E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi arsyetohet me mungesë të lojtarëve

Prishtinë, 31 gusht - Tre nga katër trajnerët e skuadrave që nuk kanë shënuar fitore këtë kampionat, startin e dobët e kanë arsyetuar me fondin e varfër të futbollistëve. Trajnerët e Vëllaznimit, Flamurtarit dhe Drenicës kanë vlerësuar se skuadrat e tyre kanë nevojë të përforcohen me futbollistë të rinj. Përveç këtyre tri skuadrave fitore në tri xhirot e para të Superligës së Kosovës në futboll nuk ka shënuar as Ferizaj. Ndryshe nga Ajet Shosholli, Jusuf Tortoshi e Tahir Lushtaku, trajneri i Ferizajt, Agron Selmani, është i kënaqur me fondin e lojtarëve.

Trajneri i Vëllaznimit, Shosholli, thotë se për shkak të fondit të varfër të lojtarëve është i obliguar që në çdo takim të aktivizojë nga pesë juniorë.

"Fondi i lojtarëve është shumë i varfër. Nuk i kam nëntë lojtarë që edicionin e kaluar ishin titullar. Në tri ndeshjet e para kemi luajtur me juniorë. Një pikë në tri ndeshje është pak, por shpresoj që t'i kompensojmë në ndeshjet e tjera", ka thënë Shosholli.

Vëllaznimi u mposht nga Besa e Liria, ndërsa barazoi me Flamurtarin.

Flamurtari përveç me Vëllaznimin ka barazuar edhe me Ferizajn, derisa ka humbur nga Ballkani.

"Sikur gjendja financiare e klubit të ishte në nivel, do të kërkoja dy mesfushorë me përvojë. Në mesfushë kemi probleme", ka thënë trajneri i Flamurtari, Jusuf Tortoshi.

Ndërkohë, Drenica ka probleme me sulm. Trajneri i "kuqezinjve" nga Skënderaj është i interesuar për një sulmues tipik.

"Kemi krizë në sulm. Krijojmë shumë raste e nuk arrijmë të gjejmë golin. Kjo na ka kushtuar me gjashtë pikë. Sikur të kishim një sulmues efikas do të ishim në vend të parë", ka thënë trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku. Drenica pas barazimit me Trepçën në xhiron e parë u mposht nga KEK-u dhe Hysi.  

Trajneri i Ferizajt, Agron Selmani, mungesën e rezultateve e ka arsyetuar me mungesë të fatit. Ferizaj ka barazuar me Trepçën '89 dhe Flamurtarin në shtëpi, ndërsa humbi nga Ballkani si mysafir.

"është start jo i mirë, por nuk është fundi i botës. Nuk dua të kemi start të mirë e përfundim të dobët. Ne nuk kemi pasur fat, pasi kemi krijuar shumë raste shënimi në këto tri ndeshje", ka thënë Selmani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›