Dëshmitë e të arrestuarve për trafikun e municioneve
Grupi i prokurorëve merr në pyetje Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin dhe Dritan Minxollin për trafikun dhe evazionin fiskal
TIRANË- Tre të arrestuarit e vetëm të tragjedisë së Gërdecit merren në pyetje për herë të dytë nga grupi i hetimit. Paraditen e djeshme, njëra prej dhomave të takimeve në paraburgimin "Jordan Misja" ka qenë e zënë për disa orë, pasi brenda saj, me kërkesë të prokurorëve të çështjes kanë hyrë dhe dalë pas marrjes në pyetje, tre protagonistët e arrestuar për tragjedinë e Gërdecit, drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, administratori i shoqërisë "Albademil" Mihal Delijorgji dhe kunati i tij, me detyrë drejtor ekzekutiv pranë kësaj shoqërie, Dritan Minxolli. Sipas burimeve pranë paraburgimit "313", mësohet se tre prokurorët e grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit, Etjen Kapo, Gentian Osmani dhe numri dy i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Kosta Beluri i kanë pyetur tre të akuzuarit përdyshimet e trafikut të municioneve nga fabrika e vdekjes në Gërdec.
***
"Marrja në pyetje e tre të arrestuarve: Pinari, Delijorgji dhe Minxolli është bërë për llogari të hetimeve, konkretisht për pistat e reja të ngritura nga grupi hetimor, atë të dyshimit për trafik të municioneve dhe evazionit fiskal në dërgimin e skrapit drejt Gjermanisë"-mësohet nga burime të prokurorisë, të cilët mesa duket, edhe këtë herë nuk kanë mundur të "vjelin" shumë prej tre të pandehurve. Ashtu siç edhe pritej,tre të arrestuarit kanë mohuar dyshimet e ngritura për "trafik municionesh", duke ngulmuar në mënyrë absurde se "gjithçka që është bërë, është bërë duke u bazuar në ligj". Të tre të arrestuarit, Pinari, Delijorgji dhe Minxolli janë marr në pyetje një nga një, nga tre prokurorët e grupit hetimor dhe një oficer i policisë gjyqësore, duke u pyetur në lidhje me sasitë e çmontimit të municioneve dhe dërgesat e skrapit jashtë Shqipërisë. "Asnjë nga të arrestuarit nuk kanë pranuar se është i përfshirë në kryerjen e veprës penale të trafikut të municioneve. Por ka qenë Dritan Minxolli, që ka pranuar se brenda në fabrikë ka pasur mangësi dhe shkelje të rregullave të punës",-pohojnë burimet e mësipërme.Mesa duket, Minxolli ka preferuar një tjetër taktikë mbrojtëse nga dy të akuzuarit e tjerë, duke pranuar se ka pasur mangësi në plotësimin e kushteve të sigurisë për punëtorët.
***
"Makineritë për çmontimin e fishekëve ishin të një teknologjie të re dhe kanë ardhur nga SHBA-ja. Unë nuk mund të them që ishin të dobëta. Sa për kushtet e punëtorëve, them se ka pasur mangësi"-mësohet të ketë thënë kunati i Delijorgjit. Gjatë marrjes në pyetje, Mihal Delijorgji ka mohuar përgjegjësinë e tij në lidhje me krijimin e kushteve të sigurisë për punëtorët dhe lëndët plasëse, duke hequr përgjegjësitë nga vetja dhe duke ia kaluar ato kunatit të tij. "Në lidhje me dyshimet e reja të trafikut të municioneve, Delijorgji ka mohuar një pretendim të tillë, duke pranuar vetëm eksportin e skrapit jashtë Shqipërisë. Por ai ka përfshirë në dëshminë e tij edhe ortakun e SAC-it, sipas të cilit eksportonte jashtë vendit mbetjet e tjera nga demontimit"-pohuan burime nga prokuroria. Ndërsa, drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, i gjendur para tre prokurorëve të çështjes është shprehur: "nuk kam gjë për të deklaruar përveç atyre që kam thënë. Sa për trafikun e municioneve, drejtoria e MEICO-s nuk ka dijeni të jetë bërë trafik. Kontratat e nënshkruara janë kryer në bazë të ligjit dhe në konsultim me Departamentin e Shtetit të SHBA-së"-ka thënë Pinari.
Mihal Delijorgji
Në lidhje me dyshimet e reja të trafikut të municioneve, Delijorgji ka mohuar një pretendim të tillë, duke pranuar vetëm eksportin e skrapit jashtë Shqipërisë. Por ai ka përfshirë në dëshminë e tij edhe ortakun e SAC-it, sipas të cilit eksportonte jashtë vendit mbetjet e tjera nga demontimit
Ylli Pinari
Nuk kam gjë për të deklaruar përveç atyre që kam thënë. Sa për trafikun e municioneve, drejtoria e MEICO-s nuk ka dijeni të jetë bërë trafik. Kontratat e nënshkruara janë kryer në bazë të ligjit dhe në konsultim me Departamentin e Shtetit të SHBA-së
Dritan Minxolli
Makineritë për çmontimin e fishekëve ishin të një teknologjie të re dhe kanë ardhur nga SHBA-ja. Unë nuk mund të them që ishin të dobëta. Sa për kushtet e punëtorëve, them se ka pasur mangësi, por nuk është bërë trafik fishekësh në fabrikën e Gërdecit
ARMËT
Kontrata e AEY, nën hetim
Prokurori i Krimeve të Rënda, që është përfshirë grupin hetimor ka sekuestruar klipet audio të përgjimit të bisedës mes Kostra Trebickës dhe 22-vjeçarit amerikan, Efraim Diveroli. Ky sekuestrim tregon njëherazi se paralelisht me tragjedinë e Gërdecit po hetohet edhe për kontratën e MEICO-s me kompaninë AEY. "Po hetohet edhe në pistën e transportimit të fishekëve dhe municioneve të tjera nga porti i Durrësit dhe aeroporti i Rinasit, pasi në dëshmitë e shumë punëtorëve është theksuar se hiqeshin fishekët nga kutia metalike, pastroheshin me naftë dhe më pas paketoheshin në kuti druri të cilat ngarkoheshin në kamionët me targa civile, destinacioni i të cilëve mbetet ende e dyshimtë",-thuhet nga akuza. Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria e Përgjithshme, ka kërkuar nga zvprokurori Genc Qano për pesë orë informacion për hetimet disa ditësh. Sipas prokurorisë, ka qenë data 15 mars kur prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal me nr.916 për veprën penale të "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive", të parashikuara nga neni 282/2 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli. F.Vezaj
Shtrohet numri i të vdekurve nga tragjedia e Gërdecit
Gjendet trupi i një gruaje në krater
TIRANË- Një trup i pajetë është gjetur dje pak metra larg kraterit në Gërdec, duke e çuar numrin e viktimave të tragjedisë së 15 marsit në 22. Megjithëse kanë kaluar rreth 14 ditë nga shpërthimi i fabrikës së çmontimit të municioneve në fshatin Gërdec, ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë të gjejnë pothuajse çdo ditë kufoma. Zyrtarisht u deklarua se ishin 24 persona të vdekur nga shpërthimi dhe xhenierët ndërprenë kërkimet në krater duke u shprehur se nuk ka më kufoma, por pas denoncimit të dy familjeve për humbjen e dy femrave, kërkimet nisën sërish. Kështu gjatë kërkimeve të zhvilluara paraditen e djeshme në zonën përreth kraterit, xhenierët gjetën një tjetër kufomë. Autoambulancë mbërriti menjëherë dhe bëri të mundur transportimin e trupit drejt morgut të spitalit "Nënë Tereza' në Tiranë. Kufoma është i paidentifikuar, ndërsa mjekët ekspertizës-ligjore thanë se i përket moshës rreth 25-vjeç. Pak ditë më parë dy familje denoncuan humbjen e dy vajzave të cilët ishin punëtore në fabrikën e çmontimit të predhave në Gërdec. Familjarët e 25-vjeçares Shqipe Alhasa denoncuan humbjen e saj dhe një ditë më vonë një tjetër denoncim u krye nga familjarët e 19-vjeçares Zelie Lepi, e cila rezulton e humbur. Fill pas denoncimeve nisën sërish kërkimet në bazë të së cilës u gjet dje një tjetër kufomë duke e çuar në 22 numrin e të vrarëve nga shpërthimi i fabrikës më 15 mars. K.Kotorri