E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë saktësime për Krishtlindjen

Share

E përditshmja amerikane the Washington Post ka veçuar pesë keqkuptime, apo legjenda (myths), lidhur me Kërshëndellat. Së pari, besohet gabimisht se dita e Kërshëndellave është më e rëndësishmja në kalenarin kristian. Sështë kështu. Pashkët, dmth dita që kristianët besojnë se Krishti u ringjall, kanë një domethënie më të madhe fetare se sa data 25 dhjetor. Pashkët janë para së gjithash premtimi për përjetësi për të gjithë ata që besojnë te Krishti. Mesazhi i Pashkëve është i thjeshtë: secili mund lindë, por jo të gjithë mund të ringjallen pas vdekjes.

Së dyti, besohet se ka një konsensus biblik lidhur me historinë e lindjes së Krishtit. Por nuk është kështu. Në dy nga ungjijtë nuk flitet mbi këtë ngjarje. Në ungjillin sipas Markut, më i moçmi prej ungjijve (u krijua vetëm 30 vjet pas kryqëzimit të Krishtit), nuk ka një fjalë të vetme mbi këtë moment. Edhe ungjilli sipas Gjonit nuk flet për lindjen e Krishtit. Në ungjillin sipas Mateut, thuhet se Maria e Zefi jetonin në Betlehem, prej nga ikën fillimisht në Egjypt, e pastaj në Nazareth. Ndërsa në ungjillin sipas Lukës thuhet se Maria e Zefi jetonin fillimisht në Nazareth, pastaj shkuan në Betlehem, ku lindi Krishti, e pastaj u kthyen sërish në Nazareth.

Së treti, besohet se Krishti ishte djalë i vetëm, rrjedhimisht që Maria mbeti virgjëreshë deri në fund të jetës (këtë të fundit, protestantët nuk e besojnë). Mirëpo ka ndonjë pasazh ungjillor, ku flitet për vëllezërit e motrat e Krishtit. Në një moment të ungjillit sipas Lukës, dikush i thotë Krishtit, se nëna,tok me vëllezërit, janë jashtë e duan të të shohin. Ndërsa në ungjillin sipas Markut, tregohet se si në një moment banorët e Nazarethit reagojnë me fjalët: Nuk është ky djali i zdrukthtarit? Nuk është ky vëllai i Jakut, Zefit, Simonit e Judës? Deri dhe shën Pali e quan Jakun vëllai i Lordit. Por të krishterët i mbahen idesë se me termin vëllezër nënkuptohen kushërinjtë e miqtë e ngushtë të Jezusit.

Së katërti, është thënë se shekullarizimi (dhuratat që jepen, psonisja që bëhet, komercializimi i Santa Claus-it, apo babagjyshit në versionin shqiptar, pema e Krishtlindjeve, spektaklet lidhur me këtë datë, etj) i Kërshëndellave është një gjë që ka ndodhur kohët e fundit, por nuk është këhstu. Fjala vjen, dhuratat me rastin e Krishtlindjeve janë një gëj që janë praktikuar dhe në mesjetë.

Së pesti, besohet se mesha e mesnatës mbahet në mesnatë. Kjo nuk ndodh në çdo rast, dhe motivet janë komerciale apo praktike. Duke qenë se kishat mbushen dingas në këtë ditë, është parë më e udhës që të mbahet ca orë më parë. Por kjo ndodh në SHBA, e në ndonjë vend tjetër. Në Shqipëri mesha e mesnatës mbahet në mesnatë.

Re.Pu.

http://respublica.al/artikuj/2011/12/25/pese-saktesime-lidhur-me-kershendellat

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›