E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazhet për gjyqtarin, komentohet mungesa e Topit dhe Berishës

Qindra vlonjatë dhe njerëz të drejtësisë i kanë dhënë lamtumirën e fundit Skerdilajd Konomit, gjyqtarit të ekzekutuar me minë-celular. Në ceremoni, krerët më të lartë të drejtësisë dhe deputetë të PD e PS

Nga i dërguari ynë

Habjon Hasani

Qindra qytetarë vlonjatë e njerëz të drejtësisë i kanë dhënë dje lamtumirën e fundit gjyqtarit të ekzekutuar me tritol, Skerdilajd Konomi. Ceremonia mortore nisi në orën 10.00 të mëngjesit, në teatrin “Petro Marko”, ku ishte vendosur arkëmorti me trupin e pajetë të gjyqtarit. Prindërit e Skerdilajdit, Fotaqi dhe Dallëndyshja dhe bashkëshortja e tij kanë pritur e përcjellë dje me dhjetra juristë, prokurorë e gjykatës, kolegë të 33- vjeçarit, të cilët përbënin dhe numrin më të madh të pjesmarrësve në homazhe. Kryeprokurorja Ina Rama, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, kreu i KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe prokurorë e gjyqtarë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë bënë të parët homazhet pranë trupit të të parit gjyqtar, që vritet në një atentat të stilit mafioz. Ceremonisë mortore të Konomit nuk i ka munguar as përfaqësimi politik paraditen e djeshme, megjithëse ra në sy mungesa e politikanëve të dorës së parë. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, Enkelejd Alibeaj dhe ministri Eduard Halimi ngushëlluan familjarët Konomi në emër të maxhorancës, ndërsa Fatmir Xhafaj dhe Armando Subashi, në emër të opozitës.

***

Mes të afërmve të gjyqtarit të vrarë nuk ka mbetur pa u diskutuar edhe mungesa në ceremoni e autoriteteve të larta, sidomos ajo e kryeministrit Berisha dhe e presidentit Bamir Topi. “Me sa di unë, asnjë nga të dy nuk pritet të vijë. Berisha e sigurt njëherë, se njoftuan këta politikanët e PD-së, që ai nuk mund të vinte. Për presidentin nuk dimë gjë të saktë, por mendohej se do të vinte, pasi ai është edhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”,- tha një e afërme e gjyqtarit. Në ceremoni ka munguar edhe lideri i opozitës, Edi Rama, ndërsa kryetarja e Kuvendit kishte paralajmëruar se do të shkonte për ngushëllim në shtëpinë e gjyqtarit të vrarë. “Mesa dimë ne, zonja Topalli ka çuar njoftim te familjarët se do vijë të shprehë ngushëllimet te shtëpia e Skerdilajdit”, u shprehën ata. Homazhet në teatrin “Petro Marko” kanë zgjatur deri në orën 13:00, kohë kur kortezhi u nis me trupin e pajetë të gjykatësit drejt varrezave të Babicës. Në varrim morëm pjesë thuajse të gjithë personalitetet e qytetit të Vlorës, ndërsa qindra qytetarë i janë bashkuar kortezhit, rrugës për në varrezat e Vlorës.

***

Vrasja tipike mafioze ka pushtuar bisedat dhe vëmendjen e të gjithë qytetarëve të Vlorës. Një fakt i tillë mund të konfirmohej që në orët e para të mëngjesit, në pikat e shitjes së gazetave, ku interesi ka qenë i jashtëzakonshëm lidhur me raportimet për ngjarjen. “Gazetat janë shitur si rrallë ndonjëherë në Vlorë. Pyesin dhe vetëm për atentatin diskutohet. Të gjithë janë të shokuar, se ka shumë mister kjo punë”, -thotë një shitëse gazetash në qendër të Vlorës. Përveç tronditjes që vjen prej ngjarjes, duket se kureshtinë dhe interesin e qytetarëve e shtyn edhe fakti se ende nuk ka asnjë të dhënë nga organet e hetimit, për shkakun e ekzekutimit, të gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Në qytet, ngjarja është e shumëkomentuar, ndërsa si rrallëherë, qindra qytetarë janë solidarizuar në ceremoninë mortore, duke ndjekur nga afër homazhet në teatrin “Petro Marko” për gjyqtarin e vrarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›