit. Vitet e shkuara Rama ka preferuar të festojë datëlindjet e tij me miq dhe familjarë, por nga Bashkia e Tiranës nuk ka munguar torta, që stafi i bashkisë ia ka bërë atij surprizë. Pak vite më parë, stafi i Bashkisë Tiranë ka festuar bashkë me kryetarin e saj në Pezë. Atje Rama ka organizuar një festë të madhe me të gjithë stafin e tij, ku nuk kanë munguar surprizat e shumta. Më pak këto festa janë organizuar gjatë këtyre katër viteve në selinë rozë, që Rama është në krye të Partisë Socialiste, edhe për shkak se në këtë seli kanë lëvizur vazhdimisht stafet, por dhe forumet drejtuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›