E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Oketa gradojnë pesë gjeneralë të rinj në Ushtri

 

BLEDAR HOTI.

Në momentin kur pritet të votohet për qeverinë e re, presidenti Bamir Topi së bashku me ministrin në ikje të Mbrojtjes, Gazmend Oketa akordojnë grada madhore në ushtrinë shqiptare. Kreu i shtetit, në cilësinë e komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë ka dhënë pesë grada gjenerali. Me dekrete të veçanta presidenti, sipas zyrës së shtypit, dekreton "me dhënie gradë madhore Gjeneral Brigade, Kolonel Xhemal Gjunkshi, dhënie gradë madhore Gjeneral Brigade, Kolonel Dhori Spirollarit, dhënie gradë madhore Kundëradmiral, Kapitenit të Rangut I, Kristaq Gërvenji, dhënie gradë madhore Gjeneral Brigade, Kolonel Abaz Lleshit dhe dhënie gradë madhore Gjeneral Brigade, Kolonel Sandër Lleshit". Në njoftim për shtyp mësohet se kreu i shtetit ka marrë një vendim të tillë pas propozimeve të paraqitura nga ana e ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Me gradimin e dhënë, presidenti Topi e ka çuar gjithsej në 11 numrin e gjeneralëve në vendin tonë. Aktualisht, në vendin tonë janë edhe gjashtë gjeneralët e tjerë janë Maksim Malaj, shefi i shtabit të përgjithshëm, Zyber Dushku, Vladimir Qirazi, Agim Lala, Arian Zaimi dhe Kudret Çela. Një vendim i tillë ndërmerret për shkak se më datën 2 shtator, kreu i shtetit emëroi në postet drejtuese si zëvendësshefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Kundëradmiral Kristaq Gërvenji. Pas shkarkimit nga posti i Komandant i Forcave Detare të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gërvenji u ngrit në detyrë në numrin dy të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Ndërsa një nga dekretet e tjera të kreut të shtetit është edhe shkarkimi i Kundëradmiral Kudret Çela, zëvendëskomandant i Komandës së Forcave të Bashkuara, si dhe Gjeneral Brigade Vladimir Qirjazi, Komandant i Komandës Mbështetëse u shkarkua nga detyra. Në po të njëjtën ditë, Kundëradmiral Kudret Çela me anë të dekretit të presidentit u emërua në detyrën e Komandantit të Forcave Detare, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa Gjeneral Brigade Vladimir Qirjazi, u emërua në detyrën e zëvendëskomandantit të Komandës së Forcave Bashkuara, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Këto kanë qenë lëvizjet e fundit të kreut të shtetit në të cilën janë realizuar në ushtrinë shqiptare, një javë përpara mandatit të qeverisë së re. Ndërsa të graduarit e rinj janë në këto poste, gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi është komandat i Regjimentit Komando, ndërsa kolonel Dhori Spirollari është zëvendëskomandant i Brigadës Ajrore. Kolonel Abaz Lleshi është zëvendëskomandant i Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm dhe kolonel Sandër Lleshi është Komandant i Komandës Doktrine.

Gradat e reja në ushtrinë shqiptare

• Dhënie gradë madhore Gjeneral Brigade, Kolonel Xhemal Gjunkshi Komandant i regjimentit komando

• Dhënie gradë madhore Gjeneral Brigade, Kolonel Dhori Spirollarit. Zv/komadant i Brigadës Ajrore

• Dhënie gradë madhore Kundëradmiral, Kapitenit të Rangut I, Kristaq Gërvenji, Zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm

• Dhënie gradë madhore Gjeneral Brigade, Kolonel Abaz Lleshit. Zv/komandant i Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm.

• Dhënie grade madhore Gjeneral Brigade, Kolonel Sandër Lleshit. Komandant i Komandës Doktrine

Gërvenji, zëvendësshef Shtabi

Më datën 2 shtator presidenti vendosi që kapiteni i Rangut I, Kristaq Gërvenji, të emërohet në detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke zëvendësuar Zyber Dushkun. Pas një jave, për shkak të detyrës, Topi i akordon Gërvenjit dhe gradën e kundëradmiralit. Një vendim i tillë ndërmerret në kuadrin e reformimit të ushtrisë shqiptare, e cila tashmë është edhe anëtarja më e re aleancës më fuqishme atlantike, NATO. Gërvenji do të mbahet mend për debatet e gjata në lidhje me marrëveshjen për ndarjen e ujërave territoriale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, e cila pritet të votohet së shpejti në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›