E Diel, 1 Nëntor 2026

“Politikat bllokuese të opozitës nuk duhet të gjejnë mbështetje”

14-09-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha pret deputetin e Bundestagut gjerman, Roderich Kiesevetter

Deputeti i Bundestagut gjerman, Roderich Kiesevetter, theksoi të martën gjatë një takimi në Tiranë me Kryeministrin Sali Berisha, se “javët e ardhshme kanë një rëndësi themelore në tejkalimin e vonesave, që ka shkaktuar bllokimi më se dy vjeçar që opozita i ka bërë ligjeve dhe vendimeve me rëndësi parësore për procesin e integrimit”.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kiesevetter mbështeti qëndrimin se politikat bllokuese të aplikuara nga opozita nuk duhet të gjejnë mbështetje, dhe se duhet bërë çmos nga të gjitha palët në kapërcimin e ngërçit në lidhje me ligjet dhe votimet me shumicë të cilësuar.
Ai vlerësoi angazhimin e Kryeministrit dhe mazhorancës së udhëhequr prej tij në përmbushjen e 12 prioriteteve të përcaktuara nga BE për marrjen e statusit "kandidat".
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Shqipërisë në gjithë këto vite në ndërtimin e sistemit demokratik dhe zhvillimin e vendit.
Kryeministri e vuri theksin te një seri projektesh të financuara nga qeveria gjermane, që u përuruan pak kohë më parë, projekte me rëndësi jo vetëm lokale, por edhe rajonale. Ai u ndal te reformat e ndërmarra nga qeveria, si dhe përpjekjet e saj për përmbushjen 12 prioriteteve të përcaktuara nga BE për marrjen e statusit “kandidat”.
Kryeministri Berisha siguroi për angazhimin e plotë politik dhe institucional të mazhorancës për të bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme legjislative që kërkojnë votim me 3/5, në konsensus të plotë me opozitën dhe të udhëhequr nga standardet dhe rekomandimet ndërkombëtare.
Ai nënvizoi si të një rëndësie primare reformën zgjedhore, si dhe atë gjyqësore, miratimin e Avokatit të Popullit, etj, si dhe u shpreh se, “të gjithë objektivat mund të realizohen shpejt, nëse kthimi i opozitës në parlament bazohet realisht në vullnetin e mirë për të bashkëpunuar për integrimin evropian”.
Kryeministri Berisha e quajti bllokimin e integrimit si një model të dështuar të Edi Ramës e të opozitës për të përmbushur objektivat politikë, me pasoja të rënda për vendin.
“Zgjedhjet e 8 majit e konfirmuan plotësisht dështimin e këtij modeli. Vetëm bashkëpunimi me konsensus të mirëfilltë për interesat madhorë siguron avancimin e procesit të integrimit”, tha Kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›