Dëshmitë false për azil, kreu i Pajtimit të Gjaqeve çohet në prokurori
Policia e Tiranës kallëzon në prokurori Gjin Markun dhe një tjetër misionar nga Malësia e Madhe. Akuzohen se kanë lëshuar vërtetime për persona që nuk janë në gjak, të cilët i kanë përdorur për azil
Tiranë Dëshmitë false të gjakmarrjes, të përdorura nga azilkërkuesit shqiptarë në vendet e BE-së, çojnë në prokurori kreun e Pajtimit të Gjaqeve, Gjin Markun, dhe një anëtar të Misionarëve të Paqes. Policia e Tiranës njoftoi dje se ka dërguar në prokurori materialet në ngarkim të Gjin Marku, me detyrë kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve dhe Pashko Popajt, banues në Bajzë të Malësisë së Madhe, anëtar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë. “Dyshohet se, duke shfrytëzuar pozicionin në shoqatat e mësipërme, ata kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara për persona të ndryshëm, që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë azilin në vende të ndryshme të Europës”, - bënë me dije burime zyrtare nga Policia e Tiranës. Nga informacionet e grumbulluara dhe verifikimet e kryera në vazhdimësi nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policitë homologe, ka rezultuar se dy misionarët e pajtimit të gjaqeve kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara dhe pa asnjë bazë ligjore qytetarëve të ndryshëm, të cilët nuk figurojnë të jenë në hasmëri apo gjakmarrje. Nga ana e policisë vijon puna për hedhjen dritë mbi ngjarjet dhe rastet ku dy të sipërpërmendurit janë përfshirë dhe pritet që ata të përballen me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”. Burime policore thanë dje se dy të dyshuarit do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë, ndërsa mendohet se hetimet kanë zbuluar të paktën pesë raste të falsifikimit të dokumenteve, ndërsa janë në proces verifikimi edhe të tjera raste. Zbulimi i këtij aktiviteti ka ardhur pas shumë sinjaleve të marra nga vendet e BE-së, të cilat kërkonin shpjegime në lidhje me persona të caktuar që aplikonin për azil në këto shtete, bazuar në dokumentacionin e lëshuar nga këto shoqata. Pas liberalizimit të vizave me BE-në, për secilin person që kërkon azil politik ose mbrojtje në një shtet tjetër nisin procedurat e “sqarimit” të rrethanave në të cilat aplikanti ndodhet. Gjatë rakordimit të informacioneve mbi aplikantët për azil në disa vende të BE-së, policia shqiptare ka bërë verifikimet e nevojshme dhe ka zbuluar se edhe persona të lindur në Tiranë apo Durrës rezultonin si anëtarë të familjeve që janë ngujuar prej vitesh në zonat më të thella të Veriut. Nga këto verifikime janë zbuluar elementet e veprës penale, ndërsa Gjin Marku dhe Pashko Popaj do të përballen me prokurorinë, për të sqaruar pozicionin e tyre lidhur me dokumentet false, që rezultojnë të kenë firmat e tyre. Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, në emër të Gjin Markut rezulton e regjistruar që prej vitit 2006 si shoqëri tregtare kompania “Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar”, duke e shpallur publikisht aktivitetin si fitimprurës si dhe ka statusin e “Shoqërisë me Përgjegjësi të kufizuar”, ndonëse në ekstraktin publik të QKR-së nuk specifikohet ekzaktësisht objekti i aktivitetit të kësaj kompanie.