E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi galaktik

Eliminimi i Real Madridit nga Liga e Kampionëve ka hedhur dyshime serioze në planin e presidentit të klubit Florentino Perez, i cili përfshinte fitimin e titullit të 10-të të Evropës në maj. Një gol i hershëm nga Cristiano Ronaldo të mërkurën kundër Lyonit kishte barazuar rezultatin e përgjithshëm dhe ktheu Realin në rrugë drejt çerekfinales për herë të parë nga viti 2004.

Por, goli nga Miralem Pjanic në minutën e 75-të e kualifikoi ekipin francez me rezultat të përgjithshëm 2-1, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e kthimit në Santiago Bernabeu. Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, dhe homologu i tij nga Lyon, Claude Puel, duket se u pajtuan se derisa nikoqiri dominoi në pjesën e parë, mysafirët ishin më të fortë në të dytën. “Në pjesë të parë ata ishin ekip më i mirë. Ata janë duke shkuar në drejtimin e duhur dhe trajneri është duke bërë punë të mirë”, tha Puel.

Jo të gjithë pajtohen. Real Madridi kryeson në La Liga me pikë të barabarta me kampionin e Evropës, Barcelonën. Mirëpo, këtë sezon është eliminuar nga Copa del Rey dhe Liga e Kampionëve në rrethin e dytë të garës. Perez sigurisht se kishte pritur paraqitje më të mirë nga ekipi, pas shpenzimit të rreth 250 milionë eurove në transferimin e futbollistëve si Cristiano Ronaldo, Kaka, Karim Benzema dhe Xabi Alonso, dhe angazhimin e Pellegrinit.

Paraqitja në finalen e Ligës së Kampionëve – që zhvillohet në Bernabeu – ishte objektiv i rëndësishëm i këtij ekipi. Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, pozita e Pellegrinit është në dyshim, ndërsa e përditshmja sportive Marca në ballinën e saj të enjten kishte shkruar: “Lamtumirë Liga e Kampionëve, Lamtumirë Pellegrini”.

Mirëpo, drejtori i përgjithshëm i klubit, Jorge Valdano, ka përkrahur trajnerin pas ndeshjes. “Debati gjithmonë rrethon trajnerin e Realit. Pellegrini ka kontratë dhe plani i klubit është që ai të vazhdojë të jetë trajner i Realit”, tha Pellegrini.

Ndërsa në një sondazh të së përditshmes El Mundo, rreth 10 mijë votues fajësuan futbollistët. 46 për qind prej tyre ishin të mendimit se eliminimi nga Liga e Kampionëve ishte faj i atyre që ishin në fushë, ndërsa vetëm 16 për qind e fajësuan Pellegrinin. Rreth 22 për qind të tjerë ishin të mendimit se faji i takon vetëm Perezit.

Mesfushori Jose Maria Guti e fajësoi eliminimin në lojën individuale, arsyetim i ngjashëm me atë që dha Pellegrini. “Duhet të jemi më tepër ekip”, tha mesfushori i cili përgatiti golin e Ronaldos. Mirëpo, Valdano e kundërshtoi Gutin dhe insistoi se fitorja e Realit ndaj Sevillas 3-2 në fundjavë – pas rikthimit nga disavantazhi 2-0 – ishte dëshmi e shpirtit të fortë të fuqishëm.

“Ne duhet të jemi të bashkuar si kurrë më parë”, tha Valdano. Ajo për çka u pajtuan të gjithë ishte se Realit i ka mbetur vetëm titulli në La Liga për të luftuar, ndërsa presioni ndaj presidentit, trajnerit dhe futbollistëve është shtuar jashtëzakonisht me këtë rezultat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›