E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi i “ëndrrës evropiane” të Kosovës?

14-09-2011 / Nga Shenoll Muharremi

Autoritetet e Bashkimit Evropian dhe ato të Kosovës bashkërisht po i venitin ëndrrat evropiane të evropianëve të rinj, duke mos i realizuar premtimet e tyre. Përderisa Brukseli është i paralizuar nga përçarjet e brendshme politike dhe nga mungesa e angazhimit të Kosovës, institucionet lokale nuk kanë bërë mjaft për të adresuar në mënyrë të efektshme reformat thelbësore të nevojshme për të shtyrë vendin e ri përpara. Kosova ka shprehur aspiratën dhe ambicien e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian që më 2003, kur ka vepruar për të themeluar Zyrën për Integrim Evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Kosova edhe atëherë ishte e rënduar boll nga prania e BE-së, me Shtyllën e 4-të të UNMIK-ut, përgjegjëse për zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe me Shtyllën e 2-të, përgjegjëse për Sundimin e Ligjit. Proceset e rëndësishme, si privatizimi, janë udhëhequr nga evropianët. Kosova ka filluar të marrë pjesë në Procesin e Stabilizim-Asociimit (PSA) nëpërmjet një mekanizmi special, të quajtur Mekanizimi Përcjellës i Stabilitetit (MPS), dhe vazhdimisht rrit strukturat e saj institucionale dhe koordinimin me organizmat e BE-së, kryesisht me mbështetjen e programeve të Instrumentit të Ndihmës për Para-anëtarësim (INP). Sot Kosova gjithashtu strehon misionin më të madh të BE-së për Sundim të Ligjit, që shumë argumentojnë se ka dështuar të japë rezultatet e pritura. Është tronditëse se si pas 8 vjet dialogu intensiv ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit, shtetasit e Kosovës nuk gëzojnë kurrfarë rezultatesh të prekshme, siç kanë gëzuar shtetasit e vendeve fqinje. Të gjitha vendet e rajonit gëzojnë liri të lëvizjes brenda Zonës Shengen; kanë Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit dhe kanë perspektivë të qartë për anëtarësim në BE.
Disa prej fqinjëve të Kosovës këtë vjeshtë kanë gjasa të arsyeshme për t’iu afruar perspektivës së tyre, duke marrë statuset e kandidatëve, ndërsa disave madje edhe mund t’iu caktohet data për fillim të negociatave. Kroacia i ka përmbyllur të gjithë kapitujt e negociatave dhe së shpejti do të bëhet shtet anëtar i BE-së. BE-ja, ndonëse në Samitin e Selanikut më 2003 ka premtuar se do të adresojë lirinë e lëvizjes për të gjithë shtetasit e Ballkanit Perëndimor, nuk ka punuar me autoritetet e Kosovës për t’u siguruar se kjo do të materializohet edhe për shtetasit e Kosovës. Kur Komisioni Evropian përpiloi, vërtetoi dhe publikoi të ashtuquajturën komunikatën “Kosova – Përmbushja e Perspektivës Europiane”, në vjeshtën e 2009-ës, ai premtoi fillimin e dialogut për liberalizim të vizave, përfshirë dorëzimin e udhërrëfyesit te autoritetet; Marrëveshjen për Tregti me Kosovën në një të ardhme të parashikueshme; si dhe qasjen e Kosovës në programet e komunitetit evropian dhe integrimin progresiv në Organizatën Ndërkombëtare të Sigurisë.
Po, komunikata ka përmendur faktin se marrëdhëniet Kosovë-BE nuk janë të mbështetura me instrumente shtesë, si MPS, por PSA. Në praktikë, asgjë nuk ka ndryshuar. Nuk është se Brukseli nuk e ka filluar dialogun, por Kosova mbetet i vetmi vend në kontinent, i cili nuk gëzon kurrfarë beneficionesh në tregti me BE-në (BE është partneri më i madh tregtar i Kosovës). Bizneset e Kosovës nuk janë vetëm të izoluara nga mungesa e tyre e konkurrencës, por ato pak biznese të vogla që kanë eksportuar në BE janë bllokuar kur Brukseli dështoi të përtërijë Preferencialet Tregtare. Sot, jo vetëm shtetasit e Kosovës, por edhe bizneset e Kosovës nuk mund të bëjnë tregti, dhe rrjedhimisht nuk mund të zhvillohen ashtu si zhvillohen bizneset nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo është ajo që në praktikë kuptohet këtu në Prishtinë nga një perspektivë evropiane e Kosovës: izolim dhe pengesë, si dhe terminologji qesharake në dokumentet e KE-së për Kosovën. BE gjithashtu është shprehur se ndonëse ka mosmarrëveshje në mesin e shteteve anëtare lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës, ekziston unitet lidhur me angazhimin e Kosovës. Kështu nuk del të jetë, pasi që dy vjet pas komunikatës “Kosova...” nuk është arritur shumë. Çuditërisht, janë bërë vetëm dy hapa prapa. Disa nga pesëshja e BE-së po mbështesin pro-aktivisht Serbinë për pengimin e efektshëm të Kosovës nga pjesëmarrja në forumet rajonale, si dhe po investojnë qindra miliona në sabotimin e zhvillimit të Kosovës në çdo formë të mundshme. Ndryshimi i kësaj situate të vështirë për qytetarët e Kosovës nuk është ndihmuar nga autoritetet lokale, të cilat kanë dështuar të adresojnë reformat thelbësore, si luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, liria dhe pavarësia e medieve, reforma e administratës publike, funksionaliteti i ekonomisë së tregut, etj. Gjasat e Kosovës janë dëmtuar edhe më shumë kur autoritetet dështuan të organizojnë zgjedhje të drejta dhe të lira nëntorin e kaluar, që u pasuan me parregullsi të mëdha. Këto çështje e bënë shumë të vështirë që miqtë e Kosovës të shtyjnë gjërat përpara në Bruksel. Përveç disa fjalimeve të këndshme për perspektivën evropiane, pak është arritur për demonstrimin dhe zbatimin e kësaj retorike. Kosova është shtyrë në dialog me Serbinë, por kjo nuk është mbështetur gjerësisht në Kosovë, ngaqë Beogradi ende nuk ka kërkuar falje për krimet dhe barbarizmat që u kanë shkaktuar kosovarëve gjatë vitit 1999, përfshirë mundimet e viteve të 1990-ta gjatë regjimit të Milosheviçit. Kryeministri i Kosovës bën gabim të qartë kur mendon se nëpërmjet angazhimit me Brukselin në dialog me Serbinë, rruga e Kosovës drejt BE-së do të jetë më e lehtë. Brukseli përsëri ilustron naivitetin e tij për Ballkanin, duke besuar se Serbia ka ndryshuar në lidhje me Kosovën. Përderisa në njërën anë Serbia paraqet shpirtin e saj evropian në bisedimet me Kosovën në Bruksel, në të njëjtën kohë ajo fuqishëm financon dhe mbështet strukturat kriminale, të cilat sabotojnë misionin e Kosovës dhe të EULEX-it për Sundimin e Ligjit, dhe perspektivat zhvillimore. Shtetasit e Kosovës ndjehen të zhgënjyer edhe nga autoritetet e BE-së, edhe nga ato vendore. Ata kanë mbetur të hutuar dhe kjo mund t’i shtyjë ata për, ndoshta, kërkim të zgjidhjeve jashtë orbitës së BE-së: në Lindje, apo edhe më tutje në Perëndim.
Nëse kjo është ajo që nënkuptonte “Perspektiva Evropiane” e Kosovës që 8 vjet tani, atëherë edhe autoritetet e BE-së, edhe ato të Kosovës, duhet të ulen dhe të rishqyrtojnë pozicionet e tyre – diçka nuk po funksionon këtu! Politikat duhet të ndryshojnë dhe autoritetet e BE-së dhe ato të Kosovës duhet të japin rezultate konkrete që do të përmirësojnë jetën, kushtet e jetesës dhe mundësi për shtetasit e Kosovës. Që të dyja palët duhet të përmirësojnë besueshmërinë e tyre. Pika fillestare le të jetë muaji i ardhshëm: kur KE të publikojë pakon vjeshtore, ai duhet të fillojë dialogun për viza me Kosovën dhe të caktojë datat e qarta për fillimin e negociatave për Marrëveshjen për Tregti me Kosovën, në mënyrë që vendi të bëjë hapat e parë të qartë drejt BE-së. Shumë njerëz argumentojnë se nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së për Kosovën. Por, këta janë të gjithë naivë dhe kanë kujtesë të shkurtër. Siç ka dëshmuar historia e vonë, gjërat mund të përkeqësohen në këtë pjesë të botës, nëse ato injorohen për një kohë të gjatë dhe nuk adresohen si duhet. “Perspektiva evropiane” e Kosovës duhet të materializohet në praktikë dhe shtetasit dhe bizneset duhet të përfitojnë, përndryshe ne mund të vazhdojmë të flasim dhe të takohemi për edhe më shumë se 8 vjet dhe të mos arrijmë asgjë. Pa dyshim, politikat deri më tani kanë bërë të dështojë “ëndrra evropiane” e Kosovës.

Autori është ish-shef i Agjencisë Kosovare për Integrim Evropian, studiues i politikës së BE-së për zgjerim në Universitetin e Suseksit në Angli

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›