Dështimet e EULEX-it, në krye të kritikave
Eurodeputetët kërkojnë llogaridhënie për dështimet e EULEX-it. Kritikat e para u bënë publike në muajin nëntor, kur në Komitetin e Politikës së Jashtme të PE-së u debatua për draftin e Raportit për Kosovën, të shkruar nga raportuesja Ulrike Lunacek.
Sipas tyre, duhet parë me imtësi kjo çështje, ndërsa duhet apo jo ti zgjatet mandati EULEX-it, pasi nuk ka rezultate konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë.
Duke i’u referuar mediave kosovare, deputetët janë mjaftë skeptikë nëse ky mision duhet të vijojë punën, ndërsa shpenzon rreth 100 milionë euro në vit të taksapaguesve evropianë.
Raportuesja Lunacek ka thënë se ajo është e gatshme të bashkëpunojë me disa nga kritikët e EULEX-it, që të kërkohen më shumë të dhëna nga ky mision.
Lidhur me këtë çështje, kanë reaguar dhe deputeti suedez Goran Farm, dhe deputetët italianë Antonio Panzeri dhe Pino Arlacchi. Në amendamentet që kanë paraqitur, ata kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga ana e misionit të EULEX-it.