E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta virxhin, dy dëshmitë që zbardhin skemën e falsifikimit

SHKRUAN: Leonard Bakillari 14-03-2011 12:29

Tiranë- Fatura fiktive, firma të falsifikuara ekspertësh dhe dëshmi «të pilotuara» janë zbuluar gjatë hetimit të skemës së kontrabandës së naftës virxhin, që ka sjellë mijëra euro fitime për biznesmenët e arrestuar. Provat e kontrabandës së naftës virxhin, ku deri tani dyshohet se janë përfshirë 14 persona, janë zbuluar në disa institucione, përfshi edhe dy kompanitë e dyshuara «Euroil» dhe «Fisheku». Prokuroria thotë se fillimisht janë kontrolluar praktikat doganore, e më pas librat e shit-blerjeve të kompanisë «Euroil», në pronësi të biznesmenit të arrestuar Hajri Elezaj dhe kompanisë që tregtonte naftën virxhin. Të dhënat e siguruara në Doganën e Vlorës dhe Kapitenerinë e Portit të këtij qyteti u kanë dhënë prokurorëve provat e kërkuara, për të faktuar hedhjen në tregun vendas të 17 mijë ton naftë virxhin dhe shitjen e saj për benzinë. Sipas hetimeve të kryera, kjo sasi është blerë nga kompania «Euroil» përgjatë 6-mujorit të parë të vitit 2009, ndërsa zyrtarisht rezulton se e njëjta sasi është eksportuar në muajin shkurt të këtij viti. Sipas Prokurorisë, skema e kontrabandës që përfshin doganierë e tatimorë është mjaft e qartë. Dokumentet fiktive tregojnë se gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 2008, nga magazinat e kompanisë «Armo» janë transportuar në drejtim të Portit të Vlorës një sasi e konsiderueshme nafte virxhin, e cila, sipas Prokurorisë, arrin deri në 17 mijë ton. Kjo sasi virxhin është transportuar për llogari të kompanive «Fisheku » dhe «Martini», të cilat administrohen nga biznesmenët e arrestuar Iljaz, Martin dhe Bajram Fisheku, ndërsa ishte blerë nga kompania «Euroil». Librat e blerjes tregojnë se nafta virxhin ishte blerë me 50 lekë për litër, duke lënë kështu të kuptohet sasia e madhe e të ardhurave që biznesmenët kanë përfituar nga kjo veprimtari e jashtëligjshme. Këto dyshime bëhen më të forta pas provave të siguruara nga Prokuroria, të cilat tregojnë se asnjë litër nga 17 mijë ton virxhin nuk është eksportuar realisht jashtë vendit, por është rifutur në tregun e pakicës si benzinë. Sipas Prokurorisë, dy rastet e provuara të kontrabandës, që i përkasin vitit 2009, sipas dokumenteve të falsifikuara tregojnë se janë eksportuar nëpërmjet terminalit që gjendet në Portin e Vlorës. Por në fakt, e gjithë kjo skemë e ngritur nga të dyshuarit si organizatorë të trafikut, është tërësisht e sajuar, pasi dëshmitë për llogari të hetimit tregojnë se gjithçka ka funksionuar ndryshe. Ish-drejtori i FIETEK në fshatin Nartë të Vlorës, ka pohuar për Prokurorinë se ky terminal ka funksionuar deri në shtator të vitit 2008. Sipas tij, është teorikisht është e pamundur që terminali të jetë vënë në funksionim në shkurt të vitit 2009, kur kompanitë e naftës pretendojnë se kanë eksportuar ngarkesat. Por prova më e fortë, përveç deklaratave doganore, për të cilat është arrestuar doganieri Edmond Ferraj, është dëshmia e një prej kompanive të pajtuara për matjen sasiore të mallit në anije. «Shtetasi A. Sh., administratori i shoqërisë “Albashipping” shpk, shoqëri e cila kryen matjet sasiore të mallit në anije, mohon të ketë marrë pjesë në dy praktikat e mësipërme dhe deklaron se firma dhe vula në këto dy praktika nuk i përket shoqërisë së tij» - thuhet në dosjen e Prokurorisë. Këto dy praktika doganore i janë nënshtruar ekspertizës, e cila ka konfirmuar se as firma dhe as vula nuk i përkasin kompanisë së licencuar për kryerjen e matjes së sasisë së mallrave në anije. Kësaj skeme mashtruese i bashkohen edhe dy anijet e huaja, “Rita S” dhe “Calitea”, që, sipas të dhënave të siguruara nga Kapiteneria e Portit të Vlorës, njëra është larguar bosh që aty dhe tjetra nuk ka qenë asnjëherë në Vlorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›