"Mbrojtja më e mirë është sulmi, sipas Stalinit"
Duke zbatuar parimin stalinist "Mbrojtja më e mirë është sulmi", Kryeministri në vend të kërkonte falje e të përulej para viktimave të shumta të politikes së korruptuar, u hodh në sulm. Duke bërë të paditurin për Gërdecin, kryeministri Berisha sulmoi egërsisht SHISH-in, SHIU-n... duke kërkuar edhe reforma të ngutshme të tyre. E pakta që le të dyshohet është: mos këto reagime të pakuptueshme e të egra të Kryeministrit pas ngjarjes së Gërdecit, ishin një kurth i kupolës së korrupsionit për të paralizuar këto organe, në këto momente tragjike, për t'u dhënë kohë bashkëpunëtoreve të fshihnin gjurmët, të prishnin provat, të kompromentonin procesin dhe të çorientonin edhe akuzën e drejtësinë shqiptare? Nëse po, kjo është një ofensive jo vetëm e dyshimtë por edhe shumë djallëzore, e tipit me të keq stalinist. Ndaj SHISH, SHIU dhe çdo organ tjetër nuk duhet të stepen para asnjë presioni a kërcënimi stalinist. Ata duhet t'i binden dhe të zbatojnë vetëm ligjin. Bëri çfarë deshi e i përdrodhi si deshi ligjet diktatoriale jo vetëm Stalini, por edhe rrufjanë të tjerë të pushtetit… Por, as njëri, as tjetri dhe askush nuk mund t'i shpëtojë ligjeve të natyrës dhe të Zotit, para të cilëve dhanë llogari si shtetasi më i rëndomtë i kësaj bote gjithnjë e më të vogël.