E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi, Del Neri i jep lamtumirën Juventusit

ROME-Xhixhi Del Neri ka folur sot për herë të fundit si trajner i Juventusit, pasi në fund të ndeshjes ndaj Napolit ai do të jetë i shkarkuar për t’i lënë vendin Antonio Kontes. I dorëzuar dhe me pamjen e dikujt që nuk ka më se çfarë të bëjë më, Del Neri doli dje përpara mediave, duke treguar vitin e tij në Torino. “Unë jam në rregull me koshiencën time, kemi punuar shumë, duke bërë atë që mund të bëhej, - tha ai. – Juventusi ka vendosur të ndryshojë trajner, më informuan të mërkurën. I uroj fat atij që do të vijë, të shpresojmë të jetë një zgjedhje e duhur. Unë punoj për një klub që duhej të vendoste nëse duhet të ndryshonte apo jo, por gjëja më e rëndësishme është se unë jam në rregull me veten time dhe ata mund të bëjnë ç’të duan. Nuk jam i zhgënjyer, falënderoj Juven që më dha këtë mundësi edhe pse hoqa dorë nga Kupa e Kampioneve me Sampdorian për të ardhur këtu”, shtoi Del Neri.
Objektivat
Juventusi u nis me objektiva të mëdha në fillim të sezonit, por në fund nuk ka mundur të sigurojë as pjesëmarrjen në Europa League. I pyetur nëse Juve e këtij viti mund të kishte fituar titulli, ai u shpreh: “Do të ishte njësoj sikur të binte dëborë në gusht”. Ndërkohë, Del Neri komentoi edhe deklaratën e presidentit Anjeli se lojtarët e rinj nuk e kanë kuptuar se çfarë është Juve, ndërsa të vjetrit e kanë harruar. “Nuk gjykoj atë që thotë të tjerët, por ndryshimet e mëdha, si ato që ndodhën këtë vit, mund të çojnë edhe në sezone jo produktive. Ky është një grup lojtarësh që ka nevojë të rritet e të maturohet, por Juve mesa duket nuk ka kohë për të pritur. Djemtë kanë dhënë maksimumin edhe në momente të vështira, ndërsa unë jam krenar që drejtova këtë grup”, deklaroi më tej trajneri bardhezi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›