E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi i atomikut, qeveria hedh hapin e dytë

 

Qeveria demokrate ka hedhur hapin e dytë që i hap rrugë ndërtimit të centralit atomik në Shqipëri. Në mbledhjen e saj të djeshme, qeveria ka miratuar disa shtesa në vendimin “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore”. Konkretisht që prej dy vjetësh në Shqipëri funksionon institucioni Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, e cila ka për detyrë të merret me mbikëqyrjen dhe shfrytëzimin racional të burimeve natyrore, përfshi ata energjetikë të ripërtëritshëm si dhe përditësimi i strategjisë kombëtare të energjisë. Duke u nisur nga këto funksione që mbart kjo agjenci, qeveria e ka parë të udhës që kjo agjenci të jetë institucioni shqiptar, i cili do të bashkërendojë të gjitha veprimtaritë që lidhen me vënien në jetë dhe zhvillimin e programit bërthamor në Shqipëri. Sipas ndryshimeve të bëra dje në qeveri, kjo agjenci do të bashkëpunojë me strukturën e specializuar të Kombeve të Bashkuara, Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Agjencia do të drejtojë dhe do të bashkërendojë punën ndërmjet strukturave shtetërore dhe sektorit privat për të krijuar infrastrukturën kombëtare të nevojshme për ndërtimin e centralit atomik në vend. Pak kohë më parë vetë kreu i qeverisë Berisha u pozicionua pro ndërtimit të centralit atomik në Shqipëri. Ndërkohë sipas të dhënave zyrtare deri në muajin gusht të vitit të kaluar kishte 439 centrale nukleare në gjendje pune, të cilët janë të shpërndarë në 31 shtete të ndryshme të botës. Këto centrale aktualisht prodhojnë 17 për qind të energjisë elektrike në botë. Vendin e parë për sa i përket numrit të centraleve e zënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë ndërtuar gati 104 të tillë. Tashmë shumë vende i kanë kthyer sytë nga energjia nukleare dhe për këtë pritet që gjatë viteve në vijim të ndërtohen edhe 32 vepra të tilla të prodhimit të energjisë nukleare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›