E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rejat që sjell Panairi XI i Librit, “Tirana 2008”



Një ndër të ftuarit specialë të Panairit XI të Librit, “Tirana 2008”, është edhe shkrimtari kroat Bozidar Prosenjak, i cili që në moshë fare të re ka arritur të evidentohet me letërsinë e tij në Kroaci dhe jashtë saj. I pari tregim që botoi në vitin 1968 arriti të ishte pjesë e përmbledhjes me krijime të zgjedhura, “Shkrimtarët e rinj kroatë”. Ishte po ky vit që nxorri shkrimtarin jashtë kufijve të Kroacisë, duke përfaqësuar Kroacinë në “Mbrëmjet Poetike Strugane”, mbajtur në Maqedoni në konkurrimin “Struga e re”. Që nga ajo kohë, ai shkruan e boton në suplemente të gazetave të ndryshme, në radio e televizione, kritika e shkrime mbi prozën, poezinë dhe dramën. Pas shumë vitesh krijimtari, në vitin 1980, sheh dritën e botimit përmbledhja e parë me poezi që mban një titull tejet interesant dhe tërheqës, thjesht “A”. Në gjuhën shqipe, për të parën herë ai u botua në vitin 2007 nga shtëpia botuese “Toena”. Ndërsa vepra e tij më e njohur jo vetëm për lexuesin kroat është “Kali i egër”, që në vitet 1989-2008 ka njohur 15 botime në Kroaci. Autori për këtë vepër është vlerësuar me dy prej çmimeve më prestigjioze në Kroaci: “Ivana Brliæ Mazuraniæ” dhe “Grigor Vitez”. Sipas këtij romani është shkruar libreti i një muzikali, ndërsa si shfaqje teatrale është shfaqur me qindra herë. Ai është autor i dyzet librave për fëmijë e të rritur. Shumë krijime të tij janë renditur në përmbledhje të zgjedhura, antologji e leksikone, në Kroaci e jashtë saj. Krijimet e tij janë përkthyer në anglisht, arabisht, çekisht, gjermanisht, maqedonisht, polonisht, sllovenisht, italisht, hungarisht, frëngjisht, shqip etj. Në vitin 2001 formon Teatrin e Parë Profesionist në Velika Gorica, qytetin në të cilin aktualisht jeton me familjen e tij, ku shquhet si autor dhe regjisor. Një numër i konsiderueshëm i vargjeve të tij ka frymëzuar kompozitorë të ndryshëm në krijimet e tyre. Ka krijuar edhe radiodrama, ndërkohë që kritikat e tij janë botuar në përmbledhjen “Leximi i gjurmëve” botuar në Zagreb në vitin 2006 dhe “Midis thelbit dhe marginës”, botuar po në Zagreb në vitin 2006.
Bozidar Prosenjak ka lindur më 19 gusht 1948, në Koprivnica, Kroaci. Kreu shkollën në Kuzminac, Koprivnica, Paris dhe Zagreb, ku më 1976-n u diplomua në Fakultetin Filozofik, Dega Romanistikë. Tregimi i tij i parë u botua në vitin 1968 dhe fill pas botimit u rendit në përmbledhjen e zgjedhur “Shkrimtaret e rinj kroatë”, duke përfaqësuar Kroacinë edhe në evenimente letrare ndërkombëtare. Më 1978-n fiton në konkurrimin “Studio” në kategorinë Emisioni më i mirë. Në vitet 1979-1984 punon në Qendrën Kulturore, formon dhe drejton klubin letrar “Albatros” dhe tribunën kulturore “Salloni blu”. Ndërsa më 1980-n, për 15 vjet nis punën si kryeredaktor i bibliotekës “Albatros”, e cila u bë themel për vazhdimësinë e botimeve në Velika Gorica. Një nga gazetat ditore më prestigjioze, “Vjesnik”, më 1982-shin, e shpall bibliotekën “Albatros” ngjarjen kulturore të vitit në Kroaci.
Që prej vitit 1984 punon si krijues i lirë dhe sot është një prej shkrimtarëve më në zë të Kroacisë e gjatë ditëve të Panairit të Librit do të qëndrojë në Tiranë për të firmosur, pse jo, edhe autografe në faqen e parë të librit të tij në shqip.

Vepra të Bozidar Prosenjak

“A” - përmbledhje poetike
“Kali i egër”
“Shëtitje pas plakut”
“Malli për qiellin kroat”
“Xixëllonjat e kaltra”
“Udha drejt zemrës-Intranet”
“Kravata e parë”
“Tesari”

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›