Dëshmitë e të afërmve: Tensioni i Skerdit për pronat në Gjirin e Lalzit
Një ditë pas ekzekutimit të gjyqtarit Skerdilajd Konomi zbehet dyshimi se krimi ka lidhje me detyrën. Dy trashëgimtarë të pronave të fisit Shallvari dëshmuan për Prokurorinë se 33-vjeçari udhëtonte shpesh drejt Durrësit, pasi Përmbarimi nuk ekzekutonte vendimin e gjykatës, për 800 ha tokë në Hamallaj
Nga i dërguari ynë
Habjon Hasani
Vlorë Një ditë pas ekzekutimit me minë-celular të gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, zbehet dyshimi se atentati ka ardhur për shkak të detyrës. Grupi i posaçëm hetimor është përqendruar tek çështja e pronave, për të zbardhur krimin e rëndë që tronditi gjyqësorin në vend. Hetimet kanë konfirmuar faktin se Skerdilajd Konomi ka udhëhequr betejën gjyqësore për rreth 800 hektarë tokë, të trashëguar në Hamallaj të Durrësit, pronë kjo e ndodhur në një zonë të lakmuar, mes plazheve të Gjirit të Lalzit dhe Spillesë. Konflikti gjyqësor vazhdonte prej vitesh, për shkak se një tjetër fis pretendonte pronësinë, ndërsa Gjykata e Lartë dha vendimin në favor të paditësve, mes të cilëve ishte edhe babai i gjyqtarit, Fotaq Konomi. Dëshmitarët kanë treguar për grupin hetimor se Skerdilajdi shpenzonte javët e fundit mjaft kohë dhe energji për të ekzekutuar përmes Përmbarimit këtë vendim të gjykatës, që u kthente atyre qindra hektarë tokë. Pasi kanë tërhequr këtë dosje voluminoze të pronave nga AKKP-ja, hetuesit kanë marrë në pyetje mbi 30 persona, që mendohet se mund të kenë informacion mbi konflikte apo probleme të Skerdilajdit. “Mbi 30 vetë u morën në pyetje, pasditen e së premtes dhe mëngjesin e së shtunës. Dëshmitarë të ngjarjes dhe familjarë e të afërm kemi marrë shumë pak, pasi ngjarja në pjesën më të madhe është filmuar. Jemi fokusuar në pyetjen e personave që kanë dijeni dhe informacion mbi betejat gjyqësore mbi pronat, që familja Konomi disponon në Ujin e Ftohtë në Vlorë dhe në Hamallaj të Durrësit”, -u shpreh dje një zyrtar i policisë së Vlorës. Anëtarë të grupit hetimor janë treguar tepër të rezervuar në dhënien e detajeve specifike të deklarimeve apo hetimit, ndërsa kanë pranuar se nga të gjitha dyshimet dhe pistat që hetohen paralelisht, më serioze dhe e motivuara është ajo që ka lidhje me problemet e pronësisë. Nga informacioni i mbledhur rezulton se edhe për pronat në zonën e Ujit të Ftohtë, anëtarë të fisit Konomi kanë patur konflikte kohë më parë, madje një i afërm i gjyqtarit është plagosur në këmbë. E ndërsa hetuesit nuk neglizhojnë asnjë të dhënë, vëmendja më e madhe është përqendruar tek sipërfaqja e madhe e tokës në bregdetin e Durrësit. Ky dyshim është përforcuar nga disa të afërm të gjyqtarit të ekzekutuar, Skerdilajd Konomi, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre për grupin e hetimit. Trashëgimtarë të familjes Shallvari (familja bazë që zotëronte pronat në Hamallaj) , që ndanin të njëjtin shqetësim për pronat me gjyqtarin e vrarë i kanë pohuar hetuesve se Skerdilajdi i kishte shpeshtuar kohët e fundit udhëtimet drejt Durrësit. “Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Skerdilajdi shkonte shumë shpesh në Përmbarimin e Durrësit, për të realizuar ekzekutimin e vendimit. Ishte i shqetësuar, pasi ky akt po shtyhej prej javësh”,-kanë dëshmuar trashëgimtarë të fisit Shallvari për grupin hetimor. Edhe pse nuk ishin në dijeni të ndonjë kërcënimi në adresë të gjyqtarit, të afërmit kanë pohuar në dëshmitë e tyre se Përmbarimi ishte nën presion, që nuk ekzekutonte vendimin e Gjykatës. Në dëshminë e tyre, të afërmit i kanë pohuar grupit hetimor se gjyqtari kishte nxjerrë nga arkivat të gjitha dokumentet për pronat dhe se gjatë procesit në Gjykatë të Lartë, kanë dalë në pah falsifikime nga pala kundërshtare. Megjithatë, të gjitha këto dyshime do të futen në sitën e hetimit, për të kuptuar nëse ekzekutimi në qendër të Vlorës ka apo jo lidhje me betejën gjyqësore për pronat në Hamallaj të Durrësit. Sipas burime të grupit hetimor, prokuroria e Krimeve të Rënda ka planifikuar që në dy ditët e ardhshme të marrë në pyetje familjarët e ngushtë të Skerdi Konomit lidhur me dyshimet e tyre mbi ngjarjen. ”Deri më tani kemi mësuar nga dëshmitë e disa të afërmve se Skerdilajd Konomi ka qenë i shqetësuar dhe nën tension ditët e fundit”, - shprehen burime nga grupi hetimor.
I afërmi: Skerdi udhëhoqi betejën për pronat
Të afërmit janë të rezervuar, por nuk hezitojnë të shprehin mungesën e besimit për zbardhjen e ngjarjes së rëndë
Të afërmit e Skerdilajd Konomit janë sa të shokuar, aq edhe të rezervuar mbi motivet e atentatit të rëndë, që ka tronditur gjithë vendin. Refuzojnë të flasin me emër për gazetarët, por nuk hezitojnë të shprehin zemërimin e tyre për vrasjen e 33-vjeçarit. “ Skerdilajdi ishte gjykatës i çështjeve civile. As më të voglin problem nuk mund të ketë patur për shkak të detyrës. Tani unë s’kam si ta fsheh, dyshimi im dhe i thuajse të gjithë njerëzve tanë të farefisit lidhet me tokat. Skerdi i ndiqte të gjitha procedurat. Ai u shkonte nga pas problemeve dhe betejave gjyqësore. Tokat i ka nga fisi i gjyshes, nga ana e të atit, janë ato tokat e fisit Shallari në Durrës, po është herët, që unë apo tjetër kush të thojë me siguri që bëhet fjalë pikërisht për këtë gjë. Të të them që kemi besim te zbardhja e ngjarjes, s’ta them dot, edhe sikur të dua, se nuk kam besim fare te institucionet. E di mirë ç’bëhet në këtë vend, sidomos për prona e çështje interesi”, - thotë për “MAPO”-n, një i afërm i familjes Konomi. Ai kërkon që media të sqarojë se familja Konomi ishte trashëgimtare e pronave dhe se nuk i kishte blerë ato. “Skerdilajdi ka ndjekur hap pas hapi vënien e së drejtës në vend, sa i takon pronave të familjes së tij”, - u shpreh i afërmi.