E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmitë: Sigurimi serb blinte me pará dëshmitë e rreme për trafikun e organeve nga UÇKNga Gazeta “Express”Takime të fshehta në vende të ndryshme të Kosovës, fotografi, vendi ku ata kanë qendrën për operacione në Kosovë, ofrimin e shumave të parave p

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Dëshmitë: Sigurimi serb blinte me pará dëshmitë e rreme për trafikun e organeve nga UÇKNga Gazeta “Express”

Takime të fshehta në vende të ndryshme të Kosovës, fotografi, vendi ku ata kanë qendrën për operacione në Kosovë, ofrimin e shumave të parave për deklarata të rreme kundër luftës së UÇK e shumë detaje të tjera “Express” ka arritur t`i sigurojë pas arrestimit të tre serbëve, që besohet të jenë pjesëtarë të Shërbimit Informativ Serb, BIA.

Të gjitha këto dëshmi e detaje të operimit të tyre në Kosovë, “Express” i ka siguruar pak ditë pas arrestimit të tre serbëve, Predrag Zheljkoviç, Milutin Radanoviç dhe Igor Josinac.

Në dokumentet që ka gazeta, janë evidentuar takimet e fshehta mes tyre, organizimet e takimeve me persona të ndryshëm, nga të cilët është kërkuar të dëshmojnë në mënyrë të rreme për kohën e luftës që ka ndodhur në Kosovë, e posaçërisht për të dëshmuar për transplantimin e supozuar të organeve që kanë bërë ushtarët e ish UÇK.

Po ashtu, nga këto dëshmi shihet se në rrethin e këtij grupi janë të përfshirë edhe shqiptarë nga Kosova, e po ashtu edhe zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës.

Sipas këtyre dokumenteve zyrtare, thuhet se qendra kryesore e këtij grupi të Inteligjencës serbe dhe personave të tjerë të udhëhequr nga qeveria e Serbisë është në veri të Mitrovicës dhe në Kopaonik.

“...Këta persona dyshohet se janë duke mbledhur informata të rreme dhe janë duke bërë pagesa në mënyrë të paligjshme për gjoja mbledhjen e fakteve për trafikun e organeve gjatë luftës në Kosovës”, - thuhet në raportin hetues, të siguruar nga gazeta.

Hetimet rreth këtij grupi të dyshuar bëhet e ditur se kanë filluar që prej fillimit të muajit prill të këtij viti.

Kështu, me datën 8 të muajit prill, hetuesit policorë kanë kuptuar se ky grup i përbërë nga disa persona do të takohej në fshatin Prevallë të Prizrenit, në afërsi të Brezovicës.

Rreth orës 11 të mëngjesit, në restorantin N. N., në Prevallë, janë takuar katër persona. Bëhet e ditur se ky takim është udhëhequr nga dy persona nga Beogradi, për të cilët thuhet se me profesion janë mjekë.

Në këtë incizim të policisë kuptohet se këta persona kanë kërkuar një person të nacionalitetit shqiptar (emri i njohur për redaksinë), me qëllim që nga ky të marrin dëshmi të rreme për kohën e luftës në Kosovë.

Ky takim është organizuar nga polici serb i Kosovës, tashmë i arrestuari, Igor Josinac.

Për deklarata të rreme dhe për një bashkëpunim të mundshëm me këtë person shqiptar, në këtë takim është thënë se ai mund të përfitojë 50 mijë euro.

Pas takimit në Prevallë, tashmë i arrestuari Igor Josinac, i shoqëruar me dy personat nga Beogradi me veturën “Opel Vectra” në targa të Novi Pazarit (NP) nisen në drejtim të Shtërpcës, ku gjatë rrugës marrin edhe personin e katërt për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt Prishtinës.

I gjithë ky takim i pjesëtarëve të BIA-s ishte nën vëzhgimin e hetuesve të policisë së Kosovës.

Sipas transkriptit, hetuesit e policisë kishin kontaktuar një njësi të trafikut afër qendrës tregtare “Ben Af”, në Ferizaj, ku kishin kërkuar që vetura me tabela NP të ndalohej për të identifikuar personat që po udhëtonin me Igor Josinac.

“Me të ndaluar veturën, Igor komunikon me policët e trafikut, ku ai paraqet ID kartën e tij duke treguar se është pjesëtar i Policisë së Kosovës. Në momentin kur policët e trafikut kërkojnë identitetin e pasagjerëve, Igor reagon duke thënë se këta janë mjekë nga Beogradi, të cilët i ka takuar për një shërbim mjekësor”, - thuhet në raport.

Pas kësaj, policët e trafikut nuk kanë reaguar më shumë, duke lejuar që vetura e Igor Josinac dhe pasagjerëve të tjerë, d.m.th., pjesëtarëve të shërbimit sekret serb, të vazhdojë rrugën e tyre drejt Llapnasellës të Çagllavicës.

“Ndalohen në një oborr të një shtëpie në këtë fshat (“Express” ka fshirë të dhënat specifike të shtëpisë për çështje të sigurisë,) ku zbresin të katër personat. Kjo shtëpi dyshohet të jetë shtëpi koordinuese e këtyre personave, të cilët janë duke mbledhur dëshmi të rreme nëpër territor të Kosovës. Në këtë grup janë të përfshirë një grup shumë i madh personash, të cilët janë të dirigjuar nga qeveria e Serbisë për qëllime të caktuara”, - thuhet më tej në këtë raport.

Në vazhdën e këtij misioni, pjesëtarët e BIA-s, më 11 prill të këtij viti, organizojnë takime të tjera në rrethinën e Prizrenit, për t`u takuar me njerëz, të cilët po ndihmonin në mbledhjen e informacioneve dhe gjetjen e personave të tjerë, të cilët janë të gatshëm të japin deklarata të rreme në dëm të shtetit të Kosovës, veçanërisht për luftën e fundit.

Përveç disa personave që kanë ndihmuar në mbledhjen e informatave, hetuesit policorë kanë vërejtur se në misionin e BIA-s për deklarata të rreme kundër ish-UÇK ishte i angazhuar edhe një zyrtar i lartë i policisë së Prizrenit.

“Igor Josinac dhe personi tjetër rreth orës 14 e 28 minuta, në vendin e quajtur Shatërvani, në Prizren, takohen me kapitenin e Policisë së Kosovës (emri i njohur për redaksinë), i cili në këtë takim vjen me veturë zyrtare të policisë “Toyota Land Cruiser”, - sqarohet më tej në raport.

Takimi me kapitenin e policisë dhe dy pjesëtarët e BIA-s kishte zgjatur vetëm pak minuta, ku zyrtari i lartë i policisë së Kosovës nxjerr një dokument nga xhepi, të cilin Igor Josinac e fut me shpejtësi në xhepin e tij.

Pas kësaj bëhet e ditur se të dy personat ndahen nga kapiteni i Policisë së Kosovës dhe rreth orës 15 e 15 minuta ata hipin në një veturë “Ford Orion” me targa KS, ku nisen në drejtim të fshatit Reçan.

Sipas këtij dokumenti, thuhet se dy ditë më vonë, pikërisht më 11 prill, hetuesit policorë kanë vëzhguar një shtëpi në hyrje të fshatit Llapnasellë, në të cilën dyshohet të jetë shtab i krizës i formuar nga personat e lartpërmendur.

Fakti se kjo shtëpi është kthyer në qendër takimi të pjesëtarëve të shërbimit sekret serb, pohohet se para kësaj shtëpie shpeshherë shihen të parkuara automjete të ndryshme dhe se atë e vizitojnë persona të shumtë.

Më poshtë mund të lexoni disa nga bisedat ndërmjet Igor Josinac dhe grupit që është duke u hetuar. Biseda është e transkriptuar fjalë për fjalë. Igor Josinac këtu bisedon me një ndërmjetësues (emër i njohur për redaksinë), gjithashtu pjesëtar i Policisë së Kosovës, rreth koordinimit të veprimeve për të bindur një shqiptar të Kosovës (emër i njohur për redaksinë, por për shkak të hetimeve, emri i tij, në bisedën e transkriptuar, është shënuar si Shqiptari), që në këmbim të disa dhjetëra mijëra eurove, të japin dëshmi të rreme se gjatë kohës së luftës atij i ishte marrë njëra veshkë. Igor Josinac përgatit terrenin që pastaj në Kosovë të vinin nivele të larta të BIA-s, që do të kryenin transaksionin financiar.

Ndërmjetësi: Unë jam aktivizuar seriozisht…

Igori: Ky është interes i madh. Kjo ka rëndësi për mua, për ty, për atë. Këta (me ‘këta’ nënkupton pjesëtarët e BIA-s), hyjnë për shkak timin dhe tëndin... Ata e kanë arritur shkallën më të lartë, i kanë të gjitha, dhe nuk u nevojitet ndonjë gradë (mendojnë për ngritjen në pozita). Të gjitha këto që ata i marrin, i marrin për situatë parazgjedhore, dhe për mua e për ty, sepse atyre unë u kam thënë për ty...

Ndërmjetësi: Të ta them një punë. Unë jam takuar me Shqiptarin, direkt. Ka thënë: “Po, unë jam ai dhe di shumë punë”. Ai ka dëshirë ta dijë se kush i garanton se do t’i marrë të hollat. Atij i interesojnë të hollat...

Igori: Paratë i garantoj unë. Unë të garantoj ty, e ti i garanton atij... dhe për të tjerat nuk ke problem. Unë të garantoj ty, ti atij.

Ndërmjetësi: A bën që atij t’i jepen disa pará më herët, që ai të vijë e ta japë deklaratën?

Igori: Të them diçka. Ata, nëse merren vesh për 40 mijë - mirë. Ti je marrë vesh për 50 mijë euro, nuk ka problem. Me Shqiptarin do të bisedohet prapë. Ti do të marrësh pjesën tënde dhe do të ta heqim atë...

Ndërmjetësi: Domethënë, mua 10 mijë euro dhe do të ma heqin burgun? (Këtu, Ndërmjetësi po negocion që në këmbim të punës që po e bën, përveç 10 mijë eurove, pjesëtarët e BIA-s t’i shlyejnë edhe një dënim të mëhershëm që e ka pasur në Serbi)

Igori: Ti ke thënë 10 mijë euro dhe burgun...

Ndërmjetësi: Po, unë kam thënë 10 mijë euro dhe të ma heqin burgun...

Igori: Mos me keqkupto tani ti mua... Edhe në qoftë se t’i heqin 5 mijë, ti do të jesh i kënaqur.

Ndërmjetësi: Kuptoj.

Igori: Për tërë jetën ne i kemi ata. Dhe kemi punë të tjera.

Ndërmjetësi: A janë ata me të vërtetë të fortë (pjesëtarët e BIA-s)?

Igori: Të ta them të drejtën, nuk ka më të fortë se ata.

Ndërmjetësi: Se ata...

Igori: Tani të them se ata janë në rang me... Çfarë vendosin ata, do të thotë ka vendosur Tadiç.

Ndërmjetësi: Tadiç...

Igori: Nuk kam afruar unë njerëz lloma (të pistë). Ne nuk kemi hyrë në bisedë vetëm për të folur.

Ndërmjetësi: Unë po hyj në një lojë shumë të rrezikshme.

Igori: Ti hyn në lojë, unë hyj në lojë për shqiptarë.

Ndërmjetësi: Ty nuk ta ndjen për asgjë... Ti do të shkosh...

Igori: Ne nuk njihemi nga sot. Unë po të lus që ta kuptosh se është shumë serioze, tepër serioze.

Ndërmjetësi: Kur do të shihemi me ata? Unë tërë ditën kam qenë... dhe siç po e sheh, unë jam duke rinovuar... Shqiptarin e kam pritur në një Bastore.

Igori: Puna kryesore në jetë është se, unë kur të them, se në qoftë se të kanë thënë që do t’i marrësh kaq, aq do t’i marrësh.

Ndërmjetësi: Sa do të marrë Shqiptari, pasi unë nuk jam i rëndësishëm në këtë tregim? Ai ka pranuar...

Igori: Shqiptari do të marrë prej 30 deri në 40 mijë.

Ndërmjetësi: E sigurt prej 30 deri në 40 mijë?

Igori: Dëgjo... Gjithçka që i nevojitet, do ta ketë. Ti t’i kesh paratë, të gjitha të tjerat unë të garantoj ty, ti i garanton atij. Është pjesë e punës sime se si do t’i nxjerr unë prej tyre, kur të kryhet puna. Mos të jetë se ai ka vetëm fjalë. Fjalët janë diçka, veprat janë diçka tjetër. Nëse atij ia kanë ndërruar.... ne kemi përfunduar punën, ne kemi futur paratë në xhep...

Ndërmjetësi: Po.

Igori: A po kupton, ne i kemi marrë paratë...

Ndërmjetësi: Unë njoh njërin që ka parë vrasjen e një serbi dhe që dëshiron të flasë.

Igori: Shiko, mos të shkojmë majtas e djathtas... Do të më thuash ti për këto, janë më të rëndësishme.

Ndërmjetësi: Momentalisht, më prioritare.

Igori: Kjo tash është aktuale. A e di se çfarë më kanë thënë ata: Mos ka kërkuar shumë? Por, kur kanë mundur t’i japin për atë majmunin, Kovaçeviçin, 950 mijë, gati 1 milion, pse mos t’i japin për këtë që do ta shpëtojnë, kur të pranojë...? Kjo është çështja, tash për tash.

Ndërmjetësi: Sipas mendimit të tyre, kjo nuk është para e madhe për Shqiptarin?

Igori: Jo, nuk është e madhe. Ata kanë menduar 20 mijë, por unë u kam thënë - cilat janë mundësitë e mia... dhe kjo ka shkuar më tutje. Dashtë Zoti që ai t’i marrë 50 mijë ose edhe 100 mijë. Por, më beso, se kurrë nuk do ta tradhtojmë. Do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij. Unë atyre do t’u them se ai ka pranuar.

Biseda e mëposhtme, e cila është e transkriptuar fjalë për fjalë është zhvilluar mes Igorit, Ndërmjetësit dhe dy personave nga Beogradi.

“Rreth orës 14 e 2 minuta, nga ana e vëzhgimit lokal, Igor Josinac, i cili ka qenë duke vozitur veturën “Opel Vectra”, me tabela NP 738 98, në rrugën Shtërpcë- Prevallë, në orën 14 e 35 minuta, ka parkuar veturën në parkingun e restorant N. N. Ka hyrë brenda vetëm, ku është takuar me dy persona, me të cilët ka vazhduar bisedën deri në orën 15 e 52 minuta”, - thuhet në raport.

Personi 1: Shiko, së pari duhet të dimë se a është punuar ai. Varianti i dytë është që t’i hulumtosh krejt këto. Dhe hapi i tretë është që ta marrësh vesh se a do të shkonte ai në mënyrë të hapur në ekzaminim, dhe sa pará do të ishte.

Ndërmjetësi: Kjo varet nga shuma e parave.

Personi 1: Dhe shiko se për cilën shumë të parave do të hynte ai. Do të thotë, a do të dëshmonte, shumën e parave... Dhe në këtë proces do ta përfundonim edhe (rastin me burg), si dhe për sa pará do ta përfundoje ti këtë punë.

Ndërmjetësi: Unë i kam thënë Igorit, se unë kam folur më vëllanë e Shqiptarit. Shqiptari nuk do të pranojë për më pak se 50 mijë. Ne kemi biseduar me Igorin, kjo është.

Personi 1: Për një argument të mirë, për diçka që ia vlen, në qoftë se ai thotë, në qoftë se ai ka ndonjë dokumentacion çfarëdo, në mënyrë që në gjyq mos të na rrëzojnë. Do të shkojë edhe varianti i dëshmitarit të mbrojtur, dhe në bazë të kësaj do të hiqet kjo (mendon për burgun).

Ndërmjetësi: Kam unë njerëz shqiptarë, të cilët, në qoftë se është nevoja, do të dëshmonin rrejshëm për pará. Njerëzit janë në krizë. E kam njërin nga Suhareka.... Atëherë kur më ke thënë se a mund të më gjesh ndonjë incizim për djegie apo vrasje, ndonjë kasetë...

Personi 1: Për ne është mjaft e rëndësishme kjo pjesë, pavarësisht se a janë marrë organet nga myslimanët, nga serbi apo nga shqiptari. Me rëndësi për ne është se ka ndodhur dhe se kjo do të përputhej me disa pikëpamje tona të gjera. A është ajo Shtëpia e Verdhë, për të cilën flitet. A është thirrur kështu, apo për çka është thirrur ashtu. A janë kryer aktivitete përmes saj apo janë kryer edhe në hapësira më të gjera, territore më të gjera, vende, nuk di se çfarë... Dhe, ende nuk më ke thënë, sá para do t’i kërkosh ti?

Ndërmjetësi: Kërkoj 10 mijë euro për Shqiptarin. Mirëpo, në qoftë se angazhoj ende njerëz, atëherë në qoftë se m’i jepni emrat... Unë njoh mjaft njerëz të operuar. Unë njoh njerëz, të cilët kanë qenë gati të vdekur dhe janë kthyer në jetë. I kam njohur, se unë që prej 9 vjetësh jetoj këtu. Për Shqiptarin më ka thënë Igori. Shqiptari është sigurisht. Të kam unë emrat e njerëzve, të disave, të cilët janë në rrethinën time. Eventualisht, në qoftë se ka dikush nga Peja, do të mundesha, sepse kam shokë të mirë.

Personi 1: Ti mund t’ia fillosh kështu, nuk ka pará, e të jetohet duhet.

Ndërmjetësi: Po, ai po më kërkon pará çdo herë.

Personi 1: Hajde të shohim ne kështu... Fatkeqësia është e njëjtë për të gjithë, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për serbin, myslimanin, kroatin apo shqiptarin. Në qoftë se ti di dhe ke dokumentacion.... Unë po të flas sikurse ti je duke folur me të. Hajde të gjejmë mënyrën... Unë do ta gjej mënyrën që këtë ta zbërthejmë në pará. Ti do të dëshmosh dhe ta japësh ADN. Të kërkojnë njerëzit, nga të cilët është marrë ajo (organet) ose familjen, nuk është me rëndësi. Për atë proces, do të marrësh kaq, unë do të marr diçka në lidhje me këtë, që mund të jetohet. Ashtu që, kush e ka sjellë deri në atë gjendje dhe e ka lënë të plagosur, ai nuk ka as obligim moral, as tjetër që mos të tregojë se çfarë ka ndodhur dhe të mos flasë. Ne nuk kemi bërë ashtu, as me kriminelë të llojit më të keq. T’i presim e t’ua nxjerrim organet dhe t’i shesim. Kjo është... nuk e di.. fatkeqësia dhe nevoja nuk kanë nacionalitet dhe kjo do të ishte ajo që duhet ta dimë, para se të fillojë procesi.

Ndërmjetësi: A mund ta di unë se a jam i vetmi që po punoj në këtë drejtim?

Personi 1: Këtu, jo.

Ndërmjetësi: Epo, është që mos të mbes unë në pozitë të keqe, se pastaj thonë a është interesuar Ndërmjetësi. Kështu, kur të hyj unë, e kuptoj se kush është kryesori dhe i mbaj të gjitha në sekret. Nuk duhet të ketë sukses, në qoftë se rrezikohet.

Personi 1: A di ti të falsësh shqip?

Ndërmjetësi: Pak di, por jo shumë.

Personi 1: A mundesh ti ta mbash atë kontekstin? A mund të merresh vesh me ta?

Igori: Me Shqiptarin, mundesh, mundesh.

Personi 1: Çka dëshiroj të them është se vëllai i Shqiptarit nuk është i përzier. Sa më pak njerëz ta dinë, aq më mirë është.

Ndërmjetësi: Vëllai i Shqiptarit e di, se Shqiptari duhet ta kryejë një punë dhe t’i marrë disa pará, dhe nuk e di se çfarë pune.

Personi 1: Po në qoftë se e angazhoj të përkthejë?

Ndërmjetësi: Jo, jo, vëllai i tij nuk e di.

Personi 1: Atë nuk do ta inkuadroja. A mund të merresh vesh me të...?

Ndërmjetësi: Jo, jo, vetëm me Shqiptarin drejtpërdrejt.

Personi 1: Mund të merresh vesh, pak shqip, pak serbisht. Jo, jo, kjo është një histori e kryer.

Ndërmjetësi: Ku do të ishte duhur që të vijë ai për ADN dhe të kryhet kjo. Kjo është mjaft e rëndësishme. A duhet kjo të organizohet këtu apo çfarë?

Personi 1: Më së pari kryhet biopsia, si një kontroll i rregullt.

Ndërmjetësi: Mirë, mirë, ai nuk do të shkonte në pjesën serbe në Mitrovicë as i vdekur.

Personi 1: Dëgjo, në qoftë se ai hyn në sistem, atëherë duhet të vijë atje lart (mendohet për Serbinë).

Personi 2: Mirëpo, ai do të jetë qytetari më i mbrojtur i Serbisë.

Personi 1: Ai duhet të lajmërohet diku në gjyq. Ai do të ketë mbrojtje dhe do të ketë pensionin për tërë jetën, dhe do të mund të jetojë. Ai si dëshmitar i mbrojtur mund të marrë pará për tërë jetën. Mund të marrë banesë, mund të marrë...

Ndërmjetësi: Kështu, ta di konkretisht.

Personi 1: Ai si dëshmitar i mbrojtur merr pará për tërë jetën. Mundet edhe banesën.

Personi 2: Mund ta ndërrojë identitetin.

Personi 1: Po, po, mund ta ndërrojë identitetin. Mund të thirret ndryshe. Kjo nuk ka problem tash. Kjo është gjëja më e vogël. Mund të mbetet edhe ashtu. Mirëpo, nëse dikush e kupton nga ato klanet... Në qoftë se ai pranon të dëshmojë, do ta ketë pensionin e mirë, pará të mira, nuk ka çka të frikësohet.

Ndërmjetësi: Po, për pará të mira do të bënte këtë.

Personi 1: Këta janë hapa që duhet të bëhen, këta janë hapat e parë. Ti këtë ia paraqet dhe i lajmërohesh shokut dhe atëherë mund të fillojmë. Atëherë lart e aktivizojmë tërë mekanizmin.

Ndërmjetësi: Po, po.

Personi 1: Ministria e Drejtësisë do të bëjë këtë, gjyqësia. Pastaj do të ulemi me ta dhe të shohim se si mund të respektohet kjo marrëveshje dhe në çfarë mënyre.

Ndërmjetësi: Po, se për mua vendimi i dënimit është i plotfuqishëm, dhe kjo është pak...

Personi 1: Pastaj ekspertët për këtë çështje vendosin se në çfarë mënyre mund të rregullohet kjo dhe se njeriu, të cilin e kemi angazhuar për këtë, të marrë kompensim. Në qoftë se ai neve na dëshmon se kush, çka, edhe ndonjë dokument spitali, në të cilin është kryer. Në rast se shteti e merr këtë çështje, atëherë pas dëshmimit shteti do ta bëjë atë që për këtë nuk ka dilemë, dhe për ty do të na thonë se si është mënyra (çështja e dënimit) dhe kjo nuk është asgjë në krahasim me veprat, të cilat jemi duke i bërë. Do ta gjejmë mënyrën gjyqësore dhe mënyrat e tjera që ta neutralizojmë (dënimin). Kjo duhet sa më parë, se procesi ka filluar.

Ndërmjetësi: Ka filluar procesi?

Personi 1: Po, ka diçka. Ne jemi duke tubuar diçka rreth Shtëpisë së Verdhë (shtëpia në Kukës), do të thotë se ka filluar të studiohet lënda dhe fillon procesi, dhe këso variante ende nuk ka (mendon në këtë mënyrë të dëshmimit). Në qoftë se në këtë pjesë nuk e përfundojmë sa më shpejt dhe ekspertë të tjerë thonë se mund ta kryejnë rastin. Atëherë vjen personi (njeri tjetër), i cili do të vijë me neve dhe i cili do të bisedojë me ty.

Ndërmjetësi: Dhe atëherë vjen njeriu i vërtetë (kryesori)?

Personi 1: Vjen ai, i cili do ta udhëheqë këtë.

Ndërmjetësi: Dhe ai do ta udhëheqë këtë?

Personi 1: Me siguri ai do të punojë nga ky referat dhe ai me siguri do ta udhëheqë këtë.

Ndërmjetësi: Dhe pastaj unë të vazhdoj me të.

Personi 1: Dhe ti ende e ke garancinë tonë për këtë.

Ndërmjetësi: Mua më duhet diçka konkrete të di se kush sa merr prej kësaj. Shqiptari do të marrë kaq, unë kaq.

Personi 1: Kur ti t’i kryesh këto dhe të dish se ai do dhe ku, kur e ka bërë ky, është parakusht për fillimin e bisedës. Pastaj, bisedojmë më njëri-tjetrin lart. Thotë se kjo ka vlerën e arit. Atëherë, në qoftë se thonë se po fillojmë. Mirëpo se a do t’i marrë 40 apo 50 mijë, apo do të marrë pension për tërë jetën, këtë nuk mund ta them se çka do t’i konvenojë, banesë apo diçka tjetër që do t’i konvenojë atij. Për këtë variantin e parave dhe këtë tënden (mendon dënimin) nuk do të ketë problem.

Ndërmjetësi: A nuk keni edhe ndonjë emër që të provoj edhe më të?

Personi 1: Ne do t’ia bëjmë kështu. Ti do të na lajmërosh neve, dhe në qoftë se kemi ndonjë indikacion për ndonjë emër, ata do ta japin dhe do të thonë: gjeje edhe këtë njeri, se edhe ai është i operuar dhe do ta shohim edhe atë. Në qoftë se janë 5-6 veta nga ndonjë regjion, atëherë ne së bashku do të shikojmë se ku mundesh.

Ndërmjetësi: Po, po, por nuk guxoj gjithkah se ka vende që janë të rrezikshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›