E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimet e drejtorit në fabrikën e vdekjes

 

Banorët e Gërdecit, para dhe pas 15 marsit, mes keqardhjes që zgjodhën punën që iu solli tragjedinë më të rëndë

 

Punëtorët: Dritan Minxolli na trajtonte si skllevër. Delijorgji nuk qeshte kurrë, u habitëm kur e pamë në gjykatë

 

TIRANË- Qershorin e vitit të kaluar, banorët e fshatit Gërdec mësuan se një fabrikë po ndërtohej në zonën e tyre. Fillimisht u hapën fjalë se do të ngrihej një rrobaqepësi, gjë e cila gëzoi jo pak femrat e fshatit, pasi do të kishin mundësi të gjenin një punë. Më pas, rrobaqepësia nuk u përmend më, por mori dhenë fjala për një burg grash. Sërish gratë u gëzuan, se ndoshta mund të gjenin një vend pune në këtë burg, çfarëdo të ishte. Fabrika që u ndërtua, nuk ishte as rrobaqepësi dhe as burg grash. Ish-reparti ushtarak u kthye në vendin e çmontimit të mijëra predhave, por 9 muaj të shkuar, edhe ky lajm i ngushëlloi gratë e fshatit, të cilat dëgjuan se aty kërkoheshin punëtorë. Kaq mjaftonte për banorët e Gërdecit dhe fshatrave përreth për të vrapuar drejt fabrikës ku mund të siguronin bukën e përditshme. Të vuajmë për bukën e gojës, apo të rrezikojmëmes predhave? Kjo ishte dilema e pothuajse të gjithë banorëve të Gërdecit, të cilët zgjodhën të vuanin mes predhave. Nëntë muaj më vonë, e shumëpritura fabrikë do të merrte vulën tragjike të vdekjes....

Gërdeci para 15 marsit..

"Më mirë të kishim zgjedhur të vuanim për bukën e gojës"- pohojnë banorët e Gërdecit, të cilët zgjedhjen e gabuare kuptuan më15 mars. Më parë, aty kishte punë për të gjithë. Fëmijë, burra, gra punonin me orë të tëra në fabrikën e çmontimit të municioneve. Punëtorë të pakualifikuar që ndoshta para se të "shkelnin" në këtë fabrikë, nuk kishin parë kurrë municione me sy, por që tashmë u duhet t'i çmontonin ato. "Asnjë vit nuk kishim që përfunduam shtëpinë e re, pas rreth 15 vitesh punë në emigracion të bashkëshortit tim. Më kishin mbetur edhe mobiljet e dhomës sime të gjumit për të blerë, pasi nuk kisha më para, ndaj dhe vendosa të punoja disa kohë në fabrikë, bashkë me burrin. Por tashmë falënderoj zotin që jemi gjallë",- shprehet Mirela Sefi, banore e Gërdecit, e cila ndodhej në fabrikë në momentin që ajo shpërtheu. Puna në çmontimin e predhave jo vetëm që nuk i siguroi paratë për të blerë mobiljet e dhomës së gjumit, por kjo fabrikë i shkatërroi asaj gjithçka që kishte ndërtuar pas 15 vitesh kursime. Nga shtëpia e saj dykatëshe nuk ka mbetur më asnjë shenjë. "Lodheshim shumë në fabrikë, punonim me orë të tëra. Disa muaj më parë çmontonim plumba dhe merrnim rreth 10 mijë lekë në ditë, më pas ishim të angazhuar vetëm në çmontimin e predhave dhe bëheshim një grup prej tre vetash, të cilëve na jepnin 60 mijë lekë të vjetra dhe i ndanim në mënyrë të barabartë, ku na binin nga 20 mijë lekë të vjetra. Ishim shumë të punësuar nga fshati. Madje në katin e parë të shtëpisë sime, unë strehova kunatën dhe burrin e saj, të cilët punonin në këtë fabrikë, pasi ata jetonin në Kavajë" -tregon më tej Mirela, nënë e katër fëmijëve të mitur. Sipas saj, puna ishte shumë e vështirë, i ftohti u thante duart kur lanin predhat apo dhe kryenin çmontimin e tyre. Punëtorët e kësaj fabrikë mund të quhen pa frikë skllevër. Sipas punëtorëve, drejtori i tyre, që ata i thërrisnin Tani ishte tepër i rreptë. "Kur nuk i ecte puna, ai niste e ulërinte duke sharë. "Do t'ju nxjerr jashtë, do t'ju thyej këmbët", -na thoshte shpesh herë Tani"- shprehet një punëtor i fabrikës për Dritan Minxollin.E megjithatë, askush nuk guxonte t'i kthente fjalën Tanit, pasi kishte shumë mundësi që më pas të mbetej pa punë. Ulnin kokën dhe punonin mes predhave, e ndërsa dëgjonin britmat e Tanit, i cili kishte raste që shfaqej në fabrikë i gëzuar. Kjo ndodhte, kur ecte puna. Punëtorët nuk dinë të thonë se kur puna ecte në të vërtetë, por këtë e lexonin qartë në fytyrën e Tanit. Ndërsa pronari i madh, kështu e quajnë ata Mihal Delijorgjin vinte shumë rrallë në fabrikë. "Ai ishte shumë serioz, nuk qeshte kurrë. Kur vinte Delijorgji , Tani i jepte sqarime, shkonte pas tij, i tregonte punën",-thotë një tjetër punëtor në Gërdec."Delijorgji vinte dhe shikonte sesi po ecte puna. Ai shikonte stivat e predhave dhe pasi prekte me gisht një predhë, i mbante erë për të parë sesi ishin larë. Ai ishte shumë hijerëndë. Jam habitur kur e kam parë në televizor, duke qeshur në gjykatë",- shprehet një punëtor i fabrikës.

Gërdeci pas "lufte"

Në fshatin Gërdec, 13 ditë pas tragjedisë, janë të pakta familjet që janë rikthyer në banesat e tyre. Ato kanë shfrytëzuar ndonjë cep, që nuk është shembur në banesat e tyre për t'u strehuar. Ndër familjet e pakta që i janë rikthyer fshatit është edhe familja Sefi. Mesditën e 15 marsit, Mirela Sefi ndodhej brenda në fabrikë, sapo ka parë flakët në ambientet e jashtme, ka dalë prej një dere dhe ka vrapuar me kilometra të tëra. "Arrita në Fushë-Krujë për të shpëtuar, vetëm vrapoja. Kisha frikën e fëmijëve. Por bashkëshorti im ende nuk kishte mbërritur në fabrikë, pasi rreth orës 2:00 e fillonte punën, kur shkarkoheshin maune. Ai mundi të nxirrte fëmijët dhe të futeshin menjëherë në bunker, që ndodhet në oborrin e shtëpisë" -shprehet për "Shekullin" Mirel Sefi. Ajo mundi të dilte nga fabrika, ndërsa kunata dhe burri i kësaj të fundit mbetën të plagosur. Kunata e Mirelës u nis në Itali për kurim më të specializuar, por ndërroi jetë rreth një javë më vonë. Nafie Laci 37-vjeçe nuk mundi t'iu shpëtonte plagëve. "U kthyem në banesë, sepse na ndodhi fatkeqësia dhe presim njerëz për ngushëllim. Qëndrojmë në një dhomë, që nuk është shkatërruar krejt, ku presim e përcjellim njerëzit që vijnë na ngushëllojnë për vdekjen e Nafies. Por këtu nuk rrihet, pasi kemi frikë se mos shemben dhe këto mure" -tregon Mirela. "Kanë vdekur shumë njerëz me të cilët ne kemi ngrënë e kemi pirë, por akoma nuk kemi shkuar për ngushëllime. Nuk dimë ku të shkojmë, ata nuk kanë shtëpi, nuk e dimë ku i presin njerëzit. Ceremonitë mortore i kanë kryer tek të afërmit e tyre"- shton më tej Mirela Sefi. Asgjë nuk ka mbetur në Gërdec. Edhe 13 ditë pas tragjedisë, kjo zonë është ende nën mbikëqyrjen e qendrës së emergjencave. Kudo shihen ushtarë,të cilët mbledhin predhat e shpërndara në fshat dhe ndalojnë kalimin e makinave në këtë zonë. Fshatit Gërdec tashmë i ka mbetur vetëm emri. Banorët e dinë se premtimet që u ka bërë shteti, i merr shpejt era, ndaj nuk dinë të thonë nëse Gërdeci do të bëhet edhe njëherë siç ka qenë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›