Arvizu: Këto janë dy vite të humbura, Shqipëria ka bërë regres
“Për dy vjet, situata në Shqipëri jo vetëm ka qenë në stanjacion, por ka bërë regres. Janë dy vite të humbura. Fillimisht do të ndodhë ajo që ne e quajmë “loja e fajit”, ku secili ia hedh fajin njëri-tjetrit.”
Në një intervistë për ABC Neës në Bruksel, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu duke folur mbi Progres-raportin, ka thënë, se tashmë vendi nuk ka rrugë tjetër, përveçse ta konsiderojë momentin aktual si oportunitet për të ecur përpara me axhendën europiane dhe se sinjalet për reformën elektorale janë inkurajuese. I pyetur nëse SHBA-të do të shtojnë investime e tyre në Shqipëri, dhe sa ka ndikuar vizita e kryeministrit shqiptar në Nju-Jork, për këtë ai është përgjigjur se do të dëshironte të shihte dhe liderin e opozitës Edi Rama, të tërheqë turistë dhe investitorë në Shqipëri.
Si e komentoni Progres-raportin e bërë dje publik nga Komisioni Europian dhe refuzimin për të dhënë statusin e vendit kandidat?
Në punën time duhet të jesh optimist dhe realist për t’ia dalë mbanë. Më pëlqeu ajo që tha ambasadori Sequi dje për Progres-raportin, që të dyja palët duhet ta shohin këtë si oportunitet për të ecur përpara me axhendën europiane. Fillimisht do të ndodhë ajo që ne e quajmë “loja e fajit”, ku secili ia hedh fajin njëri-tjetrit. Ndoshta do ketë cikle të reja të saj. Por pas kësaj, të dyja palët duhet të shohin se ka një oportunitet. Unë dua ta besoj këtë, pasi mendoj se vendi nuk ka zgjidhje tjetër. Javën e kaluar ne festuam 20-vjetorin e hapjes së ambasadës amerikane. Njerëzit më dëgjuan të thosha, se nuk vend tjetër në Europë që ka ecur kaq në 20 vjet sesa Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për arritjet e tyre. Shqipëria sot është e pakrahasueshme me Shqipërinë e 1991-1992. Por me bisedimet që kam pasur me kolegë të mi në një konferencë në Bruksel dhe në Lubjanë, është evidente që asnjë vend nuk qëndron në vend, secili vend shkon përpara. Procesi i zhvillimit ekonomik është një proces dinamik. Le të jemi të sinqertë. Për dy vjet, situata në Shqipëri jo vetëm që ka qenë në stanjacion, por ka bërë regres. Janë dy vite të humbura. Kështu që duhet rikuperuar koha e humbur. I shoh si inkurajuese sinjalet që vijnë për reformën elektorale për të angazhuar edhe ekspertizën e Komisionit të Venecias, ekspertizë që është e mirënjohur dhe që do të sjellë një mbështetje për ndryshimet që nevojiten në Kodin Elektoral.
A pritet një shtim i investimeve të SHBA-së në Shqipëri, dhe sa ka ndikuar vizita e kryeministrit shqiptar në Nju-Jork për këtë?
Kryeministri Berisha është shumë efikas për të shitur imazhin e Shqipërisë. Ai dukej se ishte në elementin e tij në Nju-Jork. Do të doja të shihja zotin Rama dhe ndonjë tjetër përfaqësues të opozitës në vende si Nju-Jorku, Çikago apo Uashingtoni, që të inkurajojnë më shumë turistë të vijnë në Shqipëri apo të thithin investimet, pasi sa më shumë të tilla amerikane dhe europiane të ketë, aq më mirë është për vendin. Ndoshta amerikanët që do të vijnë këtu do të befasohen nga mikpritja e shqiptarëve dhe do të hapin biznese të vogla. Kjo është pa diskutim pozitive për Shqipërinë.