“I vrau kot, prindërit nuk kishin gisht në divorc”
Etleva Delia
Kushëriri i Azbi Gjonit, njërit prej viktimave të masakrës së djeshme, që u vra nga dhëndri i tij, ishte nisur për një vizitë në shtëpinë e tragjedisë, por në gjysmë të rrugës është njoftuar për ngjarjen e rëndë. Kur ka mbërritur në shtëpinë e familjes Gjoni, ka parë të rrethuar nga policia si një vend krimi. Efektivat e policisë nuk e kanë lejuar të futet brenda. “Nuk munda t’i takoja dot për së gjalli, por shpresoj që të jetojë gruaja e kushëririt tim”, është shprehur i afërmi i familjes Gjoni. Ndërkohë ai ka shpjeguar se me aq sa ishte në dijeni ai, çifti Zaimi kishte vendosur vetë që të divorcoheshin dhe në vendimin e tyre nuk kishin ndikuar aspak prindërit e gruas së Petrit Zaimi. “E njihja edhe Petritin dhe nuk më dukej njeri që mund t’ia bënte zemra të kryente një krim të tillë, të paktën fëmija është i shenjtë. Ishte njeri i qetë, por nuk e di se si mund të ketë qenë puna”, ka treguar kushëriri i Azbi Gjonit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai thotë se Azbi Gjoni u vra pa faj, ndërsa edhe e shoqja nuk kishte asnjë gisht në divorcin mes vajzës së tyre me Petrit Zaimin.
Si e mësuat ngjarjen që ndodhi tek të afërmit tuaj?
Isha nisur që t’i vizitoja. Edhe unë jetoj këtu në këtë lagje dhe herë pas here u shkoja për vizitë në shtëpi, pasi ata ishin dy pleq që jetonin vetëm. Kisha arritur në gjysmë të rrugës, isha shumë pranë shtëpisë së tyre, kur më morën në telefon dhe më thanë për atë që u kishte ndodhur. U trondita jashtë mase, për më tepër kur mësova se kush ishte autori i kësaj ngjarje të rëndë.
Kishit dëgjuar ndonjëherë më parë për ndonjë mosmarrëveshje që ata kishin me dhëndrin e tyre?
Ata kishin kohë që jetonin vetëm. Fëmijët e tyre ishin martuar dhe këtu në Tiranë kishin vetëm një vajzë, që është e martuar. Ajo është shtatzënë dhe kur mori vesh për ngjarjen u trondit shumë dhe përfundoi në spital, duke rrezikuar të humbë fëmijën. Fëmijët e tjerë, Azbiu dhe Nadrija i kishin jashtë Shqipërisë, janë emigrantë prej vitesh. Petriti ishte i martuar me vajzën e tyre prej disa vitesh dhe jetonin në Greqi. Kishin disa muaj që nuk jetonin më bashkë dhe Petriti jetonte me djalin, Klevisin, që u vra sot, ndërsa gruaja e tij jetonte me vajzën. Kisha dëgjuar që kanë pasur disa mosmarrëveshje në lidhje me ndarjen, por ata kishin vendosur vetë që të ndaheshin, në martesën e tyre nuk kishin ndikuar aspak Azbiu dhe as Nadirja. Nuk e kuptoj si ka mundur të qëllojë mbi të birin, ai nuk kishte asnjë faj për të gjithë këtë histori.
Po Petrit Zaimin, e njihnit?
E njihja edhe atë. Ishte njeri i qetë, askujt nuk ia merrte mendja se ai mund të kryente një veprim të tillë kaq tragjik. Të gjithë ata që kanë dëgjuar për këtë ngjarje, mund të mendojnë se ai vuante nga ndonjë problem mendor, se në fakt nuk ka ndonjë mundësi tjetër. Por unë mund të them me bindje se ai ishte shumë i qetë, s’kishte vuajtur asnjëherë nga probleme të tilla dhe nuk e kuptoj se si ka kryer gjithë këtë krim. Së paku me të birin që e kishte vetëm 13 vjeç, ai nuk kishte asnjë lloj faji.
Si jetonin të afërmit tuaj, pra familja ku ndodhi ngjarja?
Kishin kohë që jetonin vetëm, që kur u martua vajza e vogël. Prej disa muajsh kishin marrë shtëpi me qira dhe jetonin këtu, por herë pas here i vizitonim edhe ne. Me sa kam marrë vesh unë, edhe në momentin që ka ndodhur ngjarja ata kanë qenë vetëm në shtëpi dhe kanë qenë duke ngrënë drekë. Se si kanë qenë punët dhe pse ka ndodhur e gjithë kjo, këtë mund ta shpjegojë vetëm Nadirja, në rast se arrin të mbijetojë, sepse me aq sa kemi dëgjuar ne gjendja e saj është mjaft e rëndë dhe aktualisht ndodhet në gjendje kome.