Dëshmon Met Bozi: “Lidhja ime me masakrën e Cërrikut”
Tiranë - Met Bozi, një nga të pandehurit që akuzohet për masakrën e Cërrikut dëshmoi dje para kolegjit penal. Mësohet se në dëshminë e tij ai ka thënë vetëm që nuk iu ka premtuar asnjërit nga të pandehurve që do t’u nxirrte viza nuk ka qene as kryetar i komitetit të shpëtimit dhe as i Partisë Socialiste. Duke hedhur poshtë kështu deklaratat e të penduarit të këtij procesi. Më tej, ai ka shpjeguar se ditën e ngjarjes ka qenë në fermën e tij kur ka dëgjuar një zhurmë të madhe dhe është nisur për në Cërrik. Kur ka mbërritur në vendngjarje ka nxjerrë dy persona nga blindi i djegur dhe nuk e dinte se kush ishin. Identitetin e tyre e ka mësuar të nesërmen se ai që kishte qëlluar ishte Sokol Buzani dhe kishte qëlluar me granata. Në fund Bozi shtoi se deklarimet e dhëna në Prokurori nuk janë të vërteta por pjesërisht pasi janë manipuluar nga prokuroria. Procesi gjyqësor ndaj bandës së Cërrikut po përpiqet të zbardhë ngjarjen e rëndë të vitit 1997 ku mbetën të vrarë 6 policë. Në këtë proces janë marrë me cilësinë e të pandehurit Llazar Bicja, Met Bozi, Arian Toska, Roland Sota (Xhepaxhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani, Entel Gashi. Këta persona, shumë prej tyre të arrestuar vitin që shkoi nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, akuzohen ndër të tjera për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim".
Fushë Krujë, 8 gardianë qëllojnë me armë në rrugë
Fushë-Krujë - Tetë gardianë kanë shkaktuar panik tek banorët e Fushë Krujës, teksa qëllonin me armë zjarri nga makinat. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme pranë Shkurajt. Lajmi konfirmohet nga policia e Kurbinit, sipas së cilës 8 gardianët në gjendje të dehur po kalonin me dy makina në rrugë. Krejt papritur ata kanë nisur të qëllojnë në ajër me armë, duke shkaktuar panik dhe frikë për banorët e zonës përreth, të cilët njoftuan menjëherë forcat e policisë. Këta të fundit pasi kanë mbërritur në vendngjarje kanë bërë të mundur kapjen e gardianëve emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur duke i shoqëruar drejt Komisariatit të Kurbinit.
8 Korrik 2009