E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitë e njëjta të 7 shoferëve të autoboteve

Tiranë- Shtatë shoferët e autoboteve, të arrestuar nga Prokuroria e Tiranës për mashtrim gjatë transportit të naftës virxhin, kanë dhënë të njëjtën dëshmi para hetuesve. “Deklaroj me bindje të plotë se faturat janë firmosur nga ana ime. Kjo faturë tregon transportin e virxhin naftës nga ana ime, brenda ditës për në Portin e Vlorës”- kanë thënë njëri pas tjetrit shoferët e arrestuar, duke pohuar si itinerar të tyre rrugën nga Ballshi në Vlorë. Reshat Aleksi, Vladimir Koteci, Kadri Hajredini, Genci Prençe, Gazmend Serjani, Flamur Merkaj dhe Fadil Abdurrahmani kanë përsëritur të njëjtat fjalë përpara prokurorëve, sa i përket destinacionit të naftës virxhin, ndërsa Prokuroria akuzon se ata janë dirigjuar nga Iljaz Fisheku apo të afërmit e tij për të dhënë këto dëshmi. Në kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për masat e tyre të sigurisë thuhet se shoferët kanë pranuar se punonin për llogari të Iljaz Fishekut, djalit të tij Martin Fisheku apo menaxherit të kompanisë “Euroil”, Bledar Rama, i shpallur tashmë në kërkim, por për asnjë rast nuk kanë tradhtuar shefat e tyre, sa i përket destinacionit të vërtetë të naftës virxhin, që sipas Prokurorisë përfundonte në depozitat e kompanisë “Fisheku” në Golem, e më pas në tregun e pakicës, ku shitej për benzinë. “I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, shtetasi Reshat Aleksi ka deklaruar se ai është drejtues i mjetit të Martin Fishekut dhe se për këtë transport ka kontaktuar me shtetasin Bledar Rama, i cili është marrë dhe me dokumentacionin e ngarkesës”, - thuhet në kërkesën e Prokurorisë për këtë të akuzuar. Prokurorët e Task-Forcës i kanë akuzuar shoferët e kompanive të Fishekut për veprën penale të mashtrimit, ndërkohë që në kërkesën drejtuar gjykatës theksohet se atyre u është thënë se ç’duhej të dëshmonin para Prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›