Dështimi i regjistrimit dhe frerët e Ahmetit e të Gruevskit
Ndërprerja e regjistrimit të popullsisë dhe shtyrja e tij për afat të pacaktuar, sikur paralajmërojnë se koalicioni qeverisës në Maqedoni po e kupton sfidën: bashkëqeverisje, por pa hile Shkup, tetor - Diplomati grek në pension, ish -ambasadori i Athinës zyrtare në Shkup, Alexandros Mallias, në një shkrim të tij, të ditëve të fundit, duke folur për rrugën e negociatave maqedono-shqiptare me ndërmjetësim ndërkombëtar që çoi në Marrëveshjen e Ohrit, dhe për zvarritjen e zgjidhjes së çështjes së emrit kushtetues të Maqedonisë, shkruan: "Lexova me kujdes deklaratat e fundit të Ali Ahmetit për rëndësinë - nevojën e implikimit të një pale të tretë (procedura Dayton) në procedurën e kërkimit të zgjidhjes për emrin. Por problemi këtu e pesë vjet nuk ndodhet në Athinë. Ndodhet në Shkup. Ka emër. Quhet Nikolla Gruevski dhe është kryeministër. Mos vallë mundësitë e BDI-së, dhe Ali Ahmetit personalisht, si edhe të totalit të partive shqiptare, të detyrojnë kryeministrin e sotëm në një qëndrim të përgjegjshëm, janë më të mëdha?" Pavarësisht aludimit për prejardhjen greke të kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, diplomati i karrierës, ka të drejtë kur drejton gishtin, duke lënë të kuptohet se zgjidhja e problemit është në duart e numrit një të qeverisë. Këtë e ka pranuar edhe opozita maqedonase e prirë nga ish-presidenti Branko Cërvenkovski. Mirëpo, shtrohet pyetja, përse gjithë ky karshillëk i lidershipit maqedonas? Vëzhguesit në Shkup thonë se refuzimi prej vitesh i arritjes së një zgjidhjeje kompromisi për emrin, si dhe projekti "Shkupi 2014", i debatueshëm si për shqiptarët, ashtu dhe brendapërbrenda korpusit maqedonas, janë atuja kryesore që shumica dërmuese e elektoratit maqedonas është e "ngjitur" pas partisë së tij VMRO-DPMNE. Të fitosh bindshëm dy herë radhazi zgjedhjet, në një kohë kur papunësia kalon 30-përqindëshin, kur arka shtetërore është gati-gati bosh dhe të mos kesh kurajën e ballafaqimit me një problem që zanafillën e ka qysh nga pavarësia e Maqedonisë, në fillim të viteve nëntëdhjetë të qindvjetëshit të kaluar, kjo provon tezën se luajtja në kartën nacionale, është pehlivanllëku më i mirë në një vend si Maqedonia. Se kjo është kështu flet edhe ndërprerja e regjistrimit të popullsisë dhe reagimet maqedonase ndaj këtij vendimi politik, i marrë nga drejtuesit e dy partive qeverisëse, Nikola Gruevski dhe Ali Ahmeti. Një vështrim kalimthi i medias në Shkup të çon në përfundimin se "fajtorë" kryesorë për këtë dështim që financiarisht kushton diku rreth 14 milionë euro, janë shqiptarët, respektivisht Maqedonia veriperëndimore. VMRO-DPMNE tha se "ka penguar falsifikimin", duke u munduar të spostojë vëmendjen te regjistrimi i fundit, i bërë në vitin 2002 kur "Branko Cërvenkovski numëroi 120.000 qytetarë shqiptarë etnikë më shumë se më parë". Rikujtojmë se atëbotë, Komisioni Shtetëror i Regjistrimit, ishte ngritur në kohën kur në pushtetit ishin VMRODPMNE dhe PDSH.
Por, ta lëmë "politikën", përse dështoi regjistrimi dhe përse Maqedonia shkon drejt grupit të vendeve që këtij operacioni statistikor as që i rreken? Sipas regjistrimit të popullsisë, të viteve nëntëdhjetë, që nuk u pranua nga shqiptarët, maqedonasit përbënin diçka më shumë se 67 për qind të popullsisë. Në vitin 2002 kjo përqindje u tkurr në pak më shumë se 64 për qind. Me shqiptarët ndodhi e kundërta. Nga regjistrimi i para dhjetë vjetëve, rezultoi se kjo përqindje është përtej 25- përqindëshit. Tendencën e përkatësisht rënie-ngritjes së përqindjeve te të dy komunitetet e konfirmojnë edhe demografët, pavarësisht përkatësisë etnike. Bekimi i Maqedonisë si shoqëri dhe shtet shumetnik e shumëkonfesional (pas Marrëveshjes së Ohrit), si duket ngriti alarmin tek autoritetet maqedonase për rrezikun e humbjes së primatit të "kombit shtetformues". Në favor të kësaj flasin edhe të dhënat e mëposhtme: llogaritet se deri në 100 mijë maqedonas (mes tyre edhe ish-kryeministri Lubço Gerogievski) janë pajisur me nënshtetësi bullgare. Në të njëjtën kohë, të ashtuquajturit maqedonas myslimanë, së fundmi u rikthehen rrënjëve të të parëve të tyre duke u deklaruar o si torbeshë, shqiptarë, o turq. Një tendencë esullimi nuk fshihet edhe në radhët e vllehëve apo dhe të serbëve të cilët deri vonë janë deklaruar si maqedonas. Sinjalet janë vërejtur jo vetëm në Maqedoninë veriperëndimore (në Kumanovë apo dhe në anën e Mavrovë-Strugës), por edhe në pjesën lindore të vendit ku "një serb apo bullgar - plus, automatikisht shënon një maqedonas - minus", u shpreh këto ditë një vëzhgues i huaj, duke folur në kushte anonimiteti. Zhurma e shqiptarëve për të përfshirë "me çdo kusht" edhe diasporën, dhe hezitimi i maqedonasve që këtë ta bëjnë, megjithëse ligji mundësonte regjistrimin edhe të atyre "qytetarëve të cilët punojnë në botën e jashtme", por me kusht që gjatë vitit të fundit të paktën një herë të kenë hyrë në vend, si duket u mor si pretekst që të gjithë anëtarët e Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, me përkatësi të ndryshme etnike e politike, të japin dorëheqje të parevokueshme. Dhe, kjo është dorëheqja e parë "kolektive" e një organizmi tekniko-politik në Maqedoninë e pavarur. Frika nga rrudhja e "kulaçit etnik" që realisht buron nga nataliteti i ndryshëm te maqedonasit dhe shqiptarët, duket se u jep të drejtë të gjithë atyre të cilët parashikojnë se regjistrim mund të mos ketë as në fund të dhjetëvjetëshit të ardhshëm! Së këndejmi, duhet parë se çfarë kanë për të qenë raportet e ardhshme mes liderëve të dy partive në pushtet, Gruevskit e Ahmetit. Sfidat janë të mëdha e serioze: veç vënies pikë çështjes së regjistrimit, në rend dite janë edhe miratimi i buxhetit, puna e emrit të shtetit, detyrat e shtëpisë që dalin nga Raporti më i fundit i Progresit i Komisionit Evropian… Epërsia e kreut të BDI-së është se, për shkak të "takatit politik elektoral" kësaj radhe, mund ta bindë partnerin e tij qeverisës se politika është art i së mundshmes e jo i përdorimit të të gjitha mjeteve - për të mbetur në pushtet…
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”