"Po i thirri të birin Prokuroria, Berisha do sulmojë dhe Prokurorinë"
Media duhet t'i shkojë deri në fund kësaj ngjarjeje. Unë mendoj se Gërdeci është çështje e ditës dhe çështje me rëndësi të madhe që do zgjasë jo vetëm disa ditë e disa javë, por duhet të zgjasë disa vite derisa të merren masa në të gjitha hallkat e shtetit, që këto ngjarje të mos ndodhin më. Unë mendoj se është normale që njerëzit po flasin për këtë temë dhe është gjithashtu shumë normale, që gazetat folën dhe vazhdojnë të flasin për këtë temë. Dhe sa më shumë kanë folur gazetat, sa më shumë fakte kanë nxjerrë në dritë, aq më shumë po del në pah paaftësia dhe papërgjeshmëria e atyre që na drejtojnë. Kjo nuk ka qenë propagandë, por thjesht rrjedha e argumenteve në përgjigje të një ndodhie shume makabër. Është fyese kur disa përgjigjen pa pikën e argumentit, në fillim thonë e bënë komunistët (fyerje për inteligjencën e çdokujt që njeh sadopak historinë), pastaj thonë e bënë qarqe antishqiptare (pse nuk i ndalove zotëri?!), pastaj thonë e ka fajin SHISH, po u erdhi ndonjë fletëthirrje nga Prokuroria, do thonë "pse nuk e lajmëroi prokuroria meqë e kishte një denoncim që në dhjetor, etj., etj.