E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda e naftës, 50 CD me përgjime mes autorëve

SHKRUAN: Leonard Bakillari 14-03-2011 12:30

Tiranë- Përgjimet e të dyshuarve për kontrabandë të naftës virxhin hedhin dritë mbi mënyrën sesi realisht funksiononte skema, që, sipas Prokurorisë, ka nisur në vitin 2007 duke vazhduar deri në muaj e parë të 2009-ës. Menjëherë pas nisjes së hetimeve, pas denoncimit publik të ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, Prokuroria ka vënë nën përgjim të gjithë të dyshuarit, duke përfshirë edhe dy biznesmenët kryesorë, Hajri Elezaj dhe Iljaz Fisheku. Po ashtu, gjykata ka urdhëruar përgjimin e numrave celularë të kompanisë «Fisheku», e cila mbështeste me logjistikë gjithë veprimtarinë e kontrabandës së naftës virxhin. Deri tani, oficerët e policisë gjyqësore të ngarkuar për përgjimin dhe transkriptimin e bisedave telefonike të të dyshuarve, kanë mundur të mbledhin plot 50 CD, ku janë regjistruar të gjitha bisedat e 12 personave të dyshuar. Ende nuk janë transkriptuar të gjitha bisedat, por momentalisht organi i akuzës është fokusuar në pjesën e mbulimit të veprimtarisë së jashtëligjshme nga të dyshuarit, kryesisht në fillim të këtij viti, kur dhe janë intensifikuar veprimet hetimore. Nga përgjimet rezulton se ka biseda të shumta telefonike mes biznesmenit Iljaz Fisheku dhe punonjësve të kompanisë së tij, të cilët kanë kryer transportin e boteve të ngarkuar me naftë virxhin. Përveç porosive se si duhet të përgjigjen gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria, biznesmeni Fisheku kërkon nga punonjësit, por edhe nga djali i tij, që të mos përmendet asnjëherë Golemi. Gjatë bisedës telefonike të datës 01 shkurt të këtij viti, biznesmeni Iljaz Fisheku, ndër të tjera i thotë djalit të tij Martinit, se «Jo Golem, asnjëherë. Vetem Ballsh, Vlorë». Kjo bisedë, sipas prokurorisë tregon frikën e biznesmenit se punonjësit e tij ndoshta mund ta tradhtojnë duke përmendur faktin se nafta është çuar në Golem të Kavajës, duke prishur kështu skemën, që fiktivish tregon se nafta virxhin ishite depozituar në Vlorë, me qëllim eksportin e saj në Libi. Prokuroria thotë se nafta virxhin dyshohet se është transportuar në depozitat në pronësi të biznesmenit Iljaz Fisheku që ndodhen në Golem të Kavajës, ku mendohet të jetë përzjerë me benzinë për t’u rihedhur në tregun e pakicës. Menjëherë pas arrestimit të tij, oficerët e policisë gjyqësore kanë ushtruar kontroll në ambientet e kësaj kompanie në Golem, ku kanë sekuestruar disa dokumente dhe sende të tjera që ndodheshin në këto ambiente. Sipas informacioneve të siguruara edhe nga përgjimet e telefonave celularë të të dyshuarve, rezulton se një nga vendet ku është kryer depozitimi dhe ndoshta përzierja e virxhinit me benzinën janë këto depozita. Madje, për këtë çështje, prokurorët thonë se ka pasur edhe një komunikim telefonik mes biznesmenëve Iljaz Fisheku dhe Hajri Elezaj, ku ky i fundit i lë porosi ortakut të tij që të kujdeset që Prokuroria të mos arrijë në Golem, vend ky ku depozitohej nafta virxhin për t’u hedhur më pas në treg. Arsyeja është po e njëjtë, pasi nëse ndonjëri prej punonjësve do të deklaronte se nafta virxhin është transportuar drejt Golemit, atëherë do të prishej skema e mbuluar e kontrabandës, nga ana e biznesmenëve. Duke shpresuar në gjetjen e provave që do të vërtetonin transportin e naftës drejt depozitave të Golemit, përveç kontrollit të ushtruar në ambientet e kompanisë «Fisheku», hetuesit kanë kontrolluar edhe zyrat e biznesmenit Hajri Elezi. Ndër të tjera, nga kontrolli është bërë i mundur sekuestrimi i dy kompjuterave, të cilët do të dërgohen për ekspertim, për të parë nëse ka ose jo materiale për tregtimin e naftës virxhin nga kompania «Euroil».

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›