Xhufi: Mall për familjet, por nuk duam t’i shqetësojmë
aristir lumezi
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, gjatë intervistës së tij shprehet se gjendja e tyre ka nisur të përkeqësohet, ndërsa ende përdorin ujin nga cisterna e Kuvendit dhe nuk u është dhënë një televizor nga administrata e Kuvendit për të ndjekur zhvillimet jashtë tij. Sipas tij, është një grup mjekësh, profesorë me titull që po ndjekin ecurinë e tyre shëndetësore, ndërsa shprehet se e ka marrë malli për familjen.
Zoti Xhufi, si paraqitet situata juaj shëndetësore?
Situata shëndetësore në përgjithësi ka pasur disa përkeqësime, pasi disa shokë, që edhe kanë vuajtur më parë, kanë rënie tensioni veçanërisht tek ata shokë që vuajnë nga diabeti apo dhe nga zemra.
Cili nga ju ndjehet më i përkeqësuar?
Zoti Braho ka luhatje të tensionit, i ka pasur dhe më parë ndërsa tani ka ulje të tensionit. Gjithashtu edhe unë kam ulje të tensionit, zoti Neranxi po ashtu por dhe kolegët e therë nga ana e PDK-së të cilët nja dy morën serum si zoti Ymer Tola, dikush mori glukozë. Dua të them se ndjehen disa shqetësime shëndetësore por nga ana tjetër ka një këmbëngulje dhe një ngritje morale për të vazhduar grevën e nisur.
Si janë sot kushtet e grevës, ato kushte për të cilat një ditë më parë ka pasur probleme, kam fjalën për ujin e pijshëm, apo ngrohjen e sallës?
Problemet e natës së parë, të gjendjes skandaloze, ku nuk kishim ngrohje, natë gjatë të cilës edhe morën një lloj të ftohti, sot janë përmirësuar. Ngrohja është rikthyer, por ka ende problem me ujin e pijshëm. Edhe sot ne pimë ujë nga rubineti i çezmës pasi edhe me ndërhyrjen e koordinatorit tonë, kjo çështje nuk është zgjidhur.
Ju tashmë keni një shërbim mjekësor të instaluar pranë sallës së grevës. Ndjeheni më të qetë?
Kemi një trajtim mjekësor i cili është mjaft korrekt dhe me porosi të Ministres së Shëndetësisë Anila Godo kemi kardionologun e njohur Anesti Kondili dhe një specialist për sëmundjen e diabetit, Feçor Agaçi. Të dy mjekët janë profesorë të njohur, të cilët kujdesen për mbarëvajtjen e shëndetit tonë.
Ju keni filluar ndonjë trajtim kripërash dhe lëngjesh plotësuese?
Disa kolegë morën serum, kripëra dhe glukozë kanë marrë dhe tre deputetë të tjerë, ndonjë ndërhyrje tjetër nuk ka pasur, por kujdesi më i madh është ndaj atyre shokëve që kanë vuajtur më parë nga ndonjë sëmundje, si zemra apo diabeti.
Si ka qenë sot sjellja e Gardës së Republikës?
Një pjesë të mirë të Gardës ne i njohim se janë punonjës të përhershëm të saj, të cilët ne i takojmë në Kuvend gjithnjë. Për ta kemi pasur raporte të mira gjatë punës së tyre dhe aktivitetit tonë. Por duhet të kuptojmë diçka se ata marrin urdhra, të cilat s’mund t’i kundërshtojnë por që në mjaft raste ato kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe me statusin e deputetit. E kam fjalën këtu për vendosjen e zhurmuesve dhe përgjuesve në mënyrë të përsëritur apo dhe ndalimin e deputeteve Prifti dhe Ndoka të hynin dhe komunikonin me ne si zëdhënës të grevës. Ata kanë një mision fare korrekt për të mbajtur gjithçka brenda një suazë korrekte si zëdhënës dhe s’duhet të pengohen.
Po nga administrata e Kuvendit ka ndonjë angazhim për zgjidhjen e problemeve të grevës?
Administrata e Kuvendit nuk është dukur fare. Ne kemi kërkuar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, i cili na ka refuzuar totalisht. Ka ardhur një zonjë nga administrata e Kuvendit, e cila na pyeti për ndonjë problem apo nevojë që mund të kishim, nevoja që s’mundi t’i plotësonte pasi sipas kishte urdhër për këtë gjë. Ne kërkuam të kishim një aparat televizori që të ndiqnim zhvillimet jashtë grevës. Aparate të tilla televizori ka shumë në ambientet jashtë sallës së Kuvendit, edhe te kafja e Kuvendit ka. Por edhe kjo kërkesë nuk na u plotësua dhe na është refuzuar në mënyrë të përsëritur.
Zoti Xhufi, ju ka marrë malli për familjen?
Sigurisht na ka marrë malli për familjen, por mundohemi të luajmë dhe rolin e kryefamiljarit, pasi jemi të gjithë meshkuj në grevë dhe natyrisht kemi përgjegjësi edhe në vështrimin shqiptar të gjërave, kemi përgjegjësira që i ndjejmë më shumë ndaj familjeve tona, që edhe nëse kushtet janë të këqija apo dhe shëndeti i dobët të mos shqetësojmë familjarët tanë, që këtu gjithçka po shkon mirë.
Agjencitë e lajmeve jehonë grevës së urisë së 10 deputetëve
Agjencitë prestigjioze të lajmeve nga të gjitha vendet i kanë dhënë një hapësirë të madhe grevës së 10 deputetëve të LSI-së, PDK e PS ’91, e cila ka hyrë tashmë në ditën e saj të tretë. Agjencitë “Reuter”, “Associated Press”, “Global Press”, “Herald Tribune”, agjencia e lajmeve italiane ANSA, agjencia zyrtare e lajmeve kineze “Xinhua”, “Tajwan News”, “Southern Europe Times”, “Balkan Inside”, “World Bulletin”, “Macedonian on-line”, “JAVNO” kroate, “Star Gazete”, organ shtypi turk, etj, kanë renditur si lajme të para në politikën e tyre editoriale gjithë panoramën e grevës së urisë së deputetëve shqiptare, si ndërmarrje pa precedent në arenën ndërkombëtare politike. Gazeta prestigjioze Herald Tribune thekson ndër të tjera se “…deputetët disa prej të cilëve vijnë nga një parti e koalicionit qeverisës të qeverisë Berisha, deklarojnë se projektligji synon të mbajë jashtë parlamentit partitë e vogla politike”. Ndër të tjera, “Southern Europe Times” thekson se “një grup prej njëmbëdhjetë deputetësh nga LSI, PDK dhe lideri demokristian Ndoka, filluan një grevë urie në brendësi të sallës së kuvendit”. “Balkan Inside”, i kushton një vëmendje të veçantë përmes një artikulli gjithë situatës së fundit politike dhe asaj që paraqet greva e urisë, si masa më ekstreme demokratike e 10 deputetëve shqiptarë. Gjithashtu gazeta kroate “Javno”, “Masedonia on line”, ka pasur si lajm të fundit, ngjarjen e grevës së urisë. “World Buletin” ka rezervuar me foto të gjithë informacionet e fundit brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit Shqiptar. Ajo nënvizon se “... BE ka bërë të qartë, se zgjedhjet e 2009 duhet të jenë të lira e të ndershme, nëse Shqipëria do të ecë në rrugën e Integrimit...”.
Deputetja Kola e PSD mbështet grevën, kalon me LSI
Përveç dy deputetëve të pavarur, Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli, që mbështesin nga jashtë grevën e dhjetë deputetëve të kuvendit, së fundi është shtuar edhe Angjelina Kola. Deputetja e PSD-së ka mbështetur dje publikisht grevën e urisë së deputetëve të LSI-së, PDK-së e PS ’91, duke shënuar në këtë mënyrë edhe shkëputjen nga PSD dhe kalimin te LSI. Gjatë një fjalimi të mbajtur para protestuesve dje në mbrëmje, Kola është shprehur se “Unë, sensibilizohem dhe i dal në solidaritet të plotë me kolegët tanë deputetë që janë në grevën e urisë këtu në sallën e Kuvendit, në mbrojtje të votës së lirë. Nuk është e lehtë që një deputet të futet në grevë urie, të përdorë metodën më ekstreme, për një problem kaq të thjeshtë, që mund të ishte zgjidhur me konsensus nga të dy krahët e politikës shqiptare. Megjithatë, ata zgjidhen këtë masë ekstreme vetëm në mbrojtje të votës së lirë”. Ish-deputetja e Partisë Social Demokrate tha se gjatë këtyre viteve në opozitë, Partia Socialiste në vend që të bëjë bashkimin e së majtës për të arritur fitoren në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, ka bashkëpunuar me Kryeministrin Berisha, dhe sipas saj ka eliminuar forcat politike të krahut të vet, si LSI-në dhe partitë e tjera të majta, duke mos mbrojtur dhe numëruar votat e tyre. “Kjo është një lloj sikur të themi që një parti të numërojë votat e një partie që e ka në opozitë. Kjo nuk është absolutisht demokratike. Nuk është absolutisht në kulturën demokratike të shqiptarëve, sepse akoma nuk e kemi arritur atë stad”, tha Angjelina Kola. Ajo i bëri sërish thirrje Partisë Socialiste të mbledhë aleatët e majtë për të arritur miratimin e një Kodi Zgjedhor gjithëpërfshirës. Në të kundër, sipas saj, zgjedhjet e ardhshme do të kenë kontestime. “Kështu, që unë jam e mendimet që Partia Socialiste bashkë me aleatët duhet të ishte mbledhur dhe duhet të kishte një gjithëpërfshirje të të gjitha forcave politike, për mbrojtjen dhe numërimin e votave të shqiptarëve. Nëqoftëse nuk do të arrihet një konsensus i tillë, ashtu sikurse është edhe në progres-raportin e Këshillit të Evropës, që duhet të kemi një konsensus politik në radhë të parë, pastaj në zgjedhjet e vitit 2009 duhet të jenë të gjithëpranueshme dhe të mos kenë kontestime nga asnjë palë, se përndryshe kjo nuk është në humbje të deputetëve, është në humbje të politikës dhe të të gjithë shqiptarëve”, tha Kola. Në fund ajo theksoi se “Kur ne presim të anëtarësohemi në NATO dhe të futemi në BE, nëse ne bëjmë pesë hapa mbrapa dhe nuk bëjmë hapa përpara dhe këtë do ta paguajnë shtrenjtë”.