Dështimet e sezonit

Sezoni 2011/12 po shkon drejt fundit dhe për disa prej futbollistëve shqiptarë është një sezon për t’u harruar. Duke filluar nga Edmond Kapllani, e deri te Labinot Harbuzi, ky sezon ishte dështues për disa futbollistë shqiptarë, për arsye prej më të ndryshmeve, qoftë për shkak të formës jo të mirë, apo për shkak të lëndimeve.
Edmond Kapllani
Ishte transferuar në vitin 2009 në Augsburg nga Karlsruher. Ai u huazua në vitin 2010 në Koblenz, kurse më pas në Paderborn, për t’u rikthyer përfundimisht këtë sezon. Mirëpo, përfaqësuesi shqiptar qëndroi vazhdimisht në bankinë këtë edicion, duke luajtur shumë rrallë në Bundesligën gjermane. E ardhmja e tij në Augsburg nuk është e sigurt.
Labinot Harbuzi
Kur u transferua në Gençlerbirligi nga Malmo, konsiderohej si blerje e madhe. Madje, atë e kërkonte edhe Galatasaray. Mirëpo, ky sezon ishte më i keqi për të. Ai e shkëputi kontratën me klubin turk në janar, ndërsa pas një kohe iu bashkua Manisasporit, ku vazhdon të qëndrojë në bankinë. Forma e 25-vjeçarit ka pësuar rënie këtë sezon, të cilin duhet ta harrojë sa më shpejt.
Agon Mehmeti
Shumë njerëz mendonin se Palermo e ka bërë të vetin Zlatan Ibrahimovicin e ri. Presidenti Maurizio Zamparini thoshte se në janar e ka bërë një ‘goditje’ të madhe, me transferimin e sulmuesit të Malmos. Mirëpo, 22-vjeçari luajti shumë pak gjatë kësaj periudhe në klubin sicilian dhe deri tash nuk ka lënë gjurmë. Në fund të sezonit ai mund të huazohet te ndonjë klub tjetër italian, për të luajtur në vazhdimësi. Në të kundërtën, ish përfaqësuesi U-21 i Suedisë duhet të punojë fort, për të luajtur më shumë sezonin e ardhshëm.
Rijat Shala
E la Italinë pas një periudhe të gjatë, për ta rikthyer formën e dikurshme në Zvicër. Por, eksperienca e tij në Lugano nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ish-futbollisti i Novarës i prishi punët me drejtuesit e klubit zviceran, me ç’rast e shkëputi kontratën pas një periudhë të shkurtër. Po ashtu, emri i tij u përmend edhe në kurdisjen e ndeshjeve në Itali, në skandalin e radhës në futbollin italian, të zbuluar muaj më parë. ‘Rebeli’ Shala, edhe pse ka mbushur 28 vjet, ende nuk po e gjen askund rehatinë. Aktualisht, ai është lojtar i lirë.
Albert Bunjaku
Ishte golashënuesi më i mirë i Nurnbergut në Bundesligë, dy vjet më parë. Por, një lëndim i rëndë në gju ia rrënoi gjithë atë që e kishte ndërtuar. Përfaqësuesi zviceran u rikthye në fillim të këtij edicioni, por kishte mbetur prapa nga shokët e skuadrës. Ai e gjeti golin javë më parë, pas gati dy vjetësh. 28-vjeçari, rezervist i rregullt këtë sezon, shpreson që të luajë sa më shumë këtë sezon, ndërsa për sezonin tjetër mendon t’i rikthehet formës së vjetër, kur ishte edhe sulmuesi kryesor në Nurnberg.
Pajtim Kasami
E la Palermon për ta kërkuar ‘ringjalljen’ në Angli, respektivisht në Fulham, gjatë verës së vitit që shkoi. Klubi londinez e konsideronte si një blerje të duhur dhe një e ardhme e ndritshme e ekipit. Por, Pajtim Kasami e vazhdoi rrugën e nisur në Palermo, duke qëndruar shpesh në bankën e rezervistëve. Në janar, ai mund t’i bashkohej Juventusit, për t’u huazuar në ndonjë klub nga Serie B, por futbollisti nga Struga e Maqedonisë preferoi të qëndronte në Fulham, ku, siç thoshte ai, ka për të treguar shumë në të ardhmen. Sigurisht, me sezonin e parë në Londër nuk mund të jetë i kënaqur as vetë 19-vjeçari.
Beg Ferati
Në vitet e fundit ishte shtyllë e mbrojtjes së Baselit dhe kjo u vërejt në Gjermani, me Freiburgun, i cili i siguroi shërbimet e tij që nga janari i vitit të kaluar, për ta marrë atë përfundimisht gjatë verës. Por, siç dihet, elita e futbollit gjerman dallon nga ajo e futbollit zviceran, kështu që 25-vjeçari ka mbetur nën hije të futbollistëve të tjerë, duke përfunduar jo rrallë në bankën e rezervistëve. Me këtë, sezon, i cili po shkon drejt fundit, përfaqësuesi zviceran shpreson në një eksperiencë më të mirë, sezonin e ardhshëm.
Debatik Curri
Pasi kaloi disa vite në Ukrainë, me Vorskla Poltavën, konsideroi se kishte ardhur koha që ta bënte hapin e radhës në karrierë. Debatik Curri iu bashkua Gençlerbirligit parvjet, por një lëndim i rëndë ia prishi të gjitha planet. Futbollisti kosovar qëndroi për një kohë të gjatë jashtë fushës së blertë, ndërsa do t’i nevojitet kohë për t’u rikthyer në kohërat më të mira. Prandaj, ky sezon shkoi si shkoi për ish futbollistin e Prishtinës. 27-vjeçari duhet të shpresojë të mos i përsëriten më lëndimet, për ta parë Currin më të mirë, si në Gençlerbirligi, ashtu edhe në Kombëtaren shqiptare.
Xhulian Rudho
Konsiderohej si njëri prej futbollistëve të së ardhmes, por punët nuk shkuan ashtu siç pritej. Në vitin 2007 e la Anconan për t’iu bashkuar Chievos. Por, nga ajo kohë ai pati rënie të vazhdueshme. Së pari u huazua në Sansovino, kurse më pas në Scafatese. Në vitin 2008 u rikthye në Shqipëri, së pari me Partizanin e më pas edhe Tiranën. Por, 24 vjeçari nuk e ktheu më kurrë formën e dikurshme. Nëse dikur, emri i tij bënte bujë të madhe, sot nuk flet më askush për të.
Shqipron Skeraj
Shqipon Skeraj pati një sezon që lë për të dëshiruar. Pasi kaloi një periudhë të gjatë pa ekip, pasi u nda me Koblenzin, mbrojtësi i djathtë e provoi veten në Suedi, në Djurgarden, por as aty nuk tregoi asgjë. Për këtë, ky sezon i shkoi huq ish futbollistit të Prishtinës dhe Lirisë. Aktualisht, ai aktivizohet në ekipin gjerman, SC Eltersdorf në Bayernliga.
Andis Shala
Për të thuhej se do ta ndiqte rrugën e suksesit që kishte arritur babai i tij, Kujtim Shala. Por, këto ‘ëndrra’ ishin të përkohshme. Ngase, pasi kaloi tri vjet në ekipin skocez Dundee United, sulmuesi 23 vjeç u transferua në ekipin gjerman, Hallescher FC, ku këtë sezon nuk tregoi kushedi çka.