E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditjet e tensionit, Elezaj shtrohet në spital

Dy ditë pas prangosjes për kontrabandën e naftës virxhin, Hajri Elezaj është dërguar me urgjencë drejt qendrës spitalore “Nënë Tereza”. Administratori i kompanisë “Euroil”, i arrestuar pasditen e së premtes si një ndër drejtuesit e skemës së kontrabandës, është dërguar në spital, ku u diagnostikua me sindromë koronare akute. Burime të “MAPO”-s në spitalin nr.1 në Tiranë bënë me dije se mbrëmjen e djeshme, se Elezaj është transportuar nga mjediset e paraburgimit, ku ndodhej në pritje të masës së sigurisë, drejt reanimacionit të spitalit rreth orës 18:30 minuta. Shëndeti i tij është përkeqësuar në orët e pasdites, për shkak të problemeve në zemër, ndërsa në mbrëmje, punonjësit e paraburgimit janë detyruar ta nisin atë në drejtim të spitalit, për ndihmë të specializuar. Vetë Elezaj u kishte pohuar prokurorëve që firmosën arrestimin e tij se vuante prej kohësh nga sëmundje të zemrës, duke pretenduar para tyre se shëndeti i tij mund të vihej në rrezik, në kushtet e arrestit me burg. Burimet e mësipërme thanë se gjendja e tij është rënduar gjatë darkës, ndërkohë që mjekët e Spitalit nr.1 në Tiranë thanë se i paraburgosuri kishte luhatje tensioni. “Hajri Elezaj vuan nga sindroma koronare akute, ndërsa gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm, pas trajtimit në spital. Ndodhet jashtë rrezikut për jetën ”,-bënë me dije mjekët. Gjatë mëngjesit të sotëm, Hajri Elezaj pritej të përballej me Gjykatën e Tiranës, ku do të përcaktohej edhe masa e tij e sigurisë, pas akuzave të ngritura nga Prokuroria për mashtrim, falsifikim dokumentash e pastrim të produkteve të naftës. Prokurorët e Task-Forcës e akuzojnë atë si autorin kryesor të kontrabandës së naftës virxhin, që u denoncua publiksht nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›