Grumbullimi i De Biazit, vetëm Skënderbeu kundër
Grumbullimi me lojtarë të kampionatit shqiptar, që konsiderohen kandidatë për kombëtaren, do të zhvillohet sipas programit. Lista e futbollistëve, në fakt, ka pësuar disa ndryshime për shkak të kundërshtimit të skuadrës së Skënderbeut, që nuk i lejon futbollstët e saj të grumbullohen me kombëtaren. Trajneri Levi mësohet se ka vënë veton dhe ka kërkuar me ngulm që të gjithë futbollistët e tij të jenë të pranishëm në seancat stërvitore pa shkëputje, qoftë edhe për disa ditë.
Muzaka, Shehi dhe Arapi nuk do të mund tu bashkohen futbollistëve të tjerë më 21 janar në grumbullimin që do të zgjatë një javë. Gjithsesi, FSHF e ka mirëkuptuar trajnerin Levi (çeku pretendon se skuadra e tij është prapa me përgatitjet) dhe e ka plotësuar grupin me futbollistë të skuadrave të tjera. Koliqi, Veliaj, Dushku dhe Sykaj janë katër futbollistët e shtuar së fundmi në listë.
FSHF ka gjetur një të mesme me klubet, që të bëhet ky grumbullim. Meqë Skënderbeu është prapa me përgatitjet, janë shtuar në listë futbollistë të tjerë nga skuadra që mendojnë se ky grumbullim nuk u prish punë, ka sqaruar zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Lirim Zalla.