E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re, sot pasdite programi dhe votimi në Kuvend

 

Seanca parlamente për votimin e kryeministrit, ministrave të rinj dhe programit të qeverisë pritet të realizohet sot pasdite në ora 18.00. Kuvendi i Shqipërisë bën të ditur se seanca është vendosur pas një konsulte të kryer ndërmjet kryeparlamentares Topalli dhe Kryeministrit Sali Berisha. Zyra e shtypit e Kuvendit bën të ditur se një vendim i tillë u mor bazuar në nenin 110, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë në të cilin thuhet se: "Data e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 97 të Kushtetutës, përcaktohet nga Kryetari i Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin". Dekretimi nga ana e presidentit të vendit, Bamir Topi i qeverisë të hënën, i hapi rrugë votimit të qeverisë së re në Parlament. Rregullorja parlamentare dhe konkretisht neni 110 i saj përcakton procedurat që ndiqen nga Kuvendi për miratimin e programit dhe kabinetit të ri qeverisës. Kryeministri paraqet në seancë plenare programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Më pas, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për Kryeministrin lidhur me këtë program. Pas përgjigjeve të pyetjeve, Kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë Kryeministri jo më shumë se 10 minuta. Votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave është i hapur dhe me elektronikë. Kjo është sanksionuar në nenin 58 të rregullores së Parlamentit. "Votimi i hapur bëhet me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike. Votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri, të votimit të Buxhetit të Shtetit ose të projektligjeve financiare, që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të", thuhet në pikën 1 dhe 2 të këtij neni. Mësohet se Kryeministri Sali Berisha do të lexojë një raport të gjatë të programit të qeverisë, i cili sipas burimeve mësohet se është 120 faqe, duke i kushtuar disa orë seancës parlamentare. Në seancën e sotme, ashtu siç është paralajmëruar pritet të mungojnë deputetët e Partisë Socialiste, të cilët kanë shpallur prej kohësh bojkotin e Kuvendit. Në seancë përveç deputetëve të PD-së të PR-së dhe të LSI-së pritet të jetë edhe kreu i PBDNJ-së, Vagjel Dule. Ai mund të jetë e vetmja votë kundër kabinetit qeveritar të kryesuar nga Kryeministri Berisha. Pas kësaj procedure parlamentare, qeveria e re, bazuar në Kushtetutën e vendit, duhet të bëjë betimin në zyrën e Presidentit të vendit, Bamir Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›