Zjarr në Berat, nuk ka të lënduar

Tre banesa janë përfshirë nga flakët e zjarrit në zonën muzeale të qytetit të “1001 dritareve në Berat”. Një prej shtëpive është shkrumbuar plotësisht, ndërsa dy të tjerat për shkak të afërsisë karakteristike në lagjen "Goricë" të qytetit 2400 vjeçar të Beratit janë prekur nga flakët, por fatmirësisht janë dëmtuar pjesërisht.
Ndonëse flakët janë përhapur menjëherë, fatmirësisht nuk janë shënuar të lënduar, por vetëm dëme material. Për shkak të afërsisë së shtëpive me njëra tjetrën, burime pranë vendit të ngjarjes bëjnë me dije se janë vënë në rrezik edhe banesa të tjera, por zjarrëfikësit kanë mbërrur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku brenda pak orësh kanë mundur të neutralizojnë flakët.
Shkak për këtë zjarr dyshohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike, ndërsa ka reaguar edhe kryetari i bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të natës së mbrëmshme në lagjen "Goricë", një zonë e njohur muzeale që tërheq tej mase vëmendjen e turistëve të huaj dhe shqiptar.
Flakët kanë terrorizuar edhe banorët e tjerë të zonës, por gjithçka është mbyllur vetëm me shkatërrimin e banesës së Luto Myftarit në qendër të kësaj lagje.