E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështojnë kasat, shtyhet afati

 

Fabiola Çela

Qeveria duket se ka dështuar sërish në procesin e saj për vendosjen e kasave regjistruese për biznesin. Në fillim të këtij viti, drejtues të lartë deklaruan se vendosja e pajisjeve fiskale për biznesin do të përfundojë brenda këtij viti. Por të dhënat tregojnë të kundërtën. Vendosja e kasave pritet të nisë këtë muaj dhe, për rrjedhojë procesi i vendosjes së kasave për biznesin është parashikuar të përfundojë në 2010-ën.
Afati
Në mars të këtij viti qeveria miratoi ligjin që i hapte rrugë vendosjes së kasave regjistruese për biznesin, dhe për pasojë çdo transaksion shitblerjeje do të shoqërohej me faturë tatimore. Kjo vlente si për bizneset e vogla dhe të mëdha. Pra, shitësi është i detyruar që çdo mall që shet ta regjistrojë në kasë dhe për çdo shitje që ai kryen blerësit duhet të marrin kuponin tatimor. Qeveria kishte planifikuar që ky proces të përfundonte brenda këtij viti. Por dje qeveria miratoi shtyrjen e afatit të vendosjes së kasave. Kjo, pasi në muajin shtator Ministria e Financave përfundoi procesin për autorizimin e pesë kompanive që do të kenë të drejtën e shpërndarjes së këtyre kasave. Për rrjedhojë, qeveria e pa të nevojshme që të ndryshonte afatet e vendosjes së kasave. Në fakt procesi i vendosjes së kasave ka nisur vite më parë, por që për fat të keq dështoi.
Kasat
Biznesi i madh do të jetë i pari që do të pajisjet me kasa regjistruese. Kështu brenda periudhës nëntor 2008-maj 2009 do të vendosen kasat për biznesin e madh në Tiranë. Ndërsa për tatimpaguesit e mëdhenj nëpër qytete të tjera, vendosja e pajisjeve fiskale do të nisë në janar të vitit të ardhshëm dhe është parashikuar që të përfundojë në dhjetor të 2009-ës. Ndërsa për tatimpaguesit e vegjël vendosja e kasave do të nisë në qershor të 2010-ës. Ndërkohë që nuk janë të detyruar që të përdorin regjistruesin elektronik fiskal sipas kërkesave të këtij vendimi profesionet e lira, ambulantët dhe shërbimi i transportit. Ndërsa regjistrimet elektronike nëpërmjet pajisjeve fiskale ekzistuese mund të vazhdojnë të përdoren për regjistrimin e qarkullimit, por me kusht që karakteristikat teknike dhe funksionale të tyre të përputhen me ato të miratuara nga qeveria. Me vendosjen e kasave regjistruese qeveria ka si qëllim që të ulë informalitetin në ekonomi. Ndërkohë sipas ndryshimeve të legjislacionit fiskal, tatimorët kanë të drejtë të vendosin çmime reference për shitjet e mallrave me pakicë apo me shumicë. Sipas ndryshimeve të bëra në fillim të këtij viti nga qeveria, nëse tatimpaguesi nuk dorëzon deklaratën tatimore sipas afatit të përcaktuar, atëherë inspektorët tatimorë mund të përdorin mënyra alternative vlerësimi të detyrimit tatimor që duhet të paguajë subjekti. E njëjta rrugë do të ndiqet edhe në rastet kur tatimpaguesi nuk mban ose kur nuk i ruan regjistrimet e sakta të transaksioneve të tij, kur nuk bashkëpunon me tatimorët si dhe kur nuk përdor rregullisht pajisjen fiskale.

Fasonistët “lumë”
ankesash për qeverinë

Fasonistët janë shprehur të pakënaqur me ndryshimet e bëra vitet e fundit nga qeveria për sa i përket reformave fiskale. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me zëvendësministrin e Financave, Florjon Mima, fasonistët u shprehën se biznesi që punon me material të porositur nga jashtë, i cili mban dhe peshën kryesore është në vështirësi të mëdha financiare. Sipas tyre, shkak për këtë situatë të vështirë është reforma fiskale që ka ndërmarrë qeveria. Sipas fasonistëve, qeveria shqiptare ndihmon konkurrentët dhe jo ata. “Ju ulni sigurimet, por rrisni pagën minimale pesë herë në vit dhe ne paguajmë edhe më shumë se sa paguanim me sigurimet e rritura”, u shpreh dje Bardha Loci, fasoniste. Por niveli i pagës minimale nuk do të ndryshojë dhe një deklaratë e tillë është dhënë nga vetë zëvendësministri Mima. Sipas tij, qeveria nuk ka ndërmend të pranojë rishikimin e pagës minimale, por ai u ka premtuar bizneseve të fasonit një lehtësim, që ka të bëjë me punonjësit e punësuar rishtas. “Punonjësit e punësuar rishtas do të paguajnë vetëm 0.5 për qind sigurim”, tha Mima. Eksportet e biznesit fason zënë një vend të rëndësishëm në ekonominë e vendit, si për sa i përket nivelit të eksporteve, por edhe për numrin e konsiderueshëm të punonjësve që këto biznese punësojnë në ambientet e tyre.

Afatet

Nëntor
2008-maj 2009
vendosen kasat për tatimpaguesit e mëdhenj në Tiranë. 

Janar-dhjetor 2009
vendosen kasat për tatimpaguesit e mëdhenj në qytetet e tjera të vendit.

Qershor 2010
nis vendosja e kasave për biznesin e vogël në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Lushnjë, Berat, Sarandë, Korçë, Pogradec, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Shëngjin, Golem, Rashbull, Orikum, Himarë, Ksamil.

Dhjetor 2010
të gjithë tatimpaguesit e tjerë të biznesit të vogël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›