E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja e humbur me “zemrat”

Agim Baçi 

Marrëveshja Berisha-Meta, e cila i dha fund fjalëkryqeve për krijimin e qeverisë së re, ka krijuar jo pak pikëpyetje në qëndrimin e elektoratit, edhe pse është shumë shpejt të mendojmë se si do të reagojë ai në zgjedhjet e ardhshme. I pari që tentoi t’i japë një drejtim elektoratit të LSI-së “që vendosi fatin e zgjedhjeve” ka qenë Edi Rama, i cili, duke përdorur fjalor që ngjason me dhunën emocionale, po tenton të paraqitet si mbrojtës i tyre. Por, në fakt, çfarë ngushëlluesi preferon të jetë Rama për këtë pjesë të elektoratit?
Së pari, ajo që është lehtësisht e kuptueshme, është fakti se votuesit e LSI-së, të cilët zyrtarisht janë 83 mijë, por mund të jenë edhe më shumë, kur kanë shkuar në kutitë e votimit kanë synuar të mos kenë as Berishën kryeministër e as Edi Ramën në krye të qeverisë. Pra, në një lloj mënyre, ata votues kanë kërkuar largimin e të dyve. Ndërkaq, Edi Rama, nëse do të ishte i shqetësuar për fatin e votuesve të LSI-së mund t’i kishte ftuar ato në koalicion përpara zgjedhjeve, e jo t’u thoshte se çdo votë e tyre ndaj LSI-së do të ishte votë për Berishën. Ndaj, paraqitja si mbrojtës i tyre është thjesht një “lojë zemre e humbur”. Qëndrimi i Ramës ngjan më shumë me përpjekjen për t’i ndërsyer votuesit e LSI-së ndaj njeriut që vulosi humbjen e tij të dyfishtë: përballë elektoratit, por edhe në përballimin e rezultatit.
Por a kanë votuar këta 83 mijë qytetarë për destabilizimin apo stabilizimin e vendit?
Për Edi Ramën ata mund të lexohen si votuesit që i privuan atij fatin për të qenë kryeministër, por natyrisht që do të ishte një qëndrim i pajustifikuar që Rama t’i konsiderojë ata jetimë. Nëse ka një gjë që ia vlen për të pyetur, është fakti nëse këta votues do të dinë t’i kërkojnë liderit të tyre, Metës, që të lexojë votën e tyre, sidomos me mundësinë e zbatimit të programit që kjo parti ka shpalosur.
Tashmë, ata mund të kenë një trishtim për mënyrën se si shkuan ngjarjet, siç mund të ketë edhe një pjesë e PD-së trishtim për faktin se në qeveri u ofrua Meta. Por, megjithatë, askush nuk mund të marrë përsipër të flasë në emër të tyre, veçse ata që i kanë drejtuar në betejë. Ata mund të vuajnë idenë se nuk mundën të largojnë Berishën e Ramën, por natyrisht që është shumë më fisnike të vuajnë nga mosrealizimi i kësaj ideje se sa t’i shkaktojnë Shqipërisë dëme nga kjo mosarritje, sidomos në një moment kur gjithë ekonomitë janë në krizë.
Ndoshta sot, shumë prej tyre nuk kanë arsye të mendojnë ashtu, por të votuarve nuk i falet të mos menaxhojë votën që kanë dhënë ata. Siç i duhet edhe Ramës të menaxhojë mungesën e votave, për shkak të lojës që ai tentoi të luajë në këtë betejë.
Ne duhet të jemi qartësisht të pozicionuar të gjithë së bashku në një gjë të vetme: që më 28 qershor shqiptarët kanë votuar për të patur një qeveri që të drejtojë vendin. Dhe Meta me Berishën nuk bënë asgjë më shumë se sa lexuan këtë vullnet të shqiptarëve, të cilët askush nuk ka të drejtë t’i gjykojë, e aq më pak t’i paragjykojë. Votuesit e këtyre partive janë shqiptarë, siç janë edhe votuesit e Ramës. Dhe votuesit e kanë deleguar tashmë votën e tyre, që duhet vetëm të menaxhohet, pa i përdorur ata në një lojë që nuk është më e tyrja.
Ndërkaq, pas zgjidhjes së problemit se kush do e drejtojë këtë vend katër vitet e ardhshme, vlen vetëm të pyesim: Ku do të tolerojë PD-ja pas kësaj marrëveshjeje me një program tjetër nga ai që ka paraqitur përpara shqiptarëve? Po LSI-ja ku do të tolerojë? A do të këmbëngulë PD-ja në kalimin e ligjit për lustracionin, që LSI e ka kundërshtuar? A do të vijojë Reforma për Drejtësi me të njëjtën ritëm, kur Meta ka qenë kundërshtar? Tani kreu i LSI-së është një aktor i rëndësishëm, jo si pjesëmarrës në qeveri, por si një pjesëmarrës në projektin qeverisës, ndaj duhet t’i shpjegojë shqiptarëve pozicionin e tij. Gjithashtu, për hir të respektit të votës, Meta duhet të shpjegojë se ç’do të ndodhë në ato bashki e komuna ku ai drejton bashkërisht me PS-në për shkak të marrëveshjes në zgjedhjet lokale më 2007.
Fati i ardhshëm i Metës përballë elektoratit të tij do të varet pikërisht nga përgjigjet që mund të japë ndaj këtyre pyetjeve. Megjithatë ai i ka dhënë fillimisht përgjigje një pyetje të madhe: A duhet të punojmë për një Shqipëri të stabilizuar? Dhe ai i ka thënë “po”, edhe pse “jashtë familjes” së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›