E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, promotore e anëtarësimit të vendeve të rajonit në NATO dhe BE

24-10-2011 / Gazeta 55

Sfidat e sigurisë dhe integrimit evropian, vendet e “Kartës së Adriatikut” mblidhen në Tiranë


Delegacione nga të gjitha vendet e rajonit do të mblidhen në Tiranë në konferencën me temë “Karta e Adriatikut, Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, që organizohet nga Kuvendit i Shqipërisë në dy ditë, sot dhe nesër. Të pranishëm në konferencë krahas delegacioneve nga parlamentet e Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, do të jenë dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministri Sali Berisha, ambasadorë të akredituar në Tiranë, ministra, përfaqësues të institucioneve që lidhen me sigurinë, aktorë jo shtetërorë, si dhe profesor Donald Abenheim, ekspert në çështjet e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School në Monterei të Kalifornisë. Procesi i zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor përbën një sukses historik dhe shënon një kapitull të ri në uljen e tensioneve, forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal drejt një të ardhmeje plotësisht të integruar në institucionet euroatlantike. Aderimi i Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi në Planin e Veprimit për Anëtarësim dhe Kartën e Adriatikut krijon mundësinë e forcimit të partneritetit për shpejtimin e reformave demokratike, politike, ekonomike të sigurisë e të mbrojtjes, kulturore dhe të mjedisit. Qëllimi i kësaj konference është mbështetja e axhendave të përbashkëta nga parlamentet kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas drejtimeve të konceptit strategjik të miratuar në Lisbonë. Sesioni i hapjes që mbahet sot ora 10:00 do të përshëndetet nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministri Sali Berisha dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexandër Arvizu. Në ditën e dytë të punimeve, konferenca do të miratojë një deklaratë të përbashkët, që do të bëhet publike në konferencën për shtyp që do të mbahet nesër në mesditë. Kartën e Partneritetit të Adriatikut u nënshkrua në Tiranë më 02.05.2003, mes vendeve si Shqipëria, Kroacia, Maqedonia dhe SHBA. Karta e Partneritetit të Adriatikut (në vijim Karta e Adriatikut) është një nismë rajonale e suksesshme që thekson synimin e integrimit të plotë të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në NATO dhe në institucionet euro-atlantike dhe që bazohet në frymën e Kartës SHBA- Karta e Baltikut, e vitit 1998. Me nënshkrimin e Kartës së Adriatikut Republika e Shqipërisë dëshmon përkushtimin e saj të thellë për të forcuar përpjekjet individuale dhe bashkëpunuese në rajon, me qëllim intensifikimin e reformave të brendshme që forcojnë sigurinë, begatinë dhe stabilitetin e rajonit. Në kuadër të Kartës Republika e Shqipërisë ka promovuar gjithashtu edhe dialogun ndërmjet vendeve të Kartës së Adriatikut, Kartës së Baltikut (shtetet pjesëmarrësve - Estonia, Lituania, Letonia dhe SHBA) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si mjete për nxitjen e bashkëpunimit transatlantik dhe vizionit të përbashkët për sigurinë dhe vlerat në Evropë, nëpërmjet takimeve në nivel të lartë (Adriatik-Baltik-Atlantik). Republika e Shqipërisë ka kryesuar rregullisht Kartën e Adriatikut, e cila me një Shtesë (Addendum) nënshkruar më datë 04.12.2008 në Helsinki, Finlandë u zgjerua me Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi (A5). Republika e Shqipërisë mbështet zgjerimin e mëtejshëm të Kartës së Adriatikut me Republikën e Kosovës dhe Republikën e Serbisë, dy shtetet e mbetura jashtë Kartës në rajon, si dhe asiston vendet e Kartës jo-anëtare të NATO-s, në arritjen e standardeve të nevojshme për anëtarësim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›